Si ka ndodhur e gjithë kjo? Me bindje të thell mendoj që, nuk ka asgjë të gabuar me institucionet origjinale të pronës private dhe lirisë së ndërmarrjes; ato kanë qenë gjithmonë aty. Nuk janë një fenomen i ri dhe nuk janë një produkt apo dhuratë e kapitalizmit, siç pretendohet shpesh. Ajo që është unike për kapitalizmin nuk është mbështetja në pronën private, motivin e fitimit dhe lirinë e ndërmarrjes; është filozofia e tij mbizotëruese e interesit të pakontrolluar vetjak dhe postulati i pabazuar se qeniet njerëzore motivohen vetëm nga interesat financiare, monetare dhe fitimprurëse. Që njeriu është vetëm një ‘njeri ekonomik’, domethënë një qenie që angazhohet ekskluzivisht dhe vazhdimisht në llogaritjen e fitimit dhe humbjes; që vendimmarrja bazohet vetëm në kriterin e përfitimit personal; që shteti duhet të jetë neutral; dhe që në çështjet ekonomike, tregu është sovran. Me pak fjalë, filozofia hedoniste që ekonomia duhet të jetë e çliruar nga vlerat dhe se forca e vetme lëvizëse në ekonomi është maksimizimi i fitimit, i nxitur nga përfitimi dhe kënaqësia personale. Këta kanë qenë faktorët vendimtarë që kanë formësuar jetën e individit, të ekonomisë dhe të shoqërisë nën kapitalizëm.
Në këtë proces të transformimit ekonomik, ‘kapitali’ luan rolin më të rëndësishëm, një rol dominues dhe udhëheqës. Ata që kanë kapitalin janë zotërit e vërtetë të sistemit. Meqenëse formimi i kapitalit varet nga kursimet, klasa që mund të kursejë më shumë, klasa që përfiton nga fitimet, është lëvizësi kryesor i shoqërisë, princat e vërtetë të sistemit. Punëtorët me pagë janë, në rastin më të mirë, thjesht mjete në këtë proces dhe jo krijuesit e vërtetë të pasurisë dhe përfituesit e saj. Ata janë vetëm grurë për mullirin. Kjo zhvendosje nga njeriu te paratë, nga vlerat te fitimi dhe maksimizimi i pasurisë dhe nga prodhimi fizik i mallrave dhe shërbimeve te zgjerimi pothuajse i pakufizuar i parasë dhe parasë virtuale ka ndryshuar thelbin e jetës dhe aktivitetit ekonomik. Ky është karakteri kryesor dhe fryma e vërtetë, shpirti (elani) i Sistemit Kapitalist.
Fillimisht, paraja ishte vetëm një mjet këmbimi për të lehtësuar aktivitetin ekonomik. Kjo është përshkruar nga ekonomistët përmes një formule CMC – ‘Malli shndërrohet në para dhe përsëri në mall’. Në këtë sistem, paraja lehtëson prodhimin dhe shkëmbimin e mallrave dhe shërbimeve, gjërave që përmirësojnë jetën. Në kapitalizëm, kjo u përmbys dhe u bë MCM – ‘Paraja, Malli dhe përsëri Para’. Si rezultat, fokusi u zhvendos nga prodhimi, shërbimet dhe infrastruktura fizike si objektivat kryesore të ekonomisë, te fitimi monetar dhe zgjerimi monetar si objektivi përfundimtar. Paraja nuk ishte më një mjet dhe një lehtësues, ajo u bë një mall i dëshiruar për vete. Por kjo nuk ishte e mjaftueshme.
Një transformim i ri ka ndodhur në fazën e tanishme të kapitalizmit. Qendra e tij e rëndesës mbi paranë po arrin kulmin e saj përfundimtar, duke çuar në një formulim të ri që mund të përshkruhet si M-M-M – domethënë, kur paraja prodhon para pothuajse pa krijim të pasurisë fizike. Kjo çon në ekonominë flluskë që po e shohim në botën e derivateve. Kjo është forma përfundimtare e kapitalizmit. Por brenda saj mbart gjithashtu farat e paqëndrueshmërisë dhe jostabilitetit, të cilat mund të paralajmërojnë rënien e fundit të sistemit. Të shohim se ku po e drejton ky sistem njerëzimin.