Ndërprerja e musharakah 

Musharakah konsiderohet e ndërprerë në cilëndo nga rastet e mëposhtme: 

(1) Çdo partner ka të drejtë të ndërpresë musharakanë në çdo kohë pas dhënies së një njoftimi partnerit të tij në këtë drejtim, me çka musharakah do të marrë fund. 

Në këtë rast, nëse asetet e musharakah janë në formë parash, të gjitha do të shpërndahen proporcionalisht midis partnerëve. Por nëse asetet nuk janë të likuiduara, partnerët mund të bien dakord ose për likuidimin e aseteve, ose për shpërndarjen apo ndarjen e tyre midis partnerëve ashtu siç janë. Nëse ka një mosmarrëveshje midis partnerëve në këtë çështje, d.m.th. nëse një partner kërkon likuidim ndërsa tjetri dëshiron ndarje ose shpërndarje të aseteve jo likuide, ky i fundit do të ketë përparësi, sepse pas përfundimit të musharakah, të gjitha asetet janë në pronësi të përbashkët të partnerëve, dhe një bashkëpronari i takon e drejta të kërkojë ndarje ose veçim, dhe askush nuk mund ta detyrojë atë për likuidim. Megjithatë, nëse asetet janë të tilla që nuk mund të ndahen ose të ndahen fizikisht, si p.sh. makineritë, atëherë ato do të shiten dhe të ardhurat nga shitja do të shpërndahen. 

(2) Nëse ndonjëri nga partnerët vdes gjatë kohëzgjatjes së musharakah, kontrata e musharakah me të përfundon. Trashëgimtarët e tij në këtë rast do të kenë opsionin ose të tërheqin pjesën e të ndjerit nga biznesi, ose të vazhdojnë me kontratën e musharakah. 

(3) Nëse ndonjëri nga partnerët bëhet i çmendur ose ndryshe bëhet i paaftë për të kryer transaksione tregtare, musharakah përfundon. 

Ndërprerja e musharakah pa mbylljen e biznesit 

Nëse njëri prej partnerëve dëshiron ndërprerjen e musharakah, ndërsa partneri ose partnerët e tjerë dëshirojnë të vazhdojnë me biznesin, ky qëllim mund të arrihet me marrëveshje të ndërsjellë. Partnerët që dëshirojnë të vazhdojnë biznesin mund të blejnë pjesën e partnerit që dëshiron të ndërpresë partneritetin e tij, sepse ndërprerja e  musharakah me një partner nuk nënkupton ndërprerjen e saj midis partnerëve të tjerë. 

Megjithatë, në këtë rast, çmimi i pjesës së partnerit që largohet duhet të përcaktohet me konsensus të ndërsjellë, dhe nëse ka një mosmarrëveshje për vlerësimin e pjesës dhe partnerët nuk bien dakord, partneri që largohet mund të detyrojë partnerët e tjerë për likuidim ose për shpërndarjen e aseteve. 

Shtrohet pyetja që, gjatë hyrjes në kontratën e musharakah partneret te bien dakord për një kusht që likuidimi ose ndarja e biznesit të mos realizohet përveç nëse të gjithë partnerët, ose shumica e tyre, dëshirojnë ta bëjnë këtë, dhe që një partner i vetëm që dëshiron të largohet nga partneriteti duhet të shesë pjesën e tij tek partnerët e tjerë dhe të mos i detyrojë ata për likuidim ose ndarje. 

Shumica e librave tradicionalë të fikhut islam duket se nuk e trajtojnë  këtë çështje. Megjithatë, duket se nuk ka pengesë nga pikëpamja e sheriatit nëse partnerët bien dakord për një kusht të tillë që në fillim të musharakah. Kjo lejohet qartë nga disa juristë hanbali. 

Ky kusht mund të justifikohet, veçanërisht në situatat moderne, mbi bazën se natyra e biznesit sot në të shumtën e rasteve, kërkon vazhdimësi për suksesin e tij, dhe likuidimi ose ndarja vetëm me kërkesën e një partneri të vetëm mund të shkaktojë dëme të pariparueshme për partnerët e tjerë. 

Nëse një biznes i veçantë është filluar me shuma të mëdha parash që janë investuar në një projekt afatgjatë, dhe njëri prej partnerëve kërkon likuidim në fillim të projektit, dhe t’i jepet atij një fuqi kaq arbitrare për likuidim ose ndarje, kjo mund të dëmtojë shumë interesat e partnerëve dhe zhvillimin ekonomik të shoqërisë. Prandaj, një kusht i tillë është i justifikuar dhe mund të mbështetet nga parimi i përgjithshëm i vendosur nga Profeti  (paqja qoftë mbi të) në hadithin: 

Të gjitha kushtet mbi të cilat janë pajtuar myslimanët janë të vlefshme, përveç një kushti që lejon atë që është e ndaluar ose ndalon atë që është e lejuar.

Artikulli paraprakNdarja e humbjes 
Artikulli tjetërNdërprerja e mudarabah