Ekonomia botërore po ngadalësohet në mënyrë të rrezikshme, shkruan The Economist
Investitorët janë gëzuar nga lajmi i ri. Që nga fillimi i tetorit, aksionet europiane janë rritur dhe optimistët kanë deklaruar se fundi i krizës energjetike në kontinent, është në horizont.
Aksionet kineze janë rritur pas diskutimeve se Xi Jinping do ta braktisë politikën “zero-covid” dhe ndërsa rregullatorët kanë liruar kufizimet në sektorin e pronave.
Më 10 nëntor, pas lajmit se inflacioni i çmimeve të konsumit në Amerikë, kishte rënë pak më poshtë pritshmërive të ekonomistëve, indeksi NASDAQ u rrit me 7%, një nga lëvizjet më të mëdha të përditshme, pasi investitorët përfshinë në parashikime norma interesi më të ulëta.
Por po ta analizojmë gjendjen më në thellësi, perspektiva është përkeqësuar javët e fundit. Ekonomia globale po ngadalësohet, ndoshta mund të hyjë në një recesion, pasi bankat qendrore po rrisin normat e interesit për të luftuar rritjen e çmimeve (shih grafikun 1).
Edhe pse të dhënat për Amerikën ishin më të mira se sa pritej në një muaj të vetëm, ka pak prova që tregojnë se problemi i inflacionit është mposhtur (shih grafikun 2).
Në të vërtetë, në pjesën më të madhe të botës, ky problem po zgjerohet.
Gjatë këtij viti, njerëzit janë shqetësuar për një rënie ekonomike. Në qershor, kërkimet në Google për fjalën “recesion”, arritën një nivel rekord. Megjithatë, për një kohë të gjatë, këto mbetën thjesht parashikime.
Prodhimi në shtetet e pasura u rrit mesatarisht me rreth 1.3% nga fundi i vitit 2021 deri në tremujorin e tretë të këtij viti, një shifër jo e lartë, por as e keqe. Këtë vit, deri në shtator, shkalla mesatare e papunësisë në OECD, një klub i vendeve kryesisht të pasura, që përbëjnë rreth 60% të PBB-së globale, ra me afërsisht një pikë përqindje.
Papunësia në Eurozonë ka arritur nivelin më të ulët historik. Shpenzimet e konsumatorëve ishin të forta, me hotele, aeroplanë dhe restorante të mbushura në mbarë botën.
Tani, realiteti është përputhur me parashikimet. Kostot më të larta të huamarrjes kanë filluar të bien. Në shumë vende, përfshirë Kanadanë dhe Zelandën e Re, çmimet e shtëpive po bien pasi blerësit përballen me hipoteka të shtrenjta.
Ndërtuesit e shtëpive po anulojnë projektet dhe pronarët e shtëpive po ndihen më pak optimistë. Edhe kompani të tjera po frenojnë shpenzimet. Në raportin e fundit të politikës monetare, studiuesit e Bankës së Anglisë vunë në dukje se financat më të kushtueshme po “peshojnë mbi synimet e investimit”.
Në një mbledhje të fundit të Rezervës Federale, u vërejt se investimet fikse nga bizneset “tashmë kanë filluar t’i përgjigjen shtrëngimit të kushteve financiare”.
Përkeqësimi i kushteve ekonomike ka filluar të reflektohet në të dhënat “në kohë reale”. Banka Goldman Sachs publikon një “tregues të aktivitetit aktual”, një matës mujor i fuqisë ekonomike.
Muajin e kaluar, për herë të parë që nga karantinat e Covid-19 në vitin 2020, ekonomitë e pasura të botës dukej se po tkurreshin (shih grafikun 3). Po kështu, një sondazh global i menaxherëve të blerjeve, tregon një tkurrje për herë të parë që nga qershori 2020. Që nga korriku, një tregues i rritjes vjetore të PBB-së globale, nga banka JPMorgan Chase, ka rënë duke u përgjysmuar.
Optimistët tregojnë me gisht tregjet e forta të punës. Norma e furishme e rritjes së vendeve të punës në Amerikë është ngadalësuar, por ende po vazhdon, duke shtuar më shumë se 250,000 vende pune në tetor.
Megjithatë, gjetiu po duken shenja dobësie. Ekonomistja Claudia Sahm ka thënë se mund të vihet re që një recesion po afron, atëherë kur mesatarja e shkallës së papunësisë në tre muajt e fundit, rritet me të paktën 0.5 pikë përqindje në krahasim me nivelin më të ulët gjatë vitit të kaluar. Tetë nga 31 shtete të pasura e përmbushin aktualisht këtë kriter, duke përfshirë Danimarkën dhe Holandën.
Kjo nuk është një përqindje e lartë krahasuar me fillimin e krizës financiare globale të viteve 2007-‘09. Ama, ajo sinjalizon se është duke ndodhur tashmë një ngadalësim serioz.
“Rregulli Sahm” zbulon një tjetër të vërtetë të rëndësishme: se shtete të ndryshme po lëvizin me shpejtësi shumë të ndryshme. Përveç Amerikës, një sërë shtetesh, përfshirë Australinë dhe Spanjën, vazhdojnë të kenë nivele të mira të rritjes ekonomike.
Megjithatë, të tjerët janë në telashe. Suedia, ku normat e larta të interesit po dëmtojnë tregun e banesave, po humbet vrullin ekonomik me shpejtësi. Britania është në prag të recesionit. Në Gjermani, çmimet e larta të energjisë po detyrojnë mbylljen e disa industrive. Ajo mund të jetë në gjendjen më të keqe ekonomike nga gjithë shtetet e pasura.
Sa e rëndë do të jetë rënia ekonomike?
Familjet në vendet e pasura zotërojnë ende disa triliona dollarë “kursime të tepërta”, të cilat i grumbulluan në periudhën 2020-2021 nga ndihmat e pandemisë dhe mbështetje të tjera fiskale.
Këto para do t’i mundësojnë që të vazhdojnë të shpenzojnë, edhe gjatë rënies së të ardhurave reale. Një studim i ri nga banka Goldman Sachs, zbulon se tepricat e mëdha të kursimeve në sektorin privat, shoqërohen me recesione më pak të rënda.
Dhe kursimet e shëndetshme bëjnë që dhimbja ekonomike të ketë më pak gjasa të kthehet në shqetësim financiar. Normat e delikuencës së hipotekave janë në rënie në Amerikë dhe janë jashtëzakonisht të ulëta në Zelandën e Re dhe Kanada.
Lufta për uljen e inflacionit
Tregjet e punës po dobësohen, por një rritje e papunësisë si ajo pas krizës financiare, nuk ka gjasa të ndodhë. Kjo për shkak se kërkesa për punë nuk është përputhur me ofertën.
Në fillim të këtij viti, numri i vendeve të lira të punës në të gjithë OECD-në, arriti kulmin në 30 milionë, sipas llogaritjeve tona. Tani, me rënien e kërkesës, ka rënë numri i vendeve të lira të punës dhe jo niveli i punësimit. Vlerësojmë se numri i vendeve të lira ka rënë me një të dhjetën.
Përparimi i inflacionit është një faktor shumë i rëndësishëm. Bankat qendrore janë të gatshme të imponojnë një recesion për ta ulur atë. Normat më të larta mund të sjellin “disa zbutje të kushteve të tregut të punës”, siç vuri në dukje Jerome Powell, kryetari i Rezervës Federale në fillim të këtij muaji.
“Ne mendojmë se rritja e normave do të ulë kërkesën dhe nuk do të pretendojmë se kjo nuk do të shoqërohet me dhimbje ekonomike”, paralajmëron Philip Lane, kryeekonomisti i Bankës Qendrore Europiane.
Si teoria ekonomike, ashtu edhe të dhënat e shtatë dekadave të fundit, tregojnë se rënia e PBB-së shoqërohet me një rënie të madhe të shpejtësisë së rritjes së çmimeve.
Por vonesat midis politikës monetare më të shtrënguar dhe inflacionit më të ulët, nuk janë kuptuar ende mirë. Bankat qendrore mbase duhet të shkaktojnë më shumë dhimbje ekonomike se sa kanë parashikuar.
Në disa vende, çmimet më të ulëta të energjisë dhe ushqimeve po ndihmojnë në uljen e normës totale të inflacionit. Shifrat e fundit në Amerikë për muajin tetor, ishin më të mira nga sa prisnin ekonomistët.
Megjithatë, në përgjithësi, çmimet nuk po shkojnë në drejtimin që do të donin bankat qendrore. Në vendet e pasura, “surprizat” e inflacionit, pra kur të dhënat e raportuara janë më të larta se parashikimi, janë ende ndodhi të zakonshme (shih grafikun 4).
Sipas shifrave të publikuara më 16 nëntor, inflacioni në Britani ishte 11.1% në tetor, shumë më tepër mbi pritshmëritë e ekonomistëve. Në të njëjtën ditë, të dhënat kanadeze nuk treguan asnjë shenjë të rënies së inflacionit.
Pothuajse kudo, inflacioni “bazë”, i cili pasqyron më mirë presionin themelor të çmimeve, po rritet. Në tre dimensionet – gjerësi, paga dhe pritshmëri – inflacioni në shtetet e pasura, po rritet, nuk po ulet.
Fillojmë me dimensionin e gjerësisë. Kur nisi rritja e inflacionit vitin e kaluar, në shumicën e vendeve, kjo rritje ndodhi vetëm për një numër të vogël mallrash dhe shërbimesh. Në Amerikë ishin makinat e përdorura.
Në Japoni ishte ushqimi. Në Europë ishte energjia. Kjo gabimisht i qetësoi ekspertët, shumë prej të cilëve hamendësuan se sapo çmimet e këtyre pak komponentëve të ndalonin së rrituri, inflacioni i përgjithshëm do të shuhej.
Në fakt, virusi i inflacionit është përhapur. The Economist analizoi shportat e konsumit të 36 shteteve kryesisht të pasura. Në qershor, 60% e çmimeve në shportën mesatare, u rritën me më shumë se 4% në bazë vjetore.
Tani, shifra është 67%. Edhe në Japoninë me inflacion të ulët, çmimet e një së tretës së shportës, po rriten me më shumë se 4%. Kjo rritje ka ndodhur pjesërisht për shkak të dollarit jashtëzakonisht të fortë, i cili rrit inflacionin, duke i bërë importet më të shtrenjta. Por lidhet më shumë me atë që po ndodh në ekonomitë e brendshme.
Këtu hyn në lojë dimensioni i dytë – pagat. Paga është një udhëzues për rrugën e ardhshme të inflacionit: kur kostot e punës së kompanive rriten, ato priren t’i kalojnë këto kosto te klientët, në formën e çmimeve më të larta. Optimistët e inflacionit vënë në dukje të dhënat nga Amerika, ku ka disa shenja të ngadalësimit të rritjes së pagave. Rritja e pagave në Britani gjithashtu duket se ka arritur tashmë kulmin.
Megjithatë, gjetiu nuk ka shenja të tilla. Një studim i ri nga Indeed, një faqe interneti për vende pune, dhe nga Reamonn Lydon në Bankën Qendrore të Irlandës, tregon se paga nominale në Eurozonë, po rritet me më shumë se 5% në bazë vjetore dhe është ende duke u përshpejtuar. Inflacioni i pagave në Francë “pritet të rritet”, vlerëson banka JPMorgan.
Në Gjermani, IG Metall, sindikatë e madhe për punëtorët e metaleve dhe inxhinierisë, po kërkon rritje pagash deri në 8%. Në Zelandën e Re, Norvegji dhe Suedi, rritja e pagave po vazhdon. Kjo nuk duhet të ndodhë në një kohë kur perspektiva ekonomike është e tmerrshme.
Dimensioni i tretë janë pritshmëritë. Firma e konsulencës Alternative Macro Signals, ka ndërtuar një “indeks të presionit të inflacionit të lajmeve”. Indeksi, i cili ka rezultuar se është një parashikues i mirë i shifrave zyrtare, është ende i lartë.
Dëshmi të ngjashme vijnë nga të dhënat e kërkimit në Google, të cilat tregojnë se interesi global për inflacionin nuk ka qenë kurrë kaq i lartë.
Masat e pritshmërive të bazuara në sondazhe, nuk tregojnë asnjë shenjë të dobësimit të inflacionit. Kompania e të dhënave Cleveland Fed Morning Consult dhe Raphael Schoenle nga Universiteti Brandeis, vlerësojnë pritshmëritë e publikut për inflacionin në vende të ndryshme të pasura.
Sipas sondazhit për muajin tetor, publiku mendon se çmimet do të rriten me 5% gjatë vitit të ardhshëm, ashtu siç ka ndodhur në muajt e mëparshëm (shih grafikun 5).
Pritshmëritë për inflacionin e kompanive janë po aq shqetësuese. Një sondazh nga Cleveland Fed, bazuar në studimet e ekonomistëve Bernardo Candia, Olivier Coibion dhe Yuriy Gorodnichenko, zbulon se firmat amerikane aktualisht parashikojnë inflacion prej 7% gjatë vitit të ardhshëm, niveli më i lartë që nga fillimi i sondazhit në vitin 2018.
Injorancë e dhimbshme
Të gjithë mund të pajtohen për diçka në lidhje me vitin e kaluar. Ai ka treguar se sa keq e kuptojnë ekonomistët inflacionin, duke përfshirë shkakun e tij dhe çfarë e bën atë të vazhdojë.
Prandaj, ka të ngjarë që ekonomistët të kenë vështirësi të parashikojnë se kur do të ftohet inflacioni. Optimistët shpresojnë se çmimet do t’i befasojnë edhe një herë njerëzit dhe se ndoshta, rritja e tyre do të ngadalësohet më shpejt nga sa pritej.
Por duket më e mundshme që inflacioni të jetë kokëfortë, edhe kur ekonomia të ngadalësohet. Kjo do t’i lërë politikëbërësit përballë një zgjedhjeje të zymtë: të shtrëngojnë ekonominë gjithnjë e më shumë, ose t’i lënë çmimet të rriten./monitor/