Në përgjithësi në teoritë ekonomike inflacioni klasifikohet në tre kategori:
1.Inflacioni i moderuar
2.Inflacioni i lartë
3.Inflacioni galopant
Inflacioni galopant është ai lloj i inflacionit ku bëhet rritja e nivelit të çmimeve me një normë 2 apo 3 shifrore (p.sh. 10%-999%).
Inflacioni quhet galopant atëhere kur çmimet në bazë vjetore rriten me përqindje me dy ose tre shifra. Në këtë situatë janë ndodhur shumica e vendeve në tranzicion në fillimin e viteve ’90, pas shthurjes së bllokut të madh komunist në Evropë. Në ambiente ekonomike ku çmimet dyfishohen ose trefishohen në harkun kohor të një viti, problemet janë të shumta dhe jeta e individëve, e firmave, pra e agjentëve ekonomikë në përgjithësi, bëhet shumë e vështirë.
Tek ky lloj i inflacionit besimi tek paraja bie dhe lëkundet prandaj njerëzit i grumbullojn në formën e mallerave, për shembull blejnë shtëpi, ndërtesa apo forma të tjera.
Ky inflacion shoqërohet me prishje të stabilitetit makroekonomik duke çuar në rënien e prodhimit, në përkeqësimin e pozicionit valutor, në shkatërrimin e kursimeve, në dollarizimin e ekonomisë, e në shumë fenomene të tjera negative. Ndërkohë që ekonomia edhe mund të mbijetojë nga një inflacion galopant, nuk ka dyshim se hiperinflacioni për të është një kancer i vërtetë. Përveç të kaluarës së largët, kur Gjermania u godit nga një hiperinflacion i egër – vitet 1922 – 24 – një periudhë të gjatë dhe të vështirë hiperinflacioni përjetuan dhe shumica e ish-Republikave të Bashkimit Sovjetik në fillimin e viteve ’90. /Ekonomia Islame/