Lira turke rikthen vlerën pas njoftimit të mekanizmit të ri të presidentit Erdoğan

Lira turke riktheu pothuajse 40 për qind të vlerës kundrejt dollarit që nga mbrëmë

Ankara

Lira turke riktheu vlerën gjatë natës pasi presidenti Recep Tayyip Erdogan njoftoi mekanizmin e ri financiar për të mbështetur valutën kombëtare, raporton Anadolu Agency (AA).

Masat e reja vijnë pas rritjes së çmimeve dhe kursit të këmbimit, përderisa qeveria turke ndjek “modelin e ri ekonomik” i cili thekson kundërshtimin ndaj interesit të lartë.

Presidenti Erdoğan tha se instrumenti i ri do t’u mundësojë investitorëve të mundshëm në valutat e huaja që të marrin rezultatin e njëjtë nëse i qëndrojnë besnik lirës turke.

Këtë mëngjes, kursi i këmbimit lira/dollar ra në 11,2248 në ora 9:30 sipas kohës lokale, duke rikthyer pothuajse 40 për qind të vlerës kundrejt dollarit që nga mbrëmë.

“Ditë e çmendur”

Timothy Ash, një strateg i tregjeve në zhvillim nga “BlueBay Asset Management” me seli në Londër, komentoi gjithashtu rikthimin “e çmendur”.

“Ditë absolutisht e çmendur në këmbimin valutor turk sot. A ka ende kohë për të arritur vlerën e drejtë 9,50 të Robin Brooks? Nuk mendoj se kam parë ndonjëherë një paqëndrueshmëri të tillë brenda ditës në këmbimin valutor në karrierën time mbi 30-vjeçare”, tha Ash.

Mekanizmi i ri

Qeveria ka argumentuar se rritja e kursit të këmbimit injoroi bazat e forta ekonomike të Turqisë dhe fajin për çmimet e larta e adresoi te grumbulluesit dhe faktorët globalë. Presidenti Erdoğan tha se përfitimet e qasjes së re të Turqisë do të bëhen të qarta në tre deri në gjashtë muajt e ardhshëm.

Ekonomia turke shpesh herë ka befasuar me dinamikat e saj të ndryshme, ndërsa zhvillimet e fundit të jashtëzakonshme po ndodhin që nga e hëna.  /AA/

Artikulli paraprakRritet sasia e mbeturinave industriale
Artikulli tjetërQytetarët e Kosovës mbi 3 mld kredi, mbi 4 mld euro kursime