Vetëm edhe një muaj para përfundimit të vitit 2021, Administrata Tatimore e Kosovës ka njoftuar se ka inkasuar 552.7 milionë euro tatime, të hyra këto të cilat garantojnë realizim të projeksionit për këtë vit, por edhe tejkalimin e tij, bazuar në trendin aktual.
Sipas vlerësimeve të ATK-së, realizimi i të hyrave për këta njëmbëdhjetë muaj ka shënuar rritje për 126.06 milionë euro ose shprehur në përqindje 29.5% më shumë nëse krahasojmë me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Rritje e inkasimit është shënuar edhe në raport me planin e paraparë për 41.6 milionë euro apo 8.2% më shumë.
Një nivel si ky i inkasimit të të hyrave, nga ATK-ja thonë se tregon përkushtimin e jashtëzakonshëm të menaxhmentit të ATK-së dhe stafit të saj, në kryerjen e punës me përkushtim dhe përgjegjësi të plotë, të cilat padyshim se kanë reflektuar arritjen dhe tejkalimin e objektivave.
“ATK falënderon gjithë tatimpaguesit që kanë kryer në kohë obligimet e tyre tatimore dhe që kontribuojnë në qëndrueshmërinë fiskale të shtetit”, përfundon njoftimi. /Buletini Ekonomik/