Morali i botës moderne dhe i fesë
nga Justinian Topulli
Bota moderne i referohet ndjenjave dhe përvojës njerëzore si burimi i vetëm i moralit të saj, sepse sipas saj çdo gjë buron nga njeriu dhe ai është qendra e botës mendore. Bota moderne është imanente, egocentriste, vetëreferenciale, çdo gjë e vërtit rreth vetes ndaj dhe ideali më i lartë i saj është të vetëpërmbushet, të bëhet e vetëmjaftueshme, në një proces që nuk përfundon kurrë, të kthehet në një perëndi, si perënditë greke. Kjo në fakt është dhe joshja me të cilën ligësia e tundoi njeriun e parë duke i thënë: “a të tregojë për pemën e përjetësisë dhe pushtetit që nuk vjetrohet?!”.
Në moralin e botës moderne nuk ka vend për botën tjetër, për jetën e përtejme, për transcendencën, për hyjnoren e përtejshme, ndaj dhe ajo e ka imponuar me ligjërimin e saj njeriun modern që ta përjashtojë nga ndjesitë e tij përjetimin e botës tjetër, shpërblimin dhe ndëshkimin në të, dhe çdo gjë ta lidh me kënaqësinë dhe hidhërimin e kësaj jete, me lumturinë dhe vuajtjen e këtushme, me dëmin dhe dobinë në këtë botë. Në mendësinë e sotme moderne të njerëzve nuk ka vend për Ahiret. Kështu që të predikosh sot fenë vetëm përmes gjuhës moderne që injoron botën tjetër, do të thotë të laicizosh fenë në thelbin e burimit të saj, ta kthesh atë në një fe tokësore, humaniste, në një ideologji moderne që premton vetëm parajsën e kësaj bote, qoftë kjo edhe vetëm si përjetim shpirtëror.
Krishterimi biblik paulian iu kundërvu ëndrrës dhe kërkesës judaike për pushtetin e kësaj bote me mbretërinë e botës tjetër, me atë që e priste njeriun në jetën e përtejme duke mohuar çdo lidhje me këtë botë, të cilën e konsideroi të sunduar nga djalli. Pas shekujsh të tërë kjo mendësi e skajshme u thërrmua nga përvoja e krishterimit historik, realiteti material dhe sigurisht ideologjia humaniste moderne, që mohoi çdo lidhje me botën tjetër.
Islami ndërkohë në mësimet dhe praktikën e tij nuk e mohoi kurrë realitetin e kësaj bote dhe rëndësinë e përjetimit në të, por si fe transcendente për të bota tjetër vjen si burim i parë i moralit dhe më e rëndësishmja. Është kjo një nga arsyet pse Islami vazhdon t’i rezistojë mrekullisht moralit të botës moderne dhe sprovës së saj shekullarizuese, sepse ai natyralizon moralin që buron nga e përtejshmja me atë të këtushëm. Por kjo nuk do të thotë se shumë prej muslimanëve nuk do të jenë pre e ideve të botës moderne, në mënyrën sesi e konceptojnë besimin dhe fenë e tyre dhe si e predikojnë atë.
Beteja e koncepteve është më e vështira, më e gjata dhe më sfilitëse se çdo përballje tjetër, ajo nuk përfundon asnjëherë, nëse injorohet nuk rrezikohet vetë Islami, sepse atë e ruan Zoti, por shumë prej njerëzve rrezikojnë të humbasin kuptimin e vërtetë të fesë dhe thelbin e saj të përtejmë.