ATK tejkalon planin e të ardhurave me rreth 24 milionë euro

Administrata Tatimore e Kosovës ka bërë të ditur se është duke vazhduar trendi i rritjes së të ardhurave, ku nga muaji janar deri në maj 2021 është arritur që të inkasohen 23.9 milionë euro më shumë së parashikimi.

Në njoftimin e ATK-së thuhet se nëse krahasohen parametrat e njëjtë me vitin paraprak kanë arritur të kenë performancë tejet premtuese, duke rritur inkasimin për 56.8 milionë euro.

“Institucioni ndër më të rëndësishmit në mbushjen e buxhetit të shtetit deri më tani (janar-maj 2021) ka mbledhur tatime në total 242.9 milion euro, kjo ecuri e deritanishme e bënë ATK-në dhe stafin e saj edhe më vigjilent, në realizimin e objektivave të saj, të cilat në masë të madhe janë me karakter të modernizimit dhe avancimit të mëtutjeshëm të shërbimeve ndaj tatimpaguesve”.

ATK synon që në pjesën e dytë të këtij viti të vazhdoj me reforma në procese si atë të hartimit dhe zbatimit të planit për përmirësimin e regjistrit të tatimpaguesve / deklaratave tatimore, implementimin e Strategjisë së Kontrollit 2020-2022, si dhe modernizimin e DTM-së.

Gjatë ditës së djeshme edhe Dogana e Kosovës ka treguar se për herë të parë që nga themelimi në këtë periudhë të vitit ka tejkaluar shumën e mbledhur prej 500 milionë euro të ardhura për buxhetin e Republikës së Kosovës.

Në një njoftim për media nga Dogana thonë se krahasimi me vitin e kaluar tregon që dogana ka mbledhur 27.6% më shumë apo shprehur në terma financiar, shumën prej 108,5 milion më shumë sesa e njëjta periudhë e vitit paraprak.

Ky trend krahasues ka shënuar rritje të konsiderueshme gjatë muajit Maj dhe tregon tendencë të rritjes edhe ditëve vijuese.

Artikulli paraprakPërfitoi mbi 400 mijë euro nga mashtrimi online, ndër viktimat edhe kompani shqiptare
Artikulli tjetërBitcoin pritet të institucionalizohet