Nga Facebook tek Uber, kompanitë teknologjike po përgatiten të rihapin zyrat

Duke qenë se numri i të vaksinuarve në Shtetet e Bashkuara vijon të rritet, kompanitë kryesore teknologjike, të cilat ishin të parat që aplikuan punën në distancë në fillim të pandemisë, thonë se do të rihapin zyrat me kapacitet të kufizuar në muajt e ardhshëm.

Uber dhe Microsoft njoftuan javën e kaluar se do të rihapin selinë e tyre më 29 mars. Uber thotë se punonjësit mund të kthehen në mënyrë vullnetare deri sa selia të arrijë 20% të kapacitetit.

Gjiganti i software Sap deklaroi për Silicon Valley Business Journal se parashikon të rihapë zyrat në “javët e ardhshme”, ndërsa Facebook njoftoi se do të çelë selinë e vet në Menlo Park më 10 maj, me kapacitet deri në 10%, konfirmoi një zëdhënës.

Sipas Silicon Valley Business Journal, Cisco e Intel do të qëndrojnë të mbyllura deri në korrik e gusht.

Në një “talk” në Clubhouse, Coo i Salesforce dhe presidenti Bret Taylor thanë të enjten e javës së kaluar se kompania do të rihapë zyrat “së shpejti”, edhe pse një zëdhënës tha për San Francisco Chronicle se shoqëria nuk ka një afat të saktë.

Google deklaroi në dhjetor se punonjësit do të rikthehen në zyrë në shtator 2021. Njoftimi vjen pasi disa qarqe të ndryshme në San Francisco Bay Area në Kaliforni janë rihapur në një nivel “portokalli”, duke lejuar rihapjen e aktiviteteve jothelbësore deri në 25% të kapacitetit. (Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, njoftoi edhe se shteti do të nisë vaksinimin për të gjithë të rriturit mbi moshën 16 vjeç, nga 15 prilli).

Pandemia ka ndryshuar mënyrën se si kompanitë kryesore teknologjike do t’i qasen punës pas pandemisë. Mark Zuckerberg parashikon se gjysma e forcës së punës së Facebook do të punojë në distancë brenda vitit 2030, edhe pse punonjësit në smart working që do të transferohen në zonat ekonomike do të përballen, me shumë gjasa, me një reduktim të pagës.

Si Salesforce dhe Microsoft pohojnë se do të prezantojnë një model pune hibrid, ku punonjësit do të shkojnë në zyrë vetëm disa ditë të javës (edhe Google do të eksperimentojë një program të ngjashëm). Twitter, Square, Dropbox e Coinbase janë vetëm disa prej kompanive më të mëdha që do t’u krijojnë mundësinë punonjësve të punojnë nga shtëpia në mënyrë të përhershme.

Në një talk në Clubhouse, presidenti i Salesforce, Bret Taylor, tha në qershor 2020, se 23% e forcës së punës së kompanisë donte të kthehej në zyrë në njëfarë mënyre. Tani ky numër është rritur në 72%, me shumicën dërmuese të punonjësve se duan të kthehen të paktën një herë ose dy herë në javë.

*Rachel Sandler
Burimi: Forbes

Artikulli paraprakNis rritja reale e BPV-së
Artikulli tjetërFokus, këmbëngulje dhe kontroll: Neuroshkenca zbulon se si arrihen qëllimet e mëdha