Drejtimi është arti që i nxit punonjësit të bëjnë atë çfarë drejtuesi kërkon të bëhet. Detyra e parë e një drejtuesi është optimizmi. Si ndihet një punonjës pasi të ka takuar? Ndihet i lehtësuar? Nëse jo, atëherë nuk je një drejtues.
Nuk u duhet thënë punonjësve se si të veprojnë, por u ndahen detyrat dhe mbetemi në pritje që të mrekullohemi me rezultatet e tyre. Ajo që është e rëndësishme, nëse duam që të dëgjohemi, më parë duhet të dëgjojmë dhe të kuptojmë atë që nuk thuhet. Punonjësi duhet dëgjuar gjithmonë dhe i duhet dhënë vazhdimisht feedback. Duhet ndërtuar një kulturë mirënjohje, ku punonjësit të ndihen të vlerësuar për çdo punë të vogël që përfundojnë.
Mos kundërshto. Dëgjo dhe gjej vlerën tek ato që të thotë bashkëbiseduesi; mos dëgjo për të kuptuar nëse je apo jo dakord. Sa herë që kundërshton dikë, e bën të ndihet i paaftë dhe si pasojë nuk do jetë i motivuar. Një drejtues duhet të mbajë 100% përgjegjësi për çdo gjë që ndodh në kompani dhe jo të fajësojë punonjësit, kështu ata do ndihen më të motivuar.
Një menaxher i mirë duhet të bëjë pyetjet e duhura që çojnë drejt ideve të reja për shitjen, si p.sh: Si t’i kthejmë punonjësit në miq të klientëve? Si mund ta shpërblejmë një punonjës kur sjell një klient? Cilat janë disa nga mënyrat për t’i nxitur punonjësit të jenë entuziast për shtimin e shitjeve?, etj.
Menaxhimi i ndryshimit është shumë i rëndësishëm në kompani dhe kur bëhet një ndryshim, punonjësit kalojnë përmes 4 stadeve të një cikli. Drejtuesi duhet të jetë i qartë se si ta kontrollojë këtë kalim.
CIKLI I NDRYSHIMIT
- Kundërshtimi: S’besoj se kjo funksionon.
- Ndërgjegjësimi i ulët: Nuk dua të merrem me këtë.
- Kërkimi: Si mund të më hyjë në punë ky ndryshim?
- Blerja: Kam kuptuar si mund të më shërbejë mua dhe të tjerëve.
Shpesh punonjësve u duhet një kohë relativisht e gjatë që të kalojnë 3 stadet e para.
Punonjësve u parapëlqen më shumë të frymëzohen prej drejtuesit se sa të marrin kritika apo korrigjime dhe ai duhet të bëhet shembull për ta. Ata motivohen nga liderat tek të cilët besojnë dhe nëse dikush nuk mban qoftë dhe premtimet e vogla, humbet besimi dhe bie motivimi. Punonjësit motivohen shumë pranë një drejtuesi me qëndrueshmëri të brendshme dhe vetëvlerësim.
Nga një studim i fundit në Amerikë, menaxherët shpenzojnë 70% të kohës duke u marrë me punonjësit joproduktivë për përmirësimin e performancës së tyre, por kjo nuk është produktive për gjithë grupin. Më shumë produktivitet sjell nëse harxhohet më tepër kohë me punonjësit produktivë, p.sh nëse një si ky i fundit shet 10 njësi X dhe përmirësohet me 150 %, ai do shesë 15 njësi, por një joproduktiv që shet 4 njësi X, me një përmirësim të tillë do shesë 6 njësi. Pra, kemi 5 njësi më shumë nga i pari dhe 2 njësi më shumë nga i dyti, që do të thotë që punonjësi produktiv i sjell më shumë produktivitet gjithë skuadrës.
Te punonjësi duhen kultivuar pikat e forta dhe jo të harxhohet kohë duke u fokusuar te pikat e dobëta. Harv Eker (mentor i famshëm biznesi), thotë se atje ku përqëndrohesh, atje do rritesh. Nuk ka mënyrë më të mirë për të motivuar të tjerët, se sa kur u thua që vlejnë para syve tuaj. Çdo njeri kur ndihet i rëndësishëm, i dobishëm, jep më të mirën e vet. “Drejtuesit e mirë i bëjnë punonjësit të ndihen në zemër të çështjeve. Çdokush ndihet sikur ka ndikim në suksesin e organizatës. Kur ky arrihet, punonjësit ndihen të vlerësuar dhe puna e tyre merr kuptim.”
Një nga mënyrat më të mira për t’i motivuar të tjerët, është t’u japësh më shumë gjëra interesante për të bërë. Gjithashtu, duhen matur dhe rezultatet herë pas here dhe punonjësit të dinë se ku janë. Sa më shumë që maten gjërat, aq më të motivuar janë punonjësit për të vepruar me maturi.
Që të motivosh punonjësit, duhet të jesh i qetë. Një kapiten i trembur frikëson gjithë ekuipazhin. Nuk duhet të jesh nervoz dhe për këtë duhet të çlodhesh. Një drejtues nuk duhet të shfaqet i tensionuar, sepse kjo ndjenjë transmetohet dhe tek të tjerët. Nëse do të entuziasmosh skuadrën tënde, duhet të jesh entuziast. Entuziasmi është ngjitës dhe kështu të tjerët do ndihen më të motivuar. Nëse nuk di të jesh, bëhu aktor.
Herë pas here duhen dëgjuar punonjësit sepse kështu mund të motivohen. Çdo komunikim mes menaxherit dhe punonjësit është një mundësi për të zgjuar optimizmin. Edhe nëse mund të të sulmojnë sepse je optimist, kjo do të jetë arsyeja pse skuadra do të dojë aq shumë. Kur u flet pjesëtarëve të skuadrës, kushtoji vëmëndje rezultateve përfundimtare dhe jo përpjekjeve që duhen për t’i arritur ato. Sigurohu që t’i lavdërosh ato më shumë se çdo gjë tjetër, sepse nëse fokusoheni vetëm tek përpjekjet, ato jo gjithmonë do sjellin rezultatin e dëshiruar. Steve Chadler në librin e tij “100 mënyra për të motivuar punonjësit” thekson se gjithçka që ti lavdëron, rritet. Gjithmonë. Ky është ligji i të korrave.
Kur kupton se ajo që po bëjnë punonjësit nuk është në nivelin që dëshiron, tregoju si duhet të veprojnë. Që vërtet të motivosh, fol më pak dhe vepro më shumë. Duhet të jesh shumë bindës në atë që bën dhe thua. Kur bën veprime të rrëmujshme dhe kur përcjell mendësi krize nuk je bindës.
E mbyllim me parimin më të rëndësishëm të motivimit: Do të marrësh atë që do të japësh. Shpenzo 10 minuta çdo fund dite. Merri në telefon, dërgoju e-mail, shpërbleji me fjalë. Bëje rutinë. (Shpesh shpërblimet verbale apo të shkruara, krahasuar me shpërblimet financiare apo dhuratat, e frymëzojnë më shumë një punonjës që të arrijë më shumë rezultate.) /BM/