Vaksinat DAX. Një fushatë e ngadaltë e vaksinimit publik nxit Deutschland AG në veprim
Gjermanët janë mësuar të jenë të parët e klasës, shkruan The Economist. Në fillim të pandemisë, kur Gjermania kontrolloi përhapjen e saj më mirë se shumica e Perëndimit, ata menduan se ishin vërtet.
Po, në vaksinimin e qytetarëve kundër COVID-19, vendi ka qenë i ngadaltë. Një në 20 veta është vaksinuar, krahasuar me gati një të tretën e britanikëve, një të gjashtën e amerikanëve dhe, siç ankohet kohët e fundit e përditshmja Die Welt, madje edhe një të dhjetën e marokenëve.
Shefat gjermanë po humbasin durimin. Shumë punëtorë në firmat industriale që dominojnë Gjermaninë e korporatave, janë të prekshëm nga COVID-19, sepse punët në fabrikë ose ndërtim nuk mund të kryhen nga shtëpia. Për këtë arsye, pothuajse të gjitha ndërmarrjet kryesore në indeksin e tregut të aksioneve, si dhe shefat ekzekutivë të firmave më të vogla, po përgatiten të mobilizohen për të imunizuar punonjësit. Ato përfshijnë BASF dhe Bayer (farmaceutike), BMW dhe Volkswagen (prodhim makinash), Deutsche Wohnen dhe Vonovia (zhvillim i pronës) dhe RW (energji).
Vaksinat do të jepen nga qeveria, e cila ka dozat, por me sa duket jo aftësinë për t’i injektuar ato shpejt në krahë. Firmat po blejnë frigoriferë ultra të ftohtë për dozat që kanë nevojë për ruajtje të tillë. Injektimet do të administrohen nga mjekët e ndërmarrjeve. Gjermania ka midis 15,000 dhe 20,000 prej tyre (pa llogaritur infermierët), shumë më tepër se vendet e tjera të Bashkimit Europian, Amerika ose Britania. Rreth një e treta e tyre janë të punësuar drejtpërdrejt nga firmat dhe pjesa tjetër, kanë praktika që u shërbejnë punëdhënësve në zonën e tyre.
Anette Wahl-Wachendorf nga VDBW, një shoqatë e mjekëve të ndërmarrjes, shpreson që nga prilli, mjekë të tillë do të jenë në gjendje të shpërndajnë dozat te mjekët e familjes dhe 400 qendrat publike të vaksinimit. Ata mund të arrijnë ndoshta 45 milionë punonjës dhe të afërmit e tyre, llogarit ajo. Kjo është më shumë se gjysma e së gjithë popullsisë gjermane.
“Sapo të marrim vaksinën, do të fillojmë”, premton Rolf Buch, shefi i Vonovia. Firma e tij ka ngritur qendra të cilat, duke nisur nga ky muaj, do të testojnë punonjësit që dëshirojnë të kthehen në zyrë. Këto vende do të përdoren për të vaksinuar 10,000 punonjës dhe pjesëtarë të afërm të rritur të familjes së tyre, në përputhje me udhëzimet zyrtare se cili merr përparësi.
Ligji gjerman i Punës i lejon ndërmarrjet të japin shpërblime për punëtorët që vaksinohen për ndonjë sëmundje (megjithëse jo në këtë kohë për ta bërë të detyrueshëm vaksinimin). Shpërblime të tilla janë të zakonshme në Amerikë, ku Aldi dhe Lidl, dy supermarkete të mëdha gjermane, u ofrojnë punëtorëve pagesa deri në 200 dollarë për të përveshur mëngët.
As Grocer, apo ndonjë firmë tjetër e madhe gjermane, aktualisht nuk po planifikon të përdorë stimuj të tillë në Gjermani, nga frika e polemikave që kjo mund të shkaktojë. Sidoqoftë, zoti Buch pret që shumica dërrmuese e stafit të tij të pranojnë ofertën e vaksinimeve falas. Ata që nuk pranojnë, mund të nxiten nga festat në zyrë dhe aktivitete të tjera në grup.
Pasi të përfundojë me punonjësit e kompanisë Vonovia dhe familjet e tyre, zoti Buch është i gatshëm t’i ofrojë qendrat e kompanisë për përpjekjet e përgjithshme të vaksinimit. Shefat e tjerë po nisin me popullatën më të gjerë. Në fillim të dhjetorit, përpara se vaksinat e para të miratoheshin për përdorim nga BE, biznesmenët në Bremen, qytet në Gjermaninë Veriperëndimore, nisën një fushatë për të kthyer një qendër ekspozite pranë stacionit hekurudhor qendror në një vend gjigant vaksinimi.
Kurt Zech, manjat i hoteleve dhe ndërtimit, kontribuoi me stafin e tij. Mercedes, prodhues makinash, mundësoi tavolina dhe karrige. Një kompani tjetër dhuroi laptopë. Një firmë softuerësh adaptoi programet e saj për përdorim në një Call Center që ndihmon banorët të caktojnë takimet.
Falë nxitjes së biznesmenëve në Bremen, deri në 16,000 banorë të Bremenit do të vaksinohen në ditë, dhjetë herë më shumë sesa kishte planifikuar qeveria lokale. Qëllimi i tyre është që 70% e të rriturve të qytetit të vaksinohen deri në fund të korrikut, disa muaj përpara parashikimit të qeverisë.