Kopshti i urtësisë – Mjeshtëria

“Kërkimi i diturisë është njëra nga taktikat për të arritur te lumturia dhe mirëqenia”

Xhim Ron (Jim Rohn)

Motori i anijes u prish dhe kapiteni u përpoq me çfarë pati në dorë që ta ndreqte, përfshirë këtu edhe kërkimin ndihmë nga të tjerët, por të gjitha përpjekjet i dështuan. Një ditë, ndërsa kapiteni po diskutonte me njërin nga ndihmësit e tij për të njëjtin problem, një person u afrua pranë tij dhe i tha: “Më fal për shqetësimin, por kam vënë re se anija juaj ka dhjetë ditë e prishur, dhe kureshtja më shtyu të pyesja njërin nga ekipi i ekuipazhit, i cili më tha se motori është prishur dhe ka nevojë të rregullohet. A ke akoma nevojë për ndihmë që ta rregullosh?

Pa u menduar dy herë, kapiteni tha: Po, por pse po pyet?… Burri ia ktheu duke i thene: “Unë mund ta rregulloj atë.”…

Në fytyrën e kapitenit u shfaq habia, sepse ky person nuk dukej të ishte ekspert motorësh…

Kapiteni e shoqëroi burrin për te motori i anijes, e la aty të punonte i qetë dhe e po e vëzhgonte nga larg… Ai burri nxori nga xhepi i tij një çekiç të vogël, dhe filloi të trokiste mbi motor, pastaj filloi ta shikonte në vende të ndryshme motorin. Në fund, ai trokiti mbi një pjesë të caktuar të motorit dhe filloi të shtrëngonte një vidë që nuk kishte qenë e mbërthyer mirë. Kapiteni i anijes mbeti i habitur kur motori i anijes filloi të punonte përsëri. U gëzua pa masë dhe e pyeti burrin: “Si munde ta bësh këtë?”

Burri ia ktheu me buzëqeshje, duke i thënë “mjeshtëria” dhe i dha kapitenit një letër, ku shkruhej vetëm një numër “Një mijë dollarë” …

Kapiteni e mori letrën dhe tha: “Një mijë dollarë për dhjetë minuta punë që bëre? Të lutem, ma sqaro pak!”

Burri ia ktheu: “Me kënaqësi!”, dhe i dha një letër tjetër ku shkruhej: “Një dollar në këmbim të trokitjeve me çekiç mbi motor dhe 999 dollarë, sepse unë e dita vendin se ku duhej të trokisja.”

Këtu shohim se mjeshtëria e këtij burri i solli njëmijë dollarë në dhjetë minuta.

Ka njerëz që thonë se nuk ka lidhje mes suksesit, njohurisë dhe mjeshtërisë, por se është punë fati… Një fjalë e urtë thotë: “Fat më jep dhe në det mëhidh!”, që nënkupton se nëse më ndjek fati, unë do ta gjej mënyrën që të shpëtoj. Por më lejo të të them: “Nëse të hedh vërtet në det, dhe ti nuk di të notosh, ta siguroj se ti do të jesh një vakt i shijshëm për peshqit.”

Tregohet për një nëpunës të ri që poqëndronte përpara një aparati, i cili grimcon letrat që duhen asgjësuar dhe në fytyrë i vërehej mëdyshja dhe konfuzioni. Një nga sekretaret kaloi andej dhe e pyeti: “Ke nevojë për ndihmë?”

Ai ia ktheu: Po. Si punon kjo makineri?

– Kjo është mjaft e thjeshtë, -tha ajo. Ia mori raportin shumë të rëndësishëm që ai mbante në dorë dhe e futi në makineri, e cila filloi ta copëtonte letrën…

– Ndërsa nëpunësi i ri po shikonte i shastisur, a thua se po shikonte ndonjë mister, i tha sekretares: Faleminderit shumë, por a mund të më tregosh tash ku dalin fotokopjet e këtij raporti?

Ligjëruesi botëror dhe autori amerikan Xhim Ron, thotë: “Prania ose mosprania e diturisë, mund t’i japin formë së ardhmes sonë”.

Francis Bacon thotë: “Dituria është fuqi”.

Sa më shumë dituri të kesh, aq më i dalluar bëhesh ndër njerëz, të cilët të pyesin për mendimin që ke ti për problemet e tyre dhe që presin këshillën tënde.

Ralf Ualdo Emerson thoshte: “Nëse dikush mund të shkruajë një libër, më mirë se është shkruar, ose të këshillojë në një mënyrë më të mirë, ose deri edhe nëse di të bëjë një çark për minjtë, më të mirë se ai që ka komshiu i tij, pastaj ta ndërtojë shtëpinë në tokat e largëta, derisa atje do t’i vijnë atij njerëzit për të marrë dituri prej tij.”

Njohuria është fuqi. Në varësi të njohurive që ke, aq do të jesh krijues dhe do të kesh më shumë shanse që të bëhesh i lumtur dhe i suksesshëm… Me njohuri, rritet shkalla e inteligjencës sate dhe mendja jote hapet për horizonte dhe fusha të reja.

Njohuria është dy llojesh: njohuria e një gjëje, ose njohuria e burimit të informacioneve rreth asaj gjëje.

Unë personalisht mendoj se ne mund të mësojmë prej çdo personi, prej çdo gjëje dhe në çdo vend… Unë kam mësuar shumë nga shkolla dhe mendova se kjo do të mjaftonte, pastaj mësova nga universiteti dhe mendova përsëri se kjo do të ishte mjaft, por zbulova se të mësuarit është një proces i vazhdueshëm përgjatë tërë jetës, që nuk ndalon për sa të jemi gjallë, dhe se çdo ditë ekziston mundësia për të mësuar më shumë dhe për të arritur një jetë më të mirë. Prandaj, unë nuk e lë të më shkojë kot asnjë mundësi që më jepet për të mësuar diçka të re, derisa edhe nga Seli, qeni im i vogël, kam mësuar që të dua pa kushte dhe si të luaj dhe të pi shumë ujë vazhdimisht… Kurse Princi dhe Bianka, dy macat e nga vajzave të mia, kam mësuar se si të jem i pavarur dhe të ndaj një kohë për lojë e për çlodhje… Ndërsa nga Kiko, papagalli i bashkëshortes sime, Amal, kam mësuar të jem i kënaqur me ato që kam… Nga pesë breshkat që ka vajza ime Nermin, kam mësuar kuriozitetin.

Nga natyra, kam mësuar se është e pamundur që një gjendje të vazhdojë gjatë pa ndryshuar, dhe se shpresa për një të nesërme më të mirë vjen me lindjen e diellit… Përpjekjen, durimin dhe vendosmërinë, e kam mësuar nga milingonat, të cilat nuk pushojnë së punuari… Gjithmonë mbaj me vete, në xhep, një bllok të vogël dhe një stilolaps, që të shkruaj çfarëdo idesh të reja që më vlejnë, në çdo vend që të jem, kudo në botë.

A e di se tani, në këtë kohë që jemi, më shumë se në çdo kohë tjetër të mëparshme, i kemi të gjitha rrugët dhe mjetet për të marrë njohuri, si me anë të ligjëratave, të studimeve online, të studimeve me korrespondencë, të studimeve akademike, nëpërmjet të cilave mund të marrësh deri edhe diplomë doktorature… Pra, për marrjen e njohurive sot, gjenden rrugë të shumta dhe të shumëllojshme.

Më lejo të të bëj këtë pyetje: A ke makinë?… Nëse përgjigjja është “po”, a e dëgjon radion e makinës dhe a ndodh që aty të dégjosh ndonjë këngë emocionuese, e cila të kujton një person i cili ta ka plagosur zemrën në të kaluarën?.. Dhe sa herë e dëgjon këtë këngë, ndikohesh edhe një herë deri në atë pikë sa të shkosh në punë në një gjendje depresioni, dhe nëse takon ndokënd, i cili shpejton të të përshëndesë duke të uruar një ditë të lumtur, ti ia kthen me nervozizëm: Të lutem, më lër të qetë! Prej nga mund të më vijë lumturia?

Ne kalojmë shtatëqind orë në vit, mesatarisht, në makinë. I kalojmë ato orë në luftë me trafikun, ose duke dëgjuar këngë emocionuese të pikëlluara, ose duke dëgjuar lajme stresuese. Në vend që ta shfrytëzojmë këtë kohë, ne e ekspozojmë veten tonë ndaj një vale stresi të jashtëm, gjë e cila na e shton gjendjen e tensionit dhe të ankthit, ndërkohë që mund ta përdorim kohën të cilën e kalojmë në makinë, në një mënyrë produktive… Një sasi prej shtatëqind orësh në vit, të mjafton të dëgjosh dhe të mësosh se si të jesh entuziast, si të kesh energji të lartë, si ta rritësh përqindjen e shitjeve, si t’i përmirësosh aftësitë e tua në artin e marrë dhënieve dhe të këmbimit të informacioneve, si t’i menaxhosh çështjet sipas një mënyre më të mirë, ose si të jesh një baba më i mirë ose një nënë më e mirë për fëmijët e tu… Kjo sasi prej shtatëqind orësh, është koha e mjaftueshme që një personi i nevojiten për të marrë një diplomë në menaxhim… Pra, nëse ti e nget makinën tënde për dhjetë vjet, është e mundur të marrësh gradën e doktoraturës falas.

Unë personalisht mbaj në makinën time më shumë se tridhjetë programe të ndryshme, dhe sa herë marr rrugë për udhëtim, drejt çfarëdo vendi, unë i përdor këto programe, për të pas uruar veten time me kulturë dhe me njohuri.

Më lejo të të bëj një pyetje tjetër… A të pëlqen të lexosh?… Kur ua bëj këtë pyetje të pranishmëve në ligjëratat e mia, shumica e tyre thonë që “po”… Pastaj i pyes: Sa prej jush kanë blerë libra, por që nuk i kanë lexuar kurrë?… Përgjigjja sqaron se kjo ndodh te më shumë se 40% e të pranishmëve, ngaqë nuk kanë mjaftueshëm kohë për t’i lexuar.

Një kërkim i bërë në Amerikë, doli me rezultatet se të rinjtë në moshën e adoleshencës, kalojnë rreth tridhjetë e nëntë orë në javë për para televizorit, ndërsa moshat e rritura, kalojnë rreth 30 orë në javë… a e imagjinon?!

Kjo tregon se shumicën e njerëzve, gjëja që më së shumti i mban të zënë, është të shikuarit programe televizive, pastaj shumë prej tyre ankohen se nuk janë të suksesshëm dhe se nuk kanë kohë për të lexuar… Po ta përdorësh këtë kohë për të mësuar dhe për të perfeksionuar mjeshtëri të reja, është mjaft e mundur që ti të bëhesh i pasur dhe i lumtur, sepse kudo që të punosh, pronari i punës nuk të jep para në këmbim të kohës sate, por të paguan për vlerën që koha jote ka. Prandaj, ka njerëz, që të ardhurat e tyre arrijnë një numër gjashtëshifror, ndërkohë që ka të tjerë, të cilët marrin një pagë të nivelit më të ulët.

Në një nga ligjëratat e mia në Otava, në Kanada, njëra nga të pranishmet më tha: “Unë e humba punën time, ku punoja në një restorant të madh. Puna në restorante është mjaft e vështirë dhe besoj se nuk më përshtatet.”

Unë e pyeta: “Ku ke studiuar për t’u bërë e kualifikuar të punosh në restorante?”… Përgjigja e saj ishte: “Nuk kam studiuar, sepse kjo lloj pune nuk ka nevojë për studim dhe nuk ka sekrete.”

Unë e pyeta përsëri: “A ke lexuar libra në fushën e restoranteve?”

– Jo, – tha ajo.

A ke marrë pjesë në ndonjë trajnim, apo – seminar apo edhe ligjëratë në lidhje me këtë fushë?- e pyeta unë.

– Jo,-tha ajo përsëri.

Ajo që më habiti mua vërtet, ishte se si ajo nuk arrinte ta kuptonte se pse e kishin larguar nga puna.

Ti je në gjendje t’i rritësh të ardhurat për vete, duke zgjeruar rrethin e njohurive të tua që ke, dhe kjo nëpërmjet vlerës së shërbimeve që mund të ofrosh… Unë personalisht, vazhdimisht kam punuar për ta rritur nivelin e studimeve dhe nivelin e mjeshtërive të mia, prandaj arrita të kem njëmbëdhjetë ngritje në punë, arrita të bëhem drejtor i përgjithshëm, dhe të ardhurat e mia u shumëfishuan shtatë herë, në më pak se tetë vjet.

Ka njerëz që shpenzojnë shumë para në ushqime e pije të llojllojshme, në cigare, makina, rroba e gjëra të tjera që të japin kënaqësi, por nuk investojnë për zhvillimin e mendjes së tyre.

Që të kesh një të nesërme më të mirë, nxito që sot për të blerë CD që përmbajnë programe, dhe lëri ato të qëndrojnë gjithmonë në makinën tënde, me qëllim që të përfitosh sa më shumë nga ato shtatëqind orë që të humbasin çdo vit… Përveç kësaj, lexo të paktën njëzet minuta çdo ditë!…

Një fjalë e urtë kineze thotë: “Leximi për mendjen konsiderohet si sporti për trupin.” Fransis Bacon thoshte: “Leximi e bën të plotë njeriun”… Një njeri që nuk lexon, nuk ka nivel më të lartë se ai që nuk di të lexojë fare… Mëso gjithçka që ka të bëjë me fushën e punës sate, që të bëhesh i veçantë në çdo gjë që ti bën. Duhet të marrësh pjesë në trajnime, seminare dhe ligjërata, të shikosh programe edukuese, të dëgjosh CD edukative dhe të lexosh sa më shumë… Do të zbulosh se ti do të krijosh gjithmonë ide të reja dhe do të arrish të kesh informacione të shumta. Mëso një gjuhë të re… Unë personalisht kam mësuar të flas, të lexoj dhe të shkruaj në tri gjuhë, lexoj pesë libra në javë dhe dëgjoj të paktën dhjetë audio libra në javë… E gjitha kjo bën që të jem në kontakt me njerëz të mëdhenj, të cilët e kanë kaluar jetën duke shkruar libra.

Një filozof japonez thoshte: “Të ulesh nën dritën e qiriut, me një libër të hapur përpara teje, duke biseduar me persona nga breza që ti nuk i ke përjetuar, është një kënaqësi që nuk ka të krahasuar.”

Pas pesë vjetësh që tani, ti do të jesh i njëjti person, por e vetmja gjë që do të ndryshojë do të jenë librat që do të lexosh, njerëzit që do të takosh ose koha që do të pakësohet nga jeta jote.

Tani po të prezantoj recetën sipas të cilës ti mund të arrish në nivelet më të larta të njohu rive dhe të mjeshtërisë:

1. Përfito nga koha jote, duke blerë dhe dëgjuar audio libra, dhe dëgjoji vazhdimisht ato! Ato gjenden kudo dhe çmimet e tyre janë të arsyeshme.

2. Blej një libër të autorit tënd të preferuar, dhe lexo në fushën e biznesit, të motivimit dhe të energjisë njerëzore…! Lexo të paktën njëzet minuta në ditë! Mund ta anashkalosh një vakt pa ngrënë, por mos e anashkalo leximin në kohën e caktuar për të!

3. Merr pjesë, të paktën, në dy seminare në vit!

4. Mëso një gjuhë të re…! Mëso çdo ditë një fjalë të re nga fjalori, dhe gjatë një viti, niveli i njohurive tua të përfituara do të rritet në mënyrë të mahnitshme.

5. Vërja vetes qëllim që të bëhesh i shkëlqyer në punën që bën, dhe të jesh i gatshëm gjithmonë, për çdo punë të përshtatshme… Njerëzit e suksesshëm punoj në me përkushtim, të paktën 10 deri në 12 orë në ditë, ndërsa ti, punon 8 orë në ditë për mbijetesë… Çdo orë shtesë që ti bën, do të jetë investim për të ardhmen tënde dhe për zhvillimin e saj.

6. Zgjohu gjithmonë herët në mëngjes, gjysmë ore para orarit tënd të zakonshëm, përdore këtë kohë për shpikjen e ideve të reja, dhe quaje këtë kohë “koha e ideve”. Çdo ide të re e të dobishme që të vjen në mendje, shkruaje. Bëj një përmbledhje të të gjitha këtyre ideve dhe fillo t’i vësh në zbatim ato të cilat të afrojnë më shumë në realizimin e qëllimeve të tua. Viktor Hygo ka thënë: “Është e mundur t’i rezistosh luftës kundër ushtrive, por nuk mund t’i rezistosh dot asnjë ide je të cilës i ka ardhur koha të zbatohet.”

7. Gjithmonë mbaje afër shtratit tënd një bllok të vogël dhe një stilolaps, dhe shkruaje çdo ide të rëndësishme që të vjen në mendje, sepse ajo është dhuratë nga mendja jote e brendshme.

8. Çdo ditë pyete veten: “Çfarë mund të bëj sot, që ta përmirësoj nivelin e jetës sime?”

9. Para gjumit, duhet bërë puna që vijon:

Pyete veten se a e ke përdorur ditën tënde në mënyrë inteligjente?

Nëse do të mund ta jetoje edhe një herë këtë ditë, çfarë do të bëje ndryshe nga ajo që ka ndodhur në realitet?

Kërko nga mendja jote e brendshme të gjejë rrugë të reja për përmirësimin e mjeshtërive të tua!

Përdore këtë recetë, dhe do të arrish në nivelet më të larta të njohurive. Bëje atë që duhet bërë, e do të zbulosh se ti do t’i ngjisësh shkallët e suksesit dhe do të jesh në mesin e 3% më të mirëve në botë. Shijoji këto përpjekje të tuat drejt suksesit, dhe vërtet do të arrish në gjendjen më të mirë të mundshme nga ana jote.

Dhe kujto gjithmonë:

Jetoje çdo çast sikur të ishte çasti i fundit i jetës sate…!

Jeto me besim! Jeto me shpresë!

Jeto me dashuri! Jeto me përpjekje

dhe çmoje vlerëne jetës!

Artikulli paraprak51 stacionet hekurudhore më të mira në Europë
Artikulli tjetërRruga drejt suksesit – Imagjinata