Ekuilibri ‘punë – jetë’ i së ardhmes do të rikrijojë modelet e biznesit

Drejtuesit e kuptuan më së fundi që njerëzit mund të punojnë mirë edhe nga shtëpia, duke shfrytëzuar mundësinë për të punuar për objektiva dhe jo për orë të tëra

 

Disa vite më parë, shumë kandidatë vendosnin të ndryshonin punë (ose vlerësonin një mundësi të re pune) edhe për një ekuilibër më të mirë jetë profesionale – jetë personale.

Nëse analizojmë atë që ka ndodhur në muajt e fundit – dhe duke parë perspektivën edhe për muajt në vijim – lind pyetja se për çfarë ekuilibri jemi duke folur tashmë. Kur kthehem me mendje vetëm në janar të 2020 dhe reflektoj mbi historitë e njerëzve gjatë intervistave, kuptoj se kërkohej një ekuilibër më i mirë mes orëve të kaluara në punë dhe atyre kushtuar vetes dhe familjes.

Dhe kërkesa për një ekuilibër më të mirë konkretizohej, për shembull në një kohë më të shkurtër në distancën punë – shtëpi, në mundësinë për të qëndruar në shtëpi një ditë në javë, në mundësinë për të punuar në distancë në rast nevoje apo të pasurit në dispozicion të ndonjë ore të lirë gjatë javës, nëse do të ishte e mundur. Asgjë tronditëse, me pak fjalë.

Nëse i analizojmë, të gjitha këto ishin veprime të vogla, që çdo kompani mund t’i kishte zbatuar pa shumë përpjekje dhe në këmbim do të kishte kënaqësinë e punonjësve. Por këto kërkesa, në shumë raste, dukeshin si mure Berlini të pakapërcyeshme – për thuajse të gjitha, puna mund të kryhej vetëm në zyrë, nga ora 9:00 deri në 18:00. Me lockdown dhe me mbylljen e zyrave, shkollave dhe hapësirave të përbashkëta përjetuam tronditjen e asaj që shumëkush e ka përcaktuar – gabimisht në disa raste – smart working.

Nuk përdorëm më makinën apo mjetet publike, u ndaluan mbledhjet në zyrë (të zëvendësuara nga video-thirrjet, në fillim të pambarimta), patëm më shumë kohë për shtëpinë dhe veten – ka nga ata që studiuan një gjuhë të re, që bënë kurse menaxhimi, të tjerë mësuan të gatuajnë, të pastrojnë shtëpinë në çdo cep. Të gjithë u mësuan të qëndrojnë brenda katër mureve, dhe shumë kjo situatë, për një periudhë kohe, u pëlqeu me të vërtetë.

Po sot, me perspektivën e një rihapjeje të aktiviteteve të ndryshme dhe me rikthimin te një jetë pak a shumë normale, si jetohet kjo kohë e përzier, kaq e ngatërruar mes jetës personale dhe asaj profesionale? Të mos harrojmë që në disa familje, një nga dy prindërit mori përsipër kujdesin e fëmijëve, të mësimeve në distancë, të detyrave të shtëpisë dhe kohës së lirë.

Në këtë moment, të dalësh nga shtëpia dhe të kesh një vend për të punuar – dhe një hapësirë për të pirë një kafe dhe për të shkëmbyer disa fjalë me kolegët – është një imazh që përmendet shpesh te personat që takoj për një intervistë pune.

Me pak fjalë, si do të jetë në të ardhmen ekuilibri jetë profesionale – jetë personale? Drejtuesit më në fund kuptuan se njerëzit mund të punojnë mirë edhe nga shtëpia. Ndoshta jo çdo ditë, por lënia hapur e mundësisë – edhe në të ardhmen – për të zgjedhur për të punuar jo në zyrë – është një aspekt që nuk duhet nënvlerësuar. Kompanitë duhet tashmë të rimendojnë hapësirat – edhe sepse – për një kohë të gjatë – nuk do të mund të zhvillohen mbledhje dhe duhet të ruhen distancat.

Shumë, ndoshta, do të rikrijojnë hapësirat, duke shtuar ndonjë ambient edhe në natyrë. Por besoj se revolucioni i vërtetë, do të jetë dhënia e mundësisë punonjësve për të punuar për objektiva dhe jo më për orë. Një sistem miks, në të cilin zyra nuk do të jetë më vendi nga i cili do të largohemi në orën 18:00, por një vend ku mund të zgjedhim të punojmë kur nuk duam të qëndrojmë në shtëpi, në një bar, në një coworking apo në çdo cep tjetër të botës. /monitor/

* Francesca Contardi, Managing Director i EasyHunters
Burimi: Il Sole 24 Ore

Artikulli paraprakSuksesi
Artikulli tjetërGoogle eksploron aplikacionin kundër gjurmimit