Biden ruan taksat e aluminit nga Emiratet

Presidenti i SHBA Joe Biden do të mbajë normën e tarifës prej 10 përqind për importet e aluminit nga Emiratet e Bashkuara Arabe, një ndryshim i vendimit të Donald Trump për t’i dhënë fund taksave në ditën e fundit, tha Shtëpia e Bardhë.

Paraardhësi republikan i Biden njoftoi në 20 janar se ai do të përjashtonte Emiratet e Bashkuara Arabe nga tarifat për shumicën e importeve të aluminit, duke vënë në dukje se të dy vendet kishin arritur një marrëveshje mbi kuotat.

Trump miratoi përjashtimin menjëherë pasi ai përshkroi Emiratet e Bashkuara Arabe si një “partner kryesor i sigurisë” dhe nënshkroi një marrëveshje për të shitur 50 avionë luftarakë F-35.

Javën e kaluar, administrata e Biden njoftoi se do të pezullojë përkohësisht dhe rishikojë këtë shitje, si dhe disa të tjera.

Një vendim i Shtëpisë së Bardhë të hënën në mbrëmje thotë se tarifa e aluminit do të jetë më efektive në mbrojtjen e prodhuesve vendas sesa “kuota e paverifikuara” e njoftuar nga Trump.

“Sipas mendimit tim, provat në dispozicion tregojnë se importet nga Emiratet e Bashkuara Arabe ende mund të prishin prodhimin vendas dhe për këtë arsye janë një kërcënim për sigurinë tonë kombëtare. Unë e konsideroj të domosdoshme dhe të përshtatshme që, në përputhje me interesat tona të sigurisë kombëtare, të mbajmë politikën tarifore kur bëhet fjalë për importin e produkteve të aluminit nga Emiratet e Bashkuara Arabe,” tha Biden.

Nuk ka ende komente nga Ambasada e Emirateve në Uashington.

Biden nuk komentoi për lidhjet më të gjera me Emiratet e Bashkuara Arabe mbi shitjet e armëve, duke u përqëndruar në problemet e industrisë së aluminit në SHBA, një sektor i konsideruar kyç për sigurinë e shtetit.

Për sa i përket vlerës, alumini renditet i pari në mallrat që Emiratet e Bashkuara Arabe eksportojnë në Shtetet e Bashkuara.

Ky shtet arab e shiti këtë metal me vlerë 1.3 miliardë dollarë gjatë vitit 2019 tek blerësit amerikanë.

Trump vendosi për herë të parë tarifat në 2018 për të ringjallur fabrikat e aluminit në gjumë, për të hapur shkritoret e mbyllura dhe për të rritur prodhimin e brendshëm duke bllokuar varësinë e SHBA nga prodhuesit e huaj, tha Biden, duke shtuar se tarifat mbeten të nevojshme. /tesheshi.com/

Artikulli paraprakJeff Bezos largohet nga pozicioni i shefit ekzekutiv të Amazon
Artikulli tjetërDanimarka do të ndërtojë ‘ishullin e parë të energjisë’ në Detin e Veriut, kushton 28 mld euro