Ka kaluar një vit që kur bota u përfshi nga paniku i koronavirusit. Megjithatë pandemisë ende nuk po i shihet fundi. Ekspertët thonë se kjo situatë ka krijuar një epidemi të shëndetit mendor në popullatë:
Në Londër, një qytet që nuk fle kurrë, urdhërat e autoriteteve në përgjigje të koronavirusit kanë paralizuar jetën dhe aktivitetin normal. Masat e izolimit, shtimi i numrit të viktimave dhe goditja ekonomike kanë ndikuar ndjeshëm tek gjendja psikologjike e popullatës në këtë periudhë pandemie.
“Në këtë fazë po shohim se sa herë ka një valë të re virusi, sa herë vendosen kufizime të reja, shtohen nevojat e popullatës për kujdesin mendor. Kur ulen ritmet e infeksioneve të reja nuk ka zbutje të ndikimit mbi shëndetin mendor, problemi vetëm akumulohet,” thotë Andy Bell me Qendrën për Shëndetin Mendor.
Qendra për Shëndetin Mendor analizon dhe bën lobizëm për problemet psikologjike dhe çrregullimet e tjera mendore në popullatë.
Ekspertë të kësaj qendre thonë se pandemia e koronavirusit ka goditur gjithë shoqërinë, por ka qenë shumë më e rëndë për disa grupime:
“Askush nuk është i paprekshëm. Të gjithë ndjejnë efekte psikologjike. Kjo është një traumë kolektive. Por, pa diskutim, një numër njerëzish e ndjejnë më shumë, sidomos ata që kanë të ardhura të ulëta që janë më të rrezikuar ekonomikisht nga efektet e pandemisë. E shohim në Britani edhe në radhët e komuniteteve jo të bardha, popullata me ngjyrë apo prejardhje aziatike, ku kërcënimi i virusit është më i lartë. Kjo e shton rrezikun për probleme mendore,” thotë zoti Bell.
Disa profesione, sidomos ata që punojnë në shërbimet jetike, po shfaqin shenja të dukshme të traumës dhe ankthit që ka krijuar kjo situatë.
“Kemi zbuluar se ata që punojnë në këtë sektor kanë një rritje të dukshme simptomash. Në studimin tonë të fundit tregojmë se në radhët e personelit të kujdesit intensiv, në qershor dhe korrik të vitit të kaluar, në fund të valës së parë të pandemisë, thuajse 1 ndër dy punonjës raportuan nivele të stresit posttraumatik, depresion të rëndë, ankth apo probleme me alkoolizmin,” thotë Neil Greenberg, pedagog në Universitetin “King’s College”.
Por pandemia ka nxjerrë në pah edhe prirje pozitive. Personat që kishin edhe më parë probleme të shëndetit mendor nuk kanë pësuar keqësim. Sipas ekspertëve, ka gjasa që kjo periudhë i bën këta individë të ndjehen më pak të izoluar:
“Ajo që e dallon këtë periudhë është se problemi ka vazhduar për disa kohë dhe ende vazhdon. Nuk e dimë kur do të përfundojë. Mendoj se një ndikim i ngjashëm mund të jetë ndjerë nga shumë kombe gjatë Luftës së Parë dhe Luftës së Dytë Botërore. Ajo që kemi mësuar nga e kaluara, kur kohët janë të vështira, njerëzit bashkohen, gjejnë fuqinë e brendshme,” thotë zoti Greenberg.
Sipas Qendrës për Shëndetin Mendor, rreth 10 milionë vetë në Britani kanë nevojë për ndihmë me shëndetin mendor. Krahasuar me një popullatë prej 60 milionë vetësh që ka Britania, kjo është një përqindje mjaft e lartë, pohojnë ekspertët.