BE, 227 Miliardë dollarë suficit tregtar

Bilanci i tregtisë së jashtme të Bashkimit Evropian shënoi një tepricë prej 187.2 miliardë eurosh (227 miliardë dollarë) në 11 muajt e parë të vitit 2020, zbuloi sot Zyra e statistikave të bllokut.

Sipas Eurostat, shifra ishte më e lartë nga 169.4 miliardë euro në periudhën janar-nëntor të vitit 2019.

Eksportet nga BE-ja shënuan rënie me 10.3 për qind në 1.75 trilionë euro ndërsa importet ishin 1.56 trilionë euro, me rënie prej 12.3 për qind, në 11 muaj në bazë vjetore.

Tregtia brenda 27 vendeve anëtare të BE-së shënoi rënie me 8.4 për qind duke arritur në 2.6 trilionë euro nga viti në vit në të njëjtën periudhë.

Kina ishte partneri kryesor tregtar i bllokut, me 182.7 miliardë euro importe nga Unioni dhe 350.1 miliardë euro në eksporte.

Sipas vëllimit të eksportit, SHBA, Britania e Madhe, Kina, Zvicra dhe Rusia kryesuan listën, në të njëjtën periudhë, tha Eurostat.

Kina ishte burimi kryesor i importeve të BE-së, pasuar nga SHBA, Britania e Madhe, Zvicra dhe Rusia.

Bilancet tregtare nga vendi në vend treguan se BE-ja pësoi deficitin më të madh me Kinën, afër 167.4 miliardë euro dhe suficitin më të lartë me SHBA-në 135.8 miliardë euro gjatë së njëjtës periudhë.

Ndërkohë, në të njëjtën periudhë, Eurozona postoi një suficit tregtar prej 205.4 miliardë eurosh, me 1.94 trilionë euro në eksporte dhe 1.73 trilionë euro në importe.

Zona e Euros ose BE19 përfaqëson vendet anëtare që përdorin monedhën e vetme-euro.

Artikulli paraprakPërsëri në dritë
Artikulli tjetërBlen 242 mijë hektarë tokë bujqësore në SHBA, Bill Gates pronari më i madh në Shtetet e Bashkuara