UASHINGTON – Agjencia e Sigurisë Kibernetike tha të mërkurën se një fushatë spiunazhi kibernetik që u bë publike në fillim të këtij muaji ka prekur qeverinë federale dhe ato lokale, megjithëse dha pak hollësi të mëtejshme.
Fushata e hakerimit, e cila përdori kompaninë e teknologjisë amerikane SolarWinds si platformë për të depërtuar në rrjetet e qeverisë federale, po “ndikon në rrjete të ndryshme të aktivitetit në të gjithë qeverinë federale, ato në nivel shtetëror e lokal, si dhe subjekte kritike të infrastrukturës dhe organizata të tjera të sektorit privat”, tha në një deklaratë të postuar në faqen e saj të internetit Agjencia e Sigurisë Kibernetike dhe Infrastrukturës (CISA).
Kjo agjenci tha javën e kaluar se mes të prekurve nga hakerimi ishin agjencitë federale amerikane, subjekte kritike të infrastrukturës dhe kompani private, por pa përmendur në mënyrë specifike organet shtetërore apo lokale. Deri tani vetëm një numër i vogël i agjencive qeveritare federale kanë konfirmuar zyrtarisht se janë prekur nga sulmi, përfshirë Departamentin e Thesarit, atë të Tregtisë dhe të Energjisë.
CISA nuk identifikoi agjensitë shtetërore apo lokale të prekura dhe nuk ktheu përgjigje ndaj një kërkese për hollësi shtesë mbi njoftimin.
Agjencia Reuters ka raportuar më parë se qarku Pima në shtetin e Arizonës, ishte mes viktimave të valës së ndërhyrjeve.
Zyrtarët e qarkut nuk pranuan të bënin komente të mërkurën vonë. Zyrtari kryesor mbi informacionin në këtë qark i tha më parë agjencisë Reuters se ekipi i tij e kishte shkëputur nga rrjeti programin e kompanisë SolarWinds menjëherë pasi sulmi u bë publik dhe hetuesit nuk kishin gjetur ndonjë provë për dëme të mëtejshme.
Zyrtarë të lartë dhe ligjvënësit amerikanë kanë pohuar se Rusia është fajtore për hakerimin, akuzë që Kremlini e mohon. /voa/