Kur të vëreni se gjithë të tjerët i kanë ngulur sytë te celulari, shiheni këtë si shenjë që ekziston një problem dhe mos u tundoni të ndiqni të njëjtin shembull. Mendoni se çfarë po humbasin ata dhe çfarë mund të fitoni ju. Kohë, mundësi, ide, lidhje, reflektim.
Celulari im i parë ishte Nokia 3210 dhe kishte një lojë të quajtur Snake. Isha 12 vjeç. Në lojë duhej të grumbulloje sa më shumë pikë duke orientuar gjarprin në një katror për të kapur objektet në ekran.
Njerëzit ishin të magjepsur pas lojës Snake, e cila arrinte t’i shpërqendronte gjatë gjithë ditës së shkollës. Thuajse të gjithë fëmijët në autobus e kalonin kohën duke u marrë me këtë lojë. Si zombie që luanin me gjarpërinj, nxënësit qëndronin të ulur nëpër klasa në kohën e pushimit, për t’ia kaluar shokëve në lojë, duke shpërfillur sportin apo botën e jashtme.
Njëzet vjet më vonë, ne të gjithë jemi ende zombie që luajnë me gjarpër. Thjesht kemi zëvendësuar Snake me Candy Crush dhe Angry Birds, ose me YouTube dhe mediat sociale dhe bisedat e pafundme në WhatsApp. Ndërveprimet kuptimplota po humbasin mes detit të hiçit dhe kjo po na kushton shumë më tepër se humbjen e kohës.
Robin Sharma, në librin mjaft të shitur “5AM Club”, paralajmëron se “Celulari po dëmton fatin tuaj. Nëse jeni duke luajtur me të gjatë gjithë ditës”. Cal Newport së shpejti do të botojë një libër me titull “A World Without Email”. Ekspertët në të gjithë botën po flasin kundër mjeteve të ndryshme shpërqendruese që na vjedhin vëmendjen, por ndjenja mbetet e njëjtë: shpërqendrimet e nivelit të ulët po na kushtojnë punë të madhe dhe potencial njerëzor.
Cili është problemi?
Nëse jeni duke shkruar diçka të rëndësishme dhe papritur dëgjoni tingullin e celularit, ju shpërqendroheni nga puna. Nëse po vrisni mendjen si të zgjidhni një problem të ngutshëm dhe bëni një pushim për të hyrë në Instagram, zgjidhja juaj do të jetë mesatare. Nëse pas çdo loje që luan skuadra juaj, lexoni komentet e të tjerëve me orë të tëra, ju ktheheni në një vegël në karrierën e dikujt tjetër, në vend që të merrni nën kontroll frenat e karrierës tuaj.
Mos harroni se ato qëllime ambicioze që i keni caktuar vetes nuk do të arrihen vetvetiu. Me çdo kontroll të celularit dhe sa herë që i nënshtroheni çdo shpërqendrimi, vija e finishit shtyhet më tej. Edhe sa më larg mund ta shtyni atë në mënyrë të realizueshme?
Po sikur zgjidhja më e mirë t’ju vijë ndër mend pas njëzet minutash reflektimi, dhe jo dy? Po nëse nuk jeni duke menduar kurrë aq gjatë sa ç’duhet për të pasur valë truri? Po nëse celulari juaj nuk po ju lejon të mendoni thellësisht dhe po ju mban të nënshtruar?
Përfytyroni çastet e fundit në tokë dhe si do ta kujtoni jetën tuaj kur ato të mbërrijnë. A do të keni krijuar një trashëgimi për të cilën të jeni krenar, a do të keni dhënë gjithçka që keni pasur mundësi dhe do ta keni lënë botën një vend më të mirë se sa e gjetët? Apo pikërisht këtë do të kishit bërë, po të mos ishit shpërqendruar në ato momente nga një meme e bukur? Për çfarë doni të mbaheni mend?
Smartphone po ju zvogëlon shanset në jetë dhe ndoshta nuk e keni kuptuar sepse kjo po u ndodh të gjithë të tjerëve. Kështu bëhet normale. Ne shohim të tjerët që sillen në këtë mënyrë dhe ndjekim shembullin e tyre. Nuk duam të na humbasë asgjë nga duart.
Cila është zgjidhja?
Duhet ta trajtoni përdorimin e celularit si një varësi. Fillimisht duhet të pranoni se ekziston një problem dhe më pas duhet të merrni masa për ta kontrolluar atë. Heqja e menjëhershme nuk është zgjidhje, sepse është më e ndërlikuar se kaq.
Mund të filloni duke fshirë disa aplikacione ose të fikni celularin deri në një kohë të caktuar. Mbase mund ta shkruani në letër orarin, në vend që të përdorni kalendarin e Google, ose mund të mbani një orë dore. Nëse e dini se duke e marrë rastësisht celularin në dorë, do të përfundoni duke shpenzuar njëzet minuta në mediat sociale, atëherë shmangeni atë. Planifikoni kontrolle të celularit gjatë ditës, por kufizojini, ashtu siç një duhanpirës përpiqet ta lërë duhanin duke kufizuar konsumin e cigareve me kalimin e kohës.
Kur të vëreni se gjithë të tjerët i kanë ngulur sytë te celulari, shiheni këtë si shenjë që ekziston një problem dhe mos u tundoni të ndiqni të njëjtin shembull. Mendoni se çfarë po humbasin ata dhe çfarë mund të fitoni ju. Kohë, mundësi, ide, lidhje, reflektim. Nëse papritur do të binte një zjarr dhe këta persona duhej të hiqnin nga dora celularin për të shpëtuar, sigurisht që mund ta bënin. Por, pa pasur një detyrim të fortë për ta hequr atë, cila është arsyeja? Nëse do të ishit i sinqertë me veten, a mund t’ia dilnit? Dhe për sa kohë?
Motivimi juaj për ta arritur duhet të jetë shumë më i fortë se varësia ndaj celularit që mbase nuk e dini se e keni. Dëshira për të lënë një gjurmë dhe për të kuptuar potencialin tuaj duhet të mbizotërojë ndaj zhurmës së bisedave në grupin WhatsApp. Angazhimi juaj për të kapërcyer pritshmëritë duhet të fitojë mbi informacionin në Instagram. E bëni dot? Mos lejoni që smartphone të dëmtojë shanset tuaja në jetë.
*Jodie Cook
Burimi: Forbes