Me 427.300 punësime të reja nga janari, kolosi i Jeff Bezos tashmë numëron më shumë se 1.2 milionë persona. Duke parë ecurinë e vitit 2020, Amazon tha se do të shpërblejë me 300 dollarë punonjësit me kohë të plotë dhe me 150 dollarë, ata me kohë të pjesshme
Dihet tashmë se 2020 ka qenë për Amazon, një vit me të vërtetë i artë. Ndërkohë që miliarda njerëz u izoluan brenda mureve të shtëpisë, e gjithë bota e e-commerce regjistroi një bum të paprecedentë.
Kolosi me seli në Seattle, lider botëror në sektor, ka qenë in primis i cili ka përfituar nga tendenca. Që në pranverë, për t’u bërë ballë volumeve të mëdha të regjistruara, u detyrua për disa javë të kufizonte porositë vetëm për mallrat me “përparësi të lartë”. Për të matur ecurinë e kompanisë është e nevojshme të marrim në analizë tre tregues: rritjen e titujve në bursë, pasurinë personale të themeluesit dhe CEO, Jeff Bezos, që sipas Bloomberg është rritur me 72,2 miliardë deri në kuotën 187 miliardë dhe në fund, numrin e punonjësve, me 427.300 punësime të reja në dhjetë muaj – sipas New York Times.
Amazon, këtë vit, ka nënshkruar mesatarisht 1400 kontrata të reja në ditë. Numri i të punësuarve në platformë kapërcen shifrën 1,2 milionë persona (me një rritje më shumë se 50% krahasuar me 2019), duke u bërë “punëdhënësi i tretë” në nivel botëror. Sipas të dhënave të Fortune, në vend të parë për numrin më të madh të punonjësve është gjiganti amerikan i shitjeve me pakicë Walmart (2,2 milionë) ndjekur nga China National Petroleum (1,3 milionë).
Me këtë ritëm, Amazon mund të zërë vendin e parë në vetëm dy vjet. Bëhet fjalë për një shoqëri që deri në vitin 2017 nuk ishte as në top 10 dhe më pas erdhi rritja e bujshme. Nëse marrim parasysh xhiron globale të tregtisë elektronike B2C (4 trilionë dollarë në vit) pritet një rritje me të paktën 50% deri në vitin 2023 dhe është e lehtë të kuptohet se trendi nuk është i destinuar të ndalet së shpejti.
Sigurisht që departamenti i burimeve njerëzore nuk do ta ketë të vështirë gjetjen e bashkëpunëtorëve të rinj. Mjafton të mendoni që, në javën para Career Day 2020 (16 shtator) vetëm në Kanada dhe në Shtetet e Bashkuara, kompania mori rreth 384,000 aplikime për 33,000 pozicionet e saj të hapura: mesatarisht 38 për minutë.
Burimi: Corriere della Sera