Evropa është ende rajoni me barazinë më të lartë në botë, por kriza COVID mund të rrisë pabarazitë në të ardhura, paralajmërojnë ekonomistët francezë dhe bëjnë thirrje për ndaljen e uljeve të taksave të korporatave.
Paralajmërimi i Laboratorit të Pabarazisë Botërore të Parisit (WIL) u lëshua në një kohë kur Bashkimi Evropian po debaton mbi pranimin e një plani rigjenerimi me vlerë 750 miliardë euro, i cili është thelbësor për të zbutur pasojat dramatike ekonomike të krizës së koronës, raporton AFP.
Përfundimet e analizës së fundit të WIL, të themeluar në Shkollën Ekonomike të Parisit dhe të bashkë-themeluar nga ekonomisti Thomas Piketty, i cili studion pabarazinë në botë, nuk janë të pafavorshme për Evropën.
Pabarazia në Evropë mbetet më e ulta në botë.
Një ishull i barazisë relative
Në vitin 2019, të ardhurat e 10 përqind të më të pasurve në Evropë përbënin 35 përqind të të ardhurave totale dhe, 10 përqind e më të pasurve në Lindjen e Mesme, ku pabarazia është më e madhe, përbënin 56 përqind të të ardhurave totale.
Në Evropë, “ka pasur një rritje të pabarazisë që nga vitet 1980, por është shumë më pak e theksuar sesa në Shtetet e Bashkuara. Evropa i ka rezistuar merkantilizimit të të gjitha aspekteve të shoqërisë, është ende një ishull i barazisë relative në botë”, tha Lucas Chancel i Shkollës së Parisit.
Kjo shpjegohet me politikat e rishpërndarjes së të ardhurave, por edhe me vendimin për financimin e infrastrukturës dhe shërbimeve publike cilësore, falas ose të lira, si dhe rregullimin e tregut të punës. /tesheshi.com/