Grupe hakerash të dyshuar nga Koreja e Veriut janë përpjekur të depërtojnë javët e fundit në sistemet e prodhuesit britanik të ilaçeve AstraZeneca. Lajmi iu bë i ditur agjencisë së lajmeve Reuters nga dy persona që kishin dijeni mbi çështjen. Ky zhvillim vjen ndërsa kompania është në garë për prodhimin e vaksinës së saj kundër korovirusit.
Sipas burimeve, hakerat ishin paraqitur në faqet e rrjetit LinkedIn dhe në WhatsApp dhe i kishin bërë stafit të AstraZeneca-s oferta të rreme pune, në përpjekje për të hyrë në kompjuterat e tyre.
Përpjekjet për hakerim kishin në shënjestër një “grup të gjerë njerëzish”, përfshirë stafin që punon për kërkimet lidhur me COVID-19, tha një nga burimet, por sipas tij mendohet se përpjekjet nuk ishin të suksesshme.
Misioni i Koresë së Veriut në selinë e Kombeve të Bashkuara që ndodhet në Gjenevë nuk iu përgjigj një kërkese për koment. Pheniani më parë ka mohuar të ketë kryer sulme kibernetike. Kompania AstraZeneca nuk pranoi të komentonte.
Burimet, të cilat folën në kushte anonimiteti mbi informacione që nuk janë bërë publike, thanë se mjetet dhe teknikat e përdorura në këtë sulm tregojnë se ato ishin pjesë e një fushate hakerimi që zyrtarët amerikanë dhe ekspertët e sigurisë kibernetike thonë se vijnë nga Koreja e Veriut.
Fushatat kanë qenë më parë të përqendruara ndaj kompanive që operojnë në fushën e mbrojtjes dhe organizatave mediatike, por së fundmi kanë ndryshuar drejtim duke u përqëndruar tek studimet mbi COVID-19, sipas tre personave që kanë hetuar sulmet.
Sulmet kibernetike kundër trupës shëndetësorë, shkencëtarëve të vaksinave dhe prodhuesve të ilaçeve janë rritur gjatë pandemisë në një përpjekje të grupeve kriminale të mbështetura nga shteti, për të siguruar qasje tek hulumtimet dhe informacionet më të fundit rreth pandemisë. Zyrtarët perëndimorë thonë se çdo informacion i vjedhur mund të shitet me qëllime përfitimi, të përdoret për të zhvatur viktimat ose për t’i dhënë qeverive të huaja një avantazh strategjik ndërsa luftojnë për të frenuar një sëmundje që ka vrarë deri më tani 1.4 milionë njerëz në të gjithë botën. Kompania Microsoft tha këtë muaj se kishte parë dy grupe hakerash të Koresë së Veriut të sulmonin prodhuesit e vaksinave në shumë vende.
Microsoft nuk bëri të ditur se për cilat organizata bëhej fjalë.
Ligjvënësit e Koresë së Jugut thanë të premten se agjencia e zbulimit e këtij vendi kishte arritur të godistë disa nga këto përpjekje.
Agjencia Reuters ka raportuar më parë se hakera nga Irani, Kina dhe Rusia janë përpjekur të futen këtë vit tek prodhuesit kryesorë të ilaçeve dhe madje edhe tek Organizata Botërore të Shëndetësisë.
Teherani, Pekini dhe Moska i kanë mohuar akuzat. Disa nga llogaritë e përdorura në sulmet ndaj kompanisë AstraZeneca ishin regjistruar në adresa postare elektronike ruse, tha një nga burimet, në një përpjekje të mundshme për të ngatërruar hetuesit. /voa/