Duam apo nuk duam, puna nga shtëpia, për shkak të pandemisë globale, do të vijojë të na bëjë shoqëri edhe për ca kohë. Ju duhet të mësoheni me këtë fakt dhe të gjeni mënyrën më të mirë për të qenë produktivë, edhe me shapkat veshur nëpër këmbë.
Ndoshta duke gjetur ngjyrat e duhura, siç shkruan në faqen “MyJobQuote”, psikologu dhe eksperti i mirëqenies, Lee Chambers.
Ngjyra që kemi përballë, ajo e murit pas ekranit të kompjuterit, ose mes librave dhe mobilieve të shtëpisë-zyrë, ka një efekt të drejtpërdrejtë në gjendjen tonë shpirtërore dhe aftësinë për t’u përqendruar. Lexoni më poshtë se cilat janë ngjyrat / nuancat më të përshtatshme në këndin tuaj të punës smart-working….
E verdha, stimuluese për kreativitetin
Nëse studiot e mëdha në mbarë botën i kanë lyer muret me të verdhë, kanë piktura apo aksesorë në këtë ngjyrë, ka një arsye – duket se e verdha stimulon inteligjencën dhe imagjinatën. Jo vetëm, të studiosh apo të punosh nën një sfond të verdhë ndihmon trurin të mbajë mend më gjatë informacione të rëndësishme. Megjithatë duhet të bëno kujdes të mos e ekzagjeroni, pasi teprimi mund t’ju lodhë sytë.
Shmangni portokallinë
Sipas një kërkimi të Universitetit të Teksasit, portokallia është ngjyra që më shumë se të gjitha ju largon dëshirën për të punuar, me efekte shkatërruese sidomos te meshkujt. Nëse ju pëlqen kjo ngjyrë atëherë ju këshillojmë një nuancë të zbehtë, në ngjyrën e pjeshkës. Kjo nuk do të cenojë produktivitetin në punë
E gjelbra, për ata që kanë nevojë për qetësi
E gjelbra është ngjyra ideale, ju ndihmon të qëndroni të qetë edhe përpara një email-i të mërzitshëm apo një mbledhje të gjatë në Zoom. Ju dhuron mirëqenie dhe pozitivitet, por edhe pak përgjumje. Nëse objektivi juaj kryesor është qëndrimi vigjilent, shmangeni përdorimin e tepërt të nuancës së sherebelës apo të ngjashme me të.
E kuqja, orë zgjimi për trurin
E kuqja çmend demin, e jo më smart worker. E kuqja godet mendjen si askush tjetër, duke ndezur pasionin, emocionet dhe duke rritur ritmin kardiak. Morali: Ajo është e mirë në doza të vogla apo për një kohë të shkurtër, por në një kohë të gjatë ka tendencë t’ju stimulojë më shumë seç duhet, duke ju ndalur të arsyetoni me ekuilibrin e nevojshëm kur punoni.
Bluja, stimuluesja e produktivitetit
Të gjesh një defekt te ngjyra blu është vërtet e vështirë. Kjo ngjyrë është shumë, shumë produktive dhe ju jep përqendrim dhe qetësi, edhe gjatë smart working. Edhe në këtë rast, duhet ekuilibrim, pasi rreziku është që kjo ngjyrë t’ju japë më shumë se sa duhet qetësi dhe t’ju “fikë” krijimtarinë. Me pak fjalë, bojëqielli diku, blu sigurisht, por edhe disa penalata të ngrohta aty-këtu.
E bardha mund t’ju përkeqësojë humorin
E bardha është ngjyra më e shpeshtë që mund të gjeni në shtëpi dhe me shumë gjasa edhe në këndin apo dhomëzën që e keni shndërruar në vend pune. Në studimin e Universitetit të Teksasit shkruhet se përdorimi i së bardhës me shumicë, si dhe një tepricë me bezhë, gri dhe nuanca të tjera neutrale mund të ulë gjendjen tuaj shpirtërore dhe t’ju ngjallë trishtim dhe pakënaqësi. Në këtë rast, këshillohet që në mjedis të ketë disa thyerje si për shembull ndonjë lule aty pranë, e cila në të njëjtën kohë përmirëson dhe cilësinë e ajrit. /monitor.al/