Shkruan: Premtim Kastrati
Në rrethana të një shpërfaqje të vazhdueshme ndaj krizës siç është rasti i Kosovës, ku kriza ekonomike dhe materiale qëndron si një ‘vullkan’ që s’duket lehtë, mirëpo vazhdimisht është aktiv, dalja në skenë e një virusi shëndetësor, që prek thellë segmentin ekonomik, këtë ‘vullkan’ e bënë të shpërthejë me përmasa të paimagjinueshme.
Pikërisht në një krizë të këtillë “standby” ka qenë ambienti ekonomik i Kosovës para shfaqjes së virusit COVID-19, gjegjësisht para mbylljes totale. Nga ky këndëvështrim, pasqyrimi i ambientit ekonomik është i rëndësishëm për kontekstin nga duhet t’i qasemi analizës për zgjidhjet që shërbejnë si përgjigjje ndaj dëmeve ekonomike. Çdo krizë e cila shkaktohet – ekonomike apo shëndetësore – është e ndërlidhur ngusht me kapacitetet rezistuese që i posedon vendi në përballje me krizën në ardhje.
Me shpenzime qeveritare për shëndetësi vetëm 3.1% të GDP-së për vitin 2019, Kosova është renditur e fundit nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Pas Kosovës është Maqedonia Veriore me dyfishin e shpenzimeve, konkretisht 6.3% të GDP-së. Numri i ulët i testimeve në raport me popullsinë, mungesa e shtretërve për trajtim të pacientëve, disponueshmëria e vogël e aparaturave të oksigjeno-terapisë, janë tregues i qartë se kapaciteti i Kosovës përballë virusit është tejet i dobët.
Ndërkohë, sistemi ekonomik prej fillimit të pandemisë konsiderohet të këtë dëme me përmasa edhe më të mëdha se ai shëndetësor, gjithëherë duke përjashtuar nga përllogaritja humbjet e jetëve të njerëzve.
Kosova vazhdimisht është në kërkim të një përgjigjjeje (zgjidhje) për rigjallërim dhe stabilitet ekonomik. Kjo nevojë patjetër se është shtuar me paraqitjen e pandemisë. Shfaqja e virusit COVID-19 na ka detyruar të mendojmë më shumë për orientim prej politikës Laisses-Fair, në një politik ekonomike kejnsiane, me fokus punësimin dhe neo-kejnsiane, për rritje dhe stabilitetit ekonomik. Thënë ndryshe, duket sikurse është koha që përcaktuesi i rregullave të lojës (Qeveria), të inkuadrohet personalisht në lojë, qoftë vetëm për të përmirësuar rregullat e deritanishme të lojës. Pra, aktualisht një dorë e shtetit është jashtëzakonisht e nevojshme për rimëkëmbje ekonomike, dhe situata e tanishme mund të konsiderohet si e vetmja zgjidhje praktike. Këtë mendim e shpreh edhe nobelisti Joseph Stiglitz që thotë se “vetëm shteti është ai i cili bënë rregullimin e aktivitetetve ekonomike me qëllimin që t’i mbrojë të punësuarit, konsumatorët dhe ambientin jetësor si tërësi”. Është mjaft evidente se në Kosovë, sektori publik është ai i cili thuajse gjithë funskionimin e tij e zhvillon mbi boshtin e sektorit privat. Rrjedhimisht sektori privat pëson dëmet më të mëdha, dhe tek ky sektor fillimisht ndizet kriza, tronditja nga e cila godet ndërlidhurazi sektori publik.
Bazuar në të dhënat e Odës Ekonomike Kosovare (OEK) humbjet e bizneseve kosovare nga fillimi i pandemisë e deri sot, tejkalojnë shifrën e 1 miliard eurove. Ndërkohë pritjet janë që efektet më të medha të krizës ekonomike të shihen gjatë pjesës së dytë të vitit, kur fillojnë të ndihen efektet multiplikuese të krizës dhe rënja e remitencave dhe investimeve. Sa më e madhe është një krizë, aq më shume ekzistojnë fusha të intervenimit e poashtu aq edhe më i madh duhet të jetë potenciali rezistues për luftim të krizës. Stiglitzi kur analizon qasjen ndaj pandemisë thotë se ”COVID-19 është një problem global, zgjidhja e të cilit kërkon qasje globale”. Andaj edhe Kosova duhet njëtrajtshëm të përciellë linjat (drejtimet) globale për evitim apo zbutje të krizës.
Më poshtë do të fokusohem në disa pika të përgjigjjeve dhe zgjidhjeve tek të cilat Qeveria duhet fokusuar me përkushtim dhe të cilat konsideroj se janë më të duhurat si dhe kanë probabilitetin më të lartë për të qenë dobiprurëse.
Disa prej këtyre masave janë:
1. Implementimi emergjent i pakos “emergjente” të Qeverisë, e ndarë në shumë prej 180 milion eurove (vetëm 2.5% e gjithë GDP-së), pako e cila deri në Korrik 2020, është ekzekutuar vetëm rreth 30%.
2. Themelimi i një fondi shtetëror i cili financon bizneset e vogla dhe të mesme me kredi, pa norma interesi dhe në periudha të përshtatshme kthimi. Sipas BQK-së deri në Gusht 2020, nga pamundësia për pagesë të kredive, kanë bërë kërkesë 64.4% e kredimarrësve, apo 77.629 kërkesa për shtyerje të pagesës në vlerë 1.52 miliard euro.
3. Rritje e buxhetit të orientuar në aktivitete ekonomike, duke zvogëluar skajshmërisht shpenzimet buxhetore dhe duke shqyrtuar rritjen e borxhit publik.
4. Eleminim i përkohshëm i TVSH-së për produktet elementare, për bujqësi, gastronomi dhe ndërtimtari.
5. Orientim maksimal i kërkesës agregate në produktet dhe shërbime vendore.
6. Shfrytëzim i përkohshëm i mjeteve financiare të privatizimit.
7. Zgjatja e afatit të pagesës së tatimeve për bizneset, dhe eleminim i ndëshkimeve tatimore për vonesa në pagesë.
8. Subvencionim deri në një vit i 50 % të pagës për firmat private që punësojnë punetorë të rinjë.
9. Rritje e kapaciteteve shëndetësore, hapësirave dhe paisjeve nëpërmjet investimeve kualitative dhe kuantitative.
10. Financimi i sektorit prodhues me qëllim të ngritjes së ofertës agregate dhe uljes së përgjithshme të çmimeve të konsumit.
Ndërkaq sa i përketë përgjigjjes që sektori privat duhet t’i jap krizës ekonomike, kjo përgjigjje më shumë supozohet të ketë ngjyrim social sesa ekonomik. Kjo për faktin se në parim sektori privat, shumicën e rasteve është ndihmë-pranues sesa ndihmë-ofrues dhe sektori privat praktikisht implementon ato lloje rregullash që i përcakton Qeveria me sistemin e saj të politikbërjes ekonomike. Një nga mundësitë e kontributit të sektorit privat në këtë pandemi shëndetësore dhe ekonomike është ofrimi i disa lehtësirave dhe kushteve për punëtorët (që janë të shumtë në numër) nga ky sektor.
Disa nga këto lehtësira janë:
– Shfrytëzimi maksimal i punës nga shtëpia (work from home),
– Ngritja e nivelit të financimit për shpenzimet shëndetësore të punëtorëve,
– Ofrimi i kushteve optimale të punës, në kushte të pastërtisë, distancës dhe sigurisë në punë.
– Evitimi i çdo presioni psikologjik dhe fizik mbi punëtorin,
– Eleminimi në maksimum i uljes së nivelit të pagave si dhe i vonesave në procesim të pagave.
– Heqja e çdo penalizimi që shkurton pagën apo rritë orarin e punës.
Për fund, në pika shumë të shkurta dhe të përgjithshme, këto janë aspektet kryesore me të cilat Qeveria e Kosovës në veçanti, dhe sektori privat në përgjithësi do të mund të ndihmonin sado pak në reduktim maksimal të krizës ekonomike. Suksesi i këtyre pikave dhe triumfi përballë luftimit të virusit dhe krizës, është tejet i varur nga bashkëdyzimi dhe kooperimi i Qeverisë si faktori kryesor dhe akterëve tjerë, prej të cilëve është i ndërlidhur i gjithë sistemi ekonomik, si dhe zhvillimi dhe funksionimi i saj.