Leximi dhe libri si një binom i vështirë për të bashkëjetuar

Leximi dhe libri si një binom i vështirë për të bashkëjetuar

 

Kalendari i tre muajve në vijim është i mbushur me plot ngjarje të rëndësishme për të gjithë ne dhe po ashtu ishte ai i muajit marsit që shkoi me zhvillimet politike të rëndësishme për Shqipërinë e pasdemokracisë. Ndryshime të shpejta kanë ndodhur në të gjithë sferat e jetës njerëzore, ku komunikimi është ai që ka pësuar ndryshime drastike. Komunikimi me librin është në rënie dhe ai me smartphonat dhe aplikacionet e ndryshme on-line është tashmë një përditshmëri e zakonshme. Për këtë besimtari ndodhet në një dilemë të vazhdueshme për përdorimin e smartphonit, ku normalisht i gjen aplikacione të Kuranit Famëlartë të kënduar nga hafizë të ndryshëm e një seri të tjera aplikacionesh me hadithe e lutje nga Kurani dhe Suneti, gjetja e kibles për udhëtarin etj. Këto lloj aplikacionesh ia kanë lehtësuar shumë jetesën besimtarit. Ndërkaq leximi i librit ka rënë në një masë gati njësoj me atë të rritjes së komunikimit. Formimi njerëzor është i lidhur ngushtë me leximin dhe me librin, njëkohësisht teknologjia duhet të ndihmojë në përhapjen e dijes nëpërmjet librit. Tabletët tashti i kanë dhënë një zhvillim të madh librit dhe tregtimit të tij në formate elektronike, saqë nëpërmjet tyre mund të marrësh një bibliotekë e ta kesh me vete dhe të mbetet vështirësia për të zgjedhur librin. Plot faqe interneti ofrojnë mundësira nga më të ndryshmet për të lexuar, porse shumë lexues e kanë të vështirë të lexojnë nëpër ekrane dhe faqet e një libri, broshure apo reviste që shfletohen qetësisht janë më tërheqëse për shumë lexues. Mirëpo statistikat e nxjerra mbi leximin dhe lexuesit janë shqetësuese në përgjithësi, por edhe në kategori të veçanta. Një anketim i bërë nga Shoqata e Botuesve ka dhënë një atmosferë të zymtë mbi peshën e librit në Shqipëri. Të rinjtë lexojnë librat që bëjnë zhurmë; lexueset më të forta janë femrat; rreth 15% e shqiptarëve s’kanë asnjë libër në shtëpi etj…

Këshilla jonë është për një lexim të rregullt, qoftë edhe të pak faqeve për ditë. Largimi nga rrjetet sociale dhe përkushtimi në vend të tyre ndaj leximit të librave të dobishëm është një detyrim për të gjithë ne. Leximi i një libri të dobishëm rrit formimin individual dhe të hap një dritare të re.

 

Redaksia e Kibla / Nr. 4 2018   /LHSH/

Artikulli paraprakTë punosh gjermanisht, por të jetosh në Kosovë
Artikulli tjetërApple humb 81 miliardë dollarë pas zbulimit të iPhone 12 të ri