Për herë të parë, klientët e Apple nuk do të marrin një karikues ose kufje, kur të blejnë iPhone-n e ri. Apple e bëri njoftimin gjatë prezantimit të katër iPhone-ve të rinj në eventin virtual “Hi, Speed” të martën.
Sipas gjigandit të teknologjisë, kjo është pjesë e një lëvizjeje për të ulur nivelin e kalbonit në mjedis dhe për të ndihmuar në shpëtimin e planetit. “Ndonjëherë, nuk është ajo që bëjmë, por ajo që nuk bëjmë që vlen”, tha Lisa Jackson nga kompania Apple, citon The Sun.
IPhone-ët e rinj vijnë me një kabllo karikimi, por pa adapter. Klientët do të duhet ta blejnë veç, i cili në dyqanet e Apple kushton rreth 30 euro. Po ashtu edhe me kufjet ndodh e njëjta gjë. Si rezultat, kutitë e iPhone do të jenë më të vogla dhe të holla, duke ulur kostot e transportit në të gjithë botën si dhe emetimet, pretendon kompania.
Sidoqoftë, disa kanë argumentuar se përdoruesit po detyrohen t’i blejnë pajisjet veç e veç, gjë që nuk çon në zvogëlim të mbetjeve.
Apple zbuloi katër modele të reja: iPhone 12, iPhone 12 Pro, iPhone 12 Pro Max dhe iPhone Mini. Me çmime që variojnë nga 699 dollarë deri në 1,099 dollarë, celularët do të dalin në treg më vonë gjatë këtij viti. /BM/