Nju Jork: Trefishohet numri i banorëve që marrin ushqim falas

17

Pasojat ekonomike të koronavirusit vazhdojnë të ndjehen në qytetin e Nju Jorkut, ku radhët për të marrë ushqime falas, janë ende të gjata sipas organizatës bamirëse “Food Bank”. Kjo organizatë ka shpërndarë 30 milionë pako me ushqime për banorët e Nju Jorkut, tre herë më shumë sesa vitin e kaluar. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Mariama Diallo njofton.

Organizata “Food Bank” për Nju Jorkun thotë se numri i njerëzve që shkojnë për të marrë ushqime, është më i madh krahasuar me vitin e kaluar.

“Zakonisht në këtë kohë ne shpërndajmë rreth 10 milionë vakte. Që tani kemi trefishin e kësaj shifre”, thotë zëvendëspresidentja e organizatës, Janis Robinson.

 

Ajo shton se nuk ka gjasa që ky numër të bjerë së shpejti.

 

“Për fat të keq, banorët e Nju Jorkut vazhdojnë të kenë vështirësi. Njerëzit janë pa punë dhe kanë nevojë për ushqime. Fëmijët janë në shtëpi dhe nuk marrin dot ushqime falas në shkollë. Prandaj nevoja veçse shtohet”, thotë zonja Robinson.

Shumë prej atyre që janë në radhë, thonë se kanë humbur punën nga pandemia dhe disa thonë se punojnë por nuk ia dalin dot pa ndihmën e dhurimeve.

“Është radhë e gjatë. Kaq shumë njerëz kanë nevojë për ushqime. Nuk kemi punë”, thotë Dina Sepena.

Disa thonë se edhe kostoja e jetesës po rritet.

“Fëmijët janë në shtëpi dhe shpenzimet janë rritur. Pastaj duhet të bledh paisje, që të bëjnë mësim siç duhet në shtëpi. Kështuqë shpenzimet shtohen, ndërsa nuk kemi të ardhura”, thotë Anette Clark.

Ndërsa njerëzit rrinë në radhë për ushqime, Shtëpia e Bardhë dhe Kongresi nuk kanë rëndë dakord për një paketë të dytë ndihme. Paketa e mëparshme e ndihmës parashikonte 600 dollarë në javë shtesë për papunësinë, por ajo skadoi në korrik.

“Unë preferoj të punoj, sesa të pres për një çek çdo javë. Por ishte ndihmë. Dhe tani nuk po marrim asgjë. Nuk e di se si do të paguaj faturat”, thotë Kendall Howell.

Bisedimet mes republikanëve dhe demokratëve për ndihmën ekonomike duket të kenë ngecur.

Të enjten, senati amerikan nuk miratoi dot një paketë 300 miliardë dollarëshe, ndërsa republikanët dhe demokratët nuk arritën të bien dakord për të.