Pyetjet më të shpeshta për licencimin bankar në Bankën Qendrore të Kosovës

Pyetjet më të shpeshta për licencimin bankar

Të përgjithshme
1. Kush është BQK?
2. Çfarë janë institucionet financiare?
3. Çfarë është banka?
4. Kur mund ta quaj veten bankë?
5. A mund të ketë banka status tjetër përveç Shoqërisë Aksionare?
6. Çfarë është licenca?
7. A duhet licencë për ushtrim të veprimtarisë bankare?
8. Çfarë është depozita?
9. Çfarë veprimtari financiare janë të lejuara për bankat në Kosovë?
10. Ku duhet të aplikojë për t’u pajisur me licencë bankare?
11. A ka rëndësi nëse unë nuk jam me themeluar në Kosovë?
12. Sa banka janë të licencuara në Kosovë?
13. A janë të gjitha bankat e njëjta?
14. Nuk jam i sigurt nëse duhet të themeloj një bankë për veprimtarinë financiare të cilën dëshiroj të ofroj për publikun, ku mund të marrë më shumë informacion mbi alternativat e licencimit?
15. Cilët janë aksionarët kryesor të bankës?
16. Çka është takimi informues?
17. Kush duhet të jetë prezentë në takimin informues nga ana e aplikuesit?
18. Çfarë duhet të përgatiti për takimin informues?
19. Kur mund të fillojë të përgatisë aplikacionin për licencim bankar?
20. Çfarë dokumentesh duhet të dorëzojë si aplikacion për licencim bankar?
21. Sa shpejt mund të bëhem bankë?
22. Po sikur tashmë kompania ime është e licencuar/regjistruar për ndonjë veprimtari financiare?

Para aplikimit
23. A duhet të kaloj nëpër procesin e para-aplikimit?
24. Çka është plani i biznesit?
25. A janë ndërveprimet e mia me ju konfidenciale?
26. Sa është kapitali minimal i kërkuar për hapjen e një banke të re?
27. A aplikohet kërkesa për kapital edhe me rastin e hapjes së një dege të bankës së huaj në Kosovë?
28. Kush mund të jetë aksionar i bankave?
29. Çfarë prejardhje mund të kenë fondet për investim në formë të kapitalit?
30. A mund të lëshojmë aksione në këmbim të shërbimeve?
31. Sa anëtar mund të ketë bordi i drejtorëve të një banke?
32. A munden aksionarët të jenë anëtarë të bordit të drejtorëve?
33. Cilët drejtorë mund të konsiderohen joekzekutiv?
34. A mundet kryeshefi ekzekutiv të jetë anëtar i bordit të drejtorëve?
35. Cilët drejtorë mund të konsiderohen të pavarur?
36. Çfarë do të thotë i përshtatshëm dhe i duhur për drejtorët dhe menaxherët e lartë?
37. Kur, ku dhe si duhet ta dorëzojë aplikacionin për licencë bankare?
38. Ku mund të lexoj më shumë për qasjen e BQK-së për licencimin e bankave të reja?
39. A kam nevojë të punësoj këshilltarë ose konsulentë të jashtëm për plotësimin e dokumentacionit për aplikim dhe kritereve tjera për licencim bankar?
40. A mund të rekomandoni ndonjë këshilltar ose konsulent të jashtëm?
41. A mund t’i sjell këshilltarët e mi në takimet me ju?
42. A specifikoni cilat sisteme të TI duhet të përdorni?
43. A mund të rekomandoni ndonjë sistem/ofrues të TI-së?
44. Çfarë duhet të bëj nëse në ndërkohë gjatë aplikimit gjërat ndryshojnë?
45. Sa është tarifa e licencimit bankar?
46. Ku mund të gjej detajet e tarifave të aplikimit?
47. Pse duhet të paguaj një tarifë?

Pas aplikimit
48. Çfarë ndodhë pas aplikimit në BQK për licencë bankare?
49. Sa zgjatë vlerësimi i aplikacionit për licencë bankare?

Miratimi paraprak
50. Cilat kushte duhet të plotësohen në mënyrë që aplikacioni për licencë bankare të miratohet në BQK?
51. Çfarë do të thotë miratim paraprak i licencës bankare?
52. Për çfarë periudhe kohore duhet të plotësoj kushtet për miratim të licencës përfundimtare?

Licencimi
53. Çfarë ndodhë nëse ndonjëra nga informatat e dorëzuara me aplikacion ndryshon gjatë periudhës së vlerësimit të aplikacionit tim në BQK?
54. Çfarë duhet të bëjë pas plotësimit të kushteve për licencë përfundimtare?
55. Çfarë do të thotë Ekzaminimi para hapjes?
56. Sa zgjatë vlerësimi i aplikacionit për licencë përfundimtare?
57. A mund të refuzohet aplikacioni ?
58. A mund të apeloj nëse kërkesa për licencë refuzohet?
59. A mund të filloj organizmin para marrjes së licencës përfundimtare ?
60. Nëse institucuioni është i autorizuar për të ushtruar veprimatari financiare, a mund të vazhdojë të ushtrojë atë veprimtari?

Bankat ndërkombëtare
61. Cili është dallimi në mes të një filiali dhe një dege?
62. Cila është pikëpamja e BQK-së për degët?

 

Përgjigjet

Pyetjet më të shpeshta për licencimin bankar

Pyetjet më të shpeshta që BQK pranon nga të interesuarit për aplikim për licencë bankare janë organizuar në kategoritë e mëposhtme:

  • Të përgjithshme;
  • Para aplikimit;
  • Pas aplikimit;
  • Miratimi paraprak;
  • Licencimi;
  • Bankat ndërkombëtare.

 

Të përgjithshme

 

  1. Kush është BQK?

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) është një institucion publik i pavarur i cili i përgjigjet vetëm Kuvendit të Kosovës. Është autoriteti i vetëm për licencim, rregullim dhe mbikëqyrje të institucioneve financiare në Kosovë. Objektivat dhe detyrat e BQK-së janë të përcaktuara në Ligjin Nr. 03/L-209 për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës (linku http://www.bqk- kos.org/repository/docs/2010/Ligji%20per%20BQK-ne.pdf, më tutje ligji për BQK) si dhe Ligjin Nr. 04/L-093 për bankat institucionet mikrofinanciare dhe institucionet financiare jobankare (linku http://www.bqk-kos.org/repository/docs/2012/Ligji%20per%20bankat%20IMF.pdf më tutje ligji për banka).

  1. Çfarë janë institucionet financiare?

Institucione Financiare nënkupton subjektet si: banka, sigurues, fonde pensionale, institucione mikrofinanciare, institucione financiare jobankare, ndërmjetësues në sigurime, trajtues të dëmeve si dhe subjekte tjera juridike që ushtrojnë veprimtari financiare siç përcaktohet me legjislacionin në fuqi i cili e bën Bankën Qendrore autoritetin përgjegjës për licencimin, rregullimin dhe mbikëqyrjen e tyre.

  1. Çfarë është banka?

Banka është një shoqëri aksionare e angazhuar në veprimtari bankare, duke përfshirë një subjekt të varur ose degë të bankës së huaj.

  1. Kur mund ta quaj veten bankë?

Asnjë person nuk mund të përdorë fjalën “bankë” ose derivatet e fjalës “bankë” në lidhje me një veprimtari, produkt ose shërbim ose në veprimtari promocionale pa pasur licencë të lëshuar nga BQK-ja, për tu përfshirë në veprimtari bankare, përveç kur një përdorim i tillë është vendosur ose njohur me legjislacionin në fuqi, një marrëveshje ndërkombëtare, ose kur konteksti në të cilin është përdorur fjala “bankë” nuk ka të bëjë me veprimtari financiare.

  1. A mund të ketë banka status tjetër përveç Shoqërisë Aksionare?

Jo, çdo subjekt juridik që aplikon për licencim në BQK duhet të jetë e regjistruar si Shoqëri Aksionare. Në rastet kur aplikohet si degë e bankës së huaj, banka amë duhet të jetë e regjistruar si Shoqëri Aksionare.

  1. Çfarë është licenca?

Licencë është autorizim i lëshuar nga BQK-ja përmes së cilës subjekti juridik e merr të drejtën për tu marrë me veprimtaritë financiare të specifikuara sipas asaj licence.

  1. A duhet licencë për ushtrim të veprimtarisë bankare?

Po, për të ushtruar veprimtarinë e rregulluar bankare të pranimit të depozitave dhe dhënies së kredive (ndërmjetësim bankar) duhet leje e veçantë e cila quhet “licencë bankare”.

  1. Çfarë është depozita?

Depozita nënkupton shumën e parave që i paguhet një banke nga një person ose subjekt juridik, e cila pranohet nga banka me kusht që të kthehet në tërësi, me ose pa interes a prim qoftë me kërkesë ose në kohën e dakorduar me atë person ose subjekt juridik.

  1. Çfarë veprimtari financiare janë të lejuara për bankat në Kosovë?

Me licencat e tyre, bankat lejohen të angazhohen në veprimtaritë financiare të përcaktuara në nenin 44 të Ligjit për banka.

  1. Ku duhet të aplikojë për t’u pajisur me licencë bankare?

Për tu pajisur me licencë bankare në Republikën e Kosovës, ju duhet të kontaktoni Departamentin e Licencimit dhe Standardizimit, përmes emailit (Licencimi@bqk-kos.org) apo telefonit (+381 38 222 055), ku do të merrni udhëzimet e nevojshme për aplikim. Përveç udhëzimeve te nevojshme, DLS do të ju informoj se para se të filloni me procesin e aplikimit mbajtja e takimit informues me përfaqësuesit e BQK është e obliguar.

  1. A ka rëndësi nëse unë nuk jam me themeluar në Kosovë?

BQK i mirëpret kërkesat nga çdo bankë e re me një model biznesi të shëndoshë pavarësisht se ku kanë institucionin “amë” të themeluar. Nëse ju jeni një bankë me seli në mbarë botën ju mund të veproni në Kosovë si një filiale ose degë (ose të dyja) – ju lutemi shikoni të dhënat e IV – Bankat e Huaja të Manualit të Licencimit Bankar për më shumë detaje.

  1. Sa banka janë të licencuara në Kosovë?

Bankat e licencuara të ushtrojnë veprimtari bankare në Republikën e Kosovë mund t’i gjeni në web faqe të BQK-së.

 

  1. A janë të gjitha bankat e njëjta?

Të gjitha bankat e licencuara në Republikën e Kosovës, mund të ushtrojnë veprimtaritë financiare të përcaktuara në nenin 44 të ligjit për banka.

  1. Nuk jam i sigurt nëse duhet të themeloj një bankë për veprimtarinë financiare të cilën dëshiroj të ofroj për publikun, ku mund të marrë më shumë informacion mbi alternativat e licencimit?

Të interesuarit për licencim bankar, në varësi të planit të biznesit ose veprimtarive që dëshirojnë ti ndërmarrin fillimisht duhet të vlerësojnë nëse themelimi i një banke është i vetmi opsion apo opsioni më i përshtatshëm për ta. Ka një numër alternativash që mund të ndërmirren në vend të themelimit të një banke që lejojnë ofrimin e disa nga shërbimeve që bankat ofrojnë me një kosto potencialisht më të ulët sesa themelimi i një banke. Për shembull, nëse nuk synohet marrja e depozitave por kreditimi i segmenteve të caktuara apo individëve që banojnë në një pjesë specifike të vendit apo nëse synohet kreditimi i ndërmarrjeve të vogla lokale ose organizatave jofitimprurëse, themelimi i një institucioni financiar jobankar apo institucioni mikrofinanciar mund të jetë një alternativë më e përshtatshme. Përderisa ka shkallë të ndryshme të kufizimeve ligjore të vendosura në fushëveprimin ose madhësinë e disa prej këtyre opsioneve alternative, mbani parasysh se këto përputhen me nivele të ndryshme të rregullimit.

  1. Cilët janë aksionarët kryesor të bankës?

Aksionar kryesor nënkupton çdo person (juridik dhe fizik) që posedon në mënyrë të drejtpërdrejtë apo tërthorazi, së bashku ose në bashkëveprim me persona tjerë, dhjetë përqind (10%) ose më tepër të çfarëdo klase të aksioneve me të drejtë vote të një banke ose shoqërie apo dhjetë përqind (10%) të interesit në kapital në një bankë ose shoqëri.

  1. Çka është takimi informues?

Të interesuarit për licencim bankar, janë të obliguar të marrin pjesë në takimin informues ne BQK. Takimi informues mundëson informimin e te interesuarve mbi kuptimin e procesit të licencimit dhe çfarë ndodhë në faza të ndryshme, kuptimin e pritjeve të BQK-së, identifikimin e ndonjë shqetësimi të veçantë që BQK mund të ketë në fillim që mund të ndihmoj në vendimin nëse të interesuarit duan të shpenzojnë kohë dhe para në një aplikacion që nuk mund të përparojë më tej dhe dorëzimin sa më të plotë të aplikacionit.

  1. Kush duhet të jetë prezentë në takimin informues nga ana e aplikuesit?

Në takim duhet që të marrin pjesë të gjithë aksionarët kryesor të bankës së re të propozuar.

 

  1. Çfarë duhet të përgatiti për takimin informues?

Para mbajtjes së takimit informues të interesuarit për aplikim duhet të përgatiten për të prezantuar në takim një përmbledhje të shkurtër të nivelit të lartë të propozimit të biznesit, që si minimum duhet të përmbajë:

  • arsyeshmërinë e themelimit të bankës si dhe strategjinë fillestare të biznesit duke specifikuar se cilat produkte do të ofrohen, si do t’i ofrohen ato dhe tregun e synuar;
  • burimet e financimit – si do të financohen dhe nëse kanë ndonjë investitor dhe/ose fonde në vend;
  • pronësinë dhe ekipin menaxherial – detajet e pronarëve dhe menaxherëve të propozuar, për aq sa ato njihen;
  • planin kohor – një pasqyrë dhe afat kohor të planit tuaj për të themeluar bankën e
  1. Kur mund të fillojë të përgatisë aplikacionin për licencim bankar?

Pas mbajtjes së takimit informues dhe dërgimit të formave për aplikim nga BQK, ju mund të fillojnë përgatitjen e aplikacionit për licencim bankar në BQK.

  1. Çfarë dokumentesh duhet të dorëzojë si aplikacion për licencim bankar?

Aplikacioni për licencim bankar duhet të shoqërohet nga informacionet e kërkuara në nenin 7 të Ligjit për Banka. Kjo pjesë fillon me listimin e dokumenteve mbështetëse që duhet të jenë pjesë e aplikacionit për licencim bankar.

  1. Sa shpejt mund të bëhem bankë?

Nuk ka përgjigje të thjeshtë për këtë pyetje. Faza e para-aplikimit nuk ka një afat kohor të përcaktuar dhe shpejtësia e përparimit është tërësisht në vete dhe varet kryesisht nga serioziteti dhe angazhimi i juaj në plotësimin e dokumentacionit sipas kërkesave ligjore. BQK është e interesuar për cilësinë e materialit që ju përgatitni më tepër sesa sasinë ose shpejtësinë në të cilën ju përgatiteni. Pasi që kërkesa juaj për licencë do të konsiderohet e kompletuar, brenda afatit ligjor prej 90 ditësh, BQK do të marrë një vendim për aplikimin tuaj. – ju lutemi shihni fazën e Aplikimit në Manualin për Licencim Bankar për më shumë detaje. Nëse merrni miratimin paraprak periudha e organizimit/mobilizimit duhet të bëhet brenda një viti.

  1. Po sikur tashmë kompania ime është e licencuar/regjistruar për ndonjë veprimtari financiare?

Nëse kompania juaj tashmë është e licencuar/regjistruar për ndonjë veprimtari financiare ju duhet të aplikoni për të marrë licencën e marrjes së depozitave (licencë bankare). Përderisa ky është një lloj tjetër i licencës, ju duhet të ndiqni të njëjtin proces si një bankë e re dhe duhet të filloni me fazën e para-aplikimit.

 

 

Para aplikimit

 

  1. A duhet të kaloj nëpër procesin e para-aplikimit?

Po, ju duhet që të ndiqni procesin e para-aplikimit, kjo është kërkesë formale e BQK-së. Keni parasysh që firmat që janë më proaktive në fazën e para-aplikimit, paraqesin një kërkesë shumë më cilësore të cilën BQK mund ta vlerësoj më lehtë.

  1. Çka është plani i biznesit?

Plani i biznesi është një përshkrim i biznesit tuaj të propozuar, që përmban detajet e objektivave tuaja dhe si do t’i arrini ato. Plani juaj i biznesit duhet të përshtatet me veprimtaritë që firma juaj ka në plan të ndërmarrë duke marrë parasysh edhe kriteret e licencimit të BQK-së. Plani i biznesit, për të qenë i pranueshëm nga BQK, duhet minimalisht të përmbajë informatat e mëposhtme:

 

  • pasqyrën e biznesit: strategjinë e përgjithshme të bankës së propozuar dhe detajet mbi veprimtarinë e planifikuar bankare;
  • analizën e tregut duke përfshire analizën e konkurrencës direkte dhe indirekte;
  • analizën financiare ku përfshihet shpalosja e strukturës së aseteve, detyrimeve dhe kapitalit si dhe projeksionet financiare për tre vitet e para të operimit;
  • funksionet e rëndësishme bankare;
  • strukturën udhëheqëse të bankës.

Nëse paraqitni një plan biznesi të paplotë ose të paqartë, kjo do të shkaktojë vonesa në vlerësimin e aplikacionit tuaj, pasi BQK do të duhet të bëj pyetje të mëtejshme ose të kërkoj informacione të mëtejshme për të fituar një pasqyrë të qartë të biznesit tuaj. Megjithatë, plani juaj i biznesit edhe mund të evoluojë gjatë procesit të para-aplikimit, përderisa  zhvilloni modelin tuaj të biznesit dhe merrni komentet  nga BQK.  Plani i Biznesit është një pjesë e rëndësishme e aplikimit tuaj të përgjithshëm dhe është pjesë përbërëse e vendimmarrjes së BQK-së. BQK do ta përdor atë për të vlerësuar rreziqet që biznesi juaj i paraqet për objektivat tuaja dhe se si planifikoni t’i kontrolloni dhe menaxhoni ato. Ju gjithashtu duhet të përdorni planin tuaj të biznesit për t’ju ndihmuar të fokusoheni në drejtimin e veprimtaritë tuaja dhe organizimin e burimeve për të arritur objektivin tuaj.

  1. A janë ndërveprimet e mia me ju konfidenciale?

Po. Të gjitha pyetjet dhe informatat që BQK pranon të trajtohen si konfidenciale.

 

  1. Sa është kapitali minimal i kërkuar për hapjen e një banke të re?

Kapitali minimal i kërkuar për hapjen e një banke të re është shtatë (7) milion euro.

 

  1. A aplikohet kërkesa për kapital edhe me rastin e hapjes së një dege të bankës së huaj në Kosovë?

Nëse aplikuesi për licencë bankare aplikon të licencohet si degë e bankës së huaj, kërkesa e cekur më lartë në këtë kapitull nuk aplikohet. Mirëpo çdo bankë e huaj që aplikon të themelojë një degë të bankës së huaj në Republikën e Kosovës i kërkohet që të deponojë në BQK në emër të kapitalit fillestar, një shumë prej shtatë

(7) milionë Euro si Depozitë Ekuivalente me Kapitalin (DEK) siç kërkohet me nenin 17 të Ligjit për Banka dhe nenin 4 të Rregullores për Licencimin e Bankave dhe Degëve të Bankave të Huaja. Pra shuma fillestare e kërkuar në emër të DEK-ut, është e njëjtë dhe ka të njëjtin funksion me atë të kapitalit minimal të kërkuar më lartë.

  1. Kush mund të jetë aksionar i bankave?

Aksionar i bankave mund të jetë çdo person i cili është i përshtatshëm dhe duhur, dhe vërteton qëndrueshmërinë financiarë.

  1. Çfarë prejardhje mund të kenë fondet për investim në formë të kapitalit?

Kapitali minimal duhet të paguhet në para të gatshme dhe fondet e tij nuk mund të rrjedhin nga veprimtaritë joligjore dhe nga:

  • kreditë nga bankat në të cilat bëhet pagesa e kapitalit; apo
  • kreditë kur banka që pranon kapital është garantues;
  • kreditë nga bankat tjera në Kosovë, përveç nëse janë të kolateralizuara njëqind përqind (100%) me letra me vlerë të aprovuara e që mbahen nga pala e tretë si
  1. A mund të lëshojmë aksione në këmbim të shërbimeve?

Aksionet e lëshuara në këmbim të shërbimeve nuk trajtohen si kapital i paguar. Gjithashtu edhe pagesat ose shpenzimet për blerjen ose për qiramarrjen e lokaleve të punës dhe pajisjeve, si dhe shpenzimet e tjera operative nuk përfshihen në shumën e kapitalit fillestar minimal ose shumën minimale të depozitës në barasvlerën e kapitalit.

  1. Sa anëtar mund të ketë bordi i drejtorëve të një banke?

Bordi i drejtorëve përbëhet nga numri tek prej jo më pak se pesë (5) anëtarë. Të gjithë anëtaret e bordit kanë të drejtë vote. Shumica e këtyre anëtarëve duhet të jenë drejtorë joekzekutiv të pavarur, dhe së paku njëri prej tyre duhet të jetë banor i Kosovës.

  1. A munden aksionarët të jenë anëtarë të bordit të drejtorëve?

Po munden, vetëm duhet të keni parasysh që shumica e këtyre anëtarëve duhet të jenë drejtorë joekzekutiv të pavarur.

  1. Cilët drejtorë mund të konsiderohen joekzekutiv?

Çdo drejtor i cili nuk është menaxher i lartë apo punonjës në bankë, konsiderohet joekzekutiv.

 

  1. A mundet kryeshefi ekzekutiv të jetë anëtar i bordit të drejtorëve?

Kryeshefi Ekzekutiv është anëtar i bordit të drejtorëve me automatizëm, mirëpo pa të drejtë vote.

 

  1. Cilët drejtorë mund të konsiderohen të pavarur?

Drejtorët do të konsiderohen të pavarur nëse:

  • Ata janë të pavarur nga menaxhmenti dhe aksionarët e bankës; dhe gjykimi i tyre do të ushtrohet vetëm për të mirën e bankës;
  • Nuk ka konflikt faktik apo të perceptuar të interesit që rrjedh nga marrëdhëniet e tyre me bankën dhe me palët e ndërlidhura me bankën;
  • Ata nuk janë punësuar nga banka apo palët e ndërlidhura me të, përveç si anëtar i Bordit apo këshilltar i Bordit në kompanitë tjera të grupit;
  • Ata nuk janë punësuar si drejtor ekzekutiv të kompanive tjera ku ndonjëri nga ekzekutivët e asaj kompanie shërben në Bordin e bankës;
  • Në gjashtë muajt e fundit ata nuk kanë qenë të lidhur ose të punësuar nga një auditor i jashtëm aktual i bankës;
  • BQK-ja po ashtu mund të marrë parasysh fakte dhe rrethana të tjera që ata mund t’i konsiderojnë si relevante për të vendosur nëse një drejtor është i pavarur apo

 

  1. Çfarë do të thotë i përshtatshëm dhe i duhur për drejtorët dhe menaxherët e lartë?

Përshtatshmëria e drejtorëve dhe menaxherëve të lartë të propozuar konsiderohet si thelbësore në procesin  e BQK-së për licencimin dhe mbikëqyrjen e bankave. Si pjesë e procesit të licencimit rregullativa në fuqi kanë përcaktuar kriterin “i përshtatshëm dhe i duhur” dhe kriterin e pavarësisë për miratimin e drejtorëve dhe menaxherëve të lartë. Elementet të cilat merren në konsideratë për këto kritere përfshijnë: të dhënat mbi veprat penale, pozitën financiare, veprimet civile kundër individëve për ndjekjen e borxhit personal, refuzimi i anëtarësimit apo përjashtimi nga organizatat profesionale, sanksione të zbatuara nga rregullatorët e industrive të ngjashme dhe praktikat e mëhershme të dyshimta të biznesit. Çdo aksionar kryesor, drejtor, menaxher i lartë duhet të përmbushin kërkesat për i përshtatshëm dhe i duhur, në lidhje me pozicionin përkatës.

  1. Kur, ku dhe si duhet ta dorëzojë aplikacionin për licencë bankare?

Aplikacionin duhet ta dorëzoni, pasi që të keni plotësuar dokumentacionin e nevojshëm për aplikim, në BQK në formë fizike dhe elektronike.

  1. Ku mund të lexoj më shumë për qasjen e BQK-së për licencimin e bankave të reja?

Për procesin e licencimit të bankave të reja ju mund të lexoni në Ligjin nr. 04/L-093 për bankat, institucionet mikrofinanciare dhe institucionet financiare jobankare (linku http://www.bqk- kos.org/repository/docs/2012/Ligji%20per%20bankat%20IMF.pdf); Rregulloren e BQK-së për licencimin e       bankave                dhe                     degëve         të                      huaja                (linku                  http://bqk- kos.org/repository/docs/korniza_ligjore/shqip/Licencimi%20i%20Bankave%20dhe%20Degeve%20te%20 Bankave%20te%20Huaja.pdf) si dhe Manualin e Licencimit Bankar.

  1. A kam nevojë të punësoj këshilltarë ose konsulentë të jashtëm për plotësimin e dokumentacionit për aplikim dhe kritereve tjera për licencim bankar?

Kjo varet vetëm nga ju, por BQK nuk kërkon nga ju që ta bëni këtë. Shumë aplikues e vlerësojnë të dobishme angazhimin e këshilltarëve të jashtëm ose konsulentë, ndërsa të tjerët vlerësojnë se kanë nivelin e duhur të ekspertizës brenda stafit të tyre.

  1. A mund të rekomandoni ndonjë këshilltar ose konsulent të jashtëm?

Jo, BQK nuk mund të rekomandoj ndonjë këshilltarë të veçantë të jashtëm ose konsulentë.

 

  1. A mund t’i sjell këshilltarët e mi në takimet me ju?

Po ju mund t’i sjellni, por BQK nuk pret që ata të flasin në emrin tuaj.

 

  1. A specifikoni cilat sisteme të TI duhet të përdorni?

BQK nuk specifikon cilat sisteme të TI duhet të përdorni. Veprimtaritë e rregulluara të bankës duhet të mbështeten nga shërbimet e TI-së të cilat janë efektive, elastike dhe të sigurta si dhe janë të dizajnuara në mënyrë të përshtatshme për të plotësuar nevojat e ardhshme të pritshme, si dhe nevojat aktuale të bankës.

 

  1. A mund të rekomandoni ndonjë sistem/ofrues të TI-së?

Jo, BQK nuk mund të rekomandoj ndonjë sistem/ofrues të TI-së.

 

  1. Çfarë duhet të bëj nëse në ndërkohë gjatë aplikimit gjërat ndryshojnë?

Nëse ka ndonjë ndryshim në lidhje me planet tuaja duhet të kontaktoni BQK-në më së largu 5 ditë nga data e ndryshimit dhe të diskutoni për këto ndryshime.

  1. Sa është tarifa e licencimit bankar?

Tarifa e licencimit bankar është 10,000.00 Euro.

 

  1. Ku mund të gjej detajet e tarifave të aplikimit?

Të gjitha tarifat e kërkuara të aplikimit janë të paraqitura në Skemën e Tarifave që gjendet në ueb-faqen zyrtare të BQK-së (http://bqk-kos.org/?id=88) dhe janë të pakompensueshme, pa marrë parasysh vendimin e BQK-së. Nëse tarifa e licencimit nuk është paguar, aplikacionet konsiderohen të pa kompletuara, dhe rrjedhimisht nuk shqyrtohen.

  1. Pse duhet të paguaj një tarifë?

BQK financohet nga tarifat dhe taksat e mbuluara nga institucionet që licencon, rregullon dhe mbikëqyrë. Si pjesë e kësaj kërkon një tarifë për shqyrtimin e një aplikacionit për licencë bankare.

 

 

Pas aplikimit

 

  1. Çfarë ndodhë pas aplikimit në BQK për licencë bankare?

Pas dorëzimit formal të aplikacionit për licencim bankar, BQK bën vlerësimin e parë ku verifikohet nëse aplikacioni i dorëzuar është i plotë ose jo. Që aplikacioni të vlerësohet i plotë, duhet të dorëzohen në BQK të gjitha format e kërkuara, të cilat duhet të jenë plotësuar plotësisht dhe në mënyrë korrekte dhe informacioni i ofruar duhet të jetë i cilësisë dhe detajeve të mjaftueshme për të lejuar BQK-së përfundimin e vlerësimin. Gjithashtu që të vlerësohet i plotë aplikacioni, duhet t’i ketë të inkorporuara përgjigjet ndaj komenteve të BQK-së të ofruara gjatë fazës së para-aplikimit.

  1. Sa zgjatë vlerësimi i aplikacionit për licencë bankare?

BQK-ja brenda 90 ditësh pas ditës së pranimit të aplikacionit, e shqyrton dokumentacionin e dorëzuar dhe e njofton aplikuesin me shkrim nëse dokumentacioni është apo nuk është kompletuar. Nëse dokumentacioni i paraqitur nuk është i kompletuar, BQK-ja do të njoftojë aplikuesin për mangësitë ose për mospërputhjet e identifikuara së bashku me kërkesën për informata ose dokumente shtesë që kërkohen. Afati për paraqitjen e informatave ose dokumenteve shtesë është jo me vonë se nëntëdhjetë (90) ditë pas njoftimit sipas këtij paragrafi. Nëse informatat ose dokumentet shtesë të kërkuara janë paraqitur brenda afatit, BQK do ta njoftoj palën se aplikacioni është i kompletuar. BQK-ja ndërpret procedurat e shqyrtimit të aplikacionit për regjistrim në rast se të dhënat dhe/ose dokumentacioni i kërkuar për regjistrim nuk plotësohet nga aplikuesi brenda nëntëdhjetë (90) ditësh nga data e njoftimit. Në rast të ndërprerjes së procedurës së shqyrtimit të aplikacionit për regjistrim, BQK-ja e njofton me shkrim aplikuesin. BQK-ja nxjerr vendim me të cilin aprovon apo refuzon regjistrimin si institucion financiar jobankar brenda nëntëdhjetë (90) ditësh nga data e njoftimit të aplikuesit se aplikacioni për regjistrim është i kompletuar. Për vendimin e marrë BQK-ja menjëherë e informon aplikuesin. Me marrëveshje të ndërsjellë ndërmjet BQK-së dhe aplikuesit, periudha për marrjen e vendimit mund të zgjatet deri në nëntëdhjetë (90) ditë të tjera.

 

 

Miratimi paraprak

 

  1. Cilat kushte duhet të plotësohen në mënyrë që aplikacioni për licencë bankare të miratohet në BQK?

BQK-së paraprakisht miraton një licencë vetëm nëse plotësohen kushtet e mëposhtme:

  • nëse plani i biznesit bazohet në analiza të sakta mbi supozime të arsyeshme rrjedhimisht është real dhe konkurrues në treg;
  • banka e propozuar ose banka e huaj do të veprojë në pajtueshmëri me të gjitha dispozitat e Ligjit për Banka;
  • struktura organizative e bankës së propozuar dhe filialeve të saja dhe struktura e pronësisë e propozuar do t’i lejojë BQK-së të ushtrojë mbikëqyrje efektive dhe të
  • kualifikimet, përvoja, integriteti dhe reputacioni i çdo drejtori, aksionari kryesor dhe menaxheri të lartë dëshmon që janë të përshtatshëm dhe të aftë për planin e biznesit të bankës së propozuar dhe veprimtarive bankare siç përcaktohet nga BQK-ja në nenin 35 dhe nenin 37 të Ligjit për Banka;
  • dëshmohet burimi i ligjshëm i fondeve të kapitalit, si dhe kapaciteti financiar për investimin e fondeve të planifikuara dhe për realizimin e financimeve të nevojshme për vazhdimin e qëndrueshëm të veprimtarisë së

 

Përveç siç u cek më lartë, miratimi paraprak i kërkesës për licencë lidhur me një subjekt të varur (filialë) ose degë të bankës së huaj bëhet vetëm nëse:

  • banka e huaj është e autorizuar për t’u angazhuar në veprimtarinë e pranimit të depozitave ose fondeve në formë depozitash në juridiksionin ku gjendet drejtoria e saj qendrore;
  • autoriteti mbikëqyrës përgjegjës ku ka selinë qendrore banka e huaj, ka dhënë pëlqimin e tij me shkrim për dhënien e licencës së këtillë; dhe
  • BQK-ja përcakton se banka e huaj mbikëqyret në mënyrë adekuate në bazë të konsoliduar globale nga mbikëqyrësi i saj në shtetin amë. Mbikëqyrësi nga shteti amë duhet ta pranojë me shkrim se është në dijeni të dhënies së licencës së re dhe pajtohet që t’i ofrojë informatat BQK-së me kërkesë të
  1. Çfarë do të thotë miratim paraprak i licencës bankare?

Miratim paraprak do të thotë që aplikacionit tuaja sipas zotimeve tuaja ka plotësuar kriteret e BQK-së për licencim. Në rast të miratimit paraprak të një kërkese për licencë, BQK i përcakton të gjitha kushtet për bankën të cilës i jepet licenca për fillimin e operacioneve të saj. Kushte e këtilla mund të përfshijnë:

  • pagesën e kapitalit fillestar që aksionarët duhet të bëjnë për bankën;
  • punësimin dhe trajnimin e personelit të bankës;
  • marrjen me qira ose blerjen e pajisjeve operative dhe përcaktimin e sistemeve operative, duke përfshirë edhe auditimin dhe kontrollet e brendshme;
  • marrjen me qira, blerjen ose zotërimin e lokaleve të bankës;
  • angazhimin e një auditori të jashtëm në përputhje me nenin 54 të Ligjit për Banka;
  • çdo kusht tjetër që BQK-ja e konsideron të përshtatshëm.
  1. Për çfarë periudhe kohore duhet të plotësoj kushtet për miratim të licencës përfundimtare?

Sipas nenit 8 paragrafi 6 i Ligjit për Banka, nëse brenda një (1) viti një bankë nuk vepron në përputhje me kushtet për marrjen e licencës për fillimin e veprimtarisë, miratimi paraprak i kërkesës do të revokohet.

 

 

Licencimi

 

  1. Çfarë ndodhë nëse ndonjëra nga informatat e dorëzuara me aplikacion ndryshon gjatë periudhës së vlerësimit të aplikacionit tim në BQK?

Në rast të ndryshimeve të informatave, mbi bazën e të cilave BQK ka lëshuar miratimin paraprak, aplikuesi për licencë njofton me shkrim BQK-në për faktet ose rrethanat e reja të krijuara. Ky njoftim duhet t’i dërgohet BQK-së menjëherë pasi krijimit të rrethanave të reja, por jo më vonë se pesëmbëdhjetë (15) ditë pas paraqitjes së tyre. Nëse ndryshimet që shfaqen gjatë fazës së organizimit ndryshojnë në mënyrë thelbësore faktet në të cilat BQK-ja e ka bazuar miratimin e saj paraprak, ai miratim mund të revokohet.

  1. Çfarë duhet të bëjë pas plotësimit të kushteve për licencë përfundimtare?

Pas plotësimit të kushteve të përcaktuara me marrjen e miratimit paraprak për licencë, si dhe kushteve të përcaktuara me nenin 8, paragrafi 5, të Ligjit për Banka, banka në themelim duhet të aplikojë me shkrim në BQK për marrjen e licencës përfundimtare. Dokumentacioni i nevojshëm për aplikim është sqaruar në nenin 11 të Rregullores për licencimin e bankave dhe degëve të bankave të huaja.

  1. Çfarë do të thotë Ekzaminimi para hapjes?

Ekzaminimi i parahapjes (tash e tutje EPH) është hapi i fundit i procesit të licencimit të bankës i cili realizohet nga BQK që të përcaktohet se janë plotësuar të gjitha kushtet teknike dhe të sigurisë të përcaktuara me rregulloren e BQK për Kërkesat Minimale të Sigurisë dhe zotimeve të dhëna me aplikacionin për licencimin paraprak. Ekzaminimi realizohet nga Departamenti për Licencim dhe Standardizim në bashkëpunim me Departamentin për Mbikëqyrjes Bankare në BQK.

  1. Sa zgjatë vlerësimi i aplikacionit për licencë përfundimtare?

Brenda katërdhjetë e pesë (45) ditëve nga data e EPH-së, BQK merr vendim me anë të së cilit miraton apo refuzon dhënien e licencës përfundimtare të një banke apo degë të bankës së huaj. Nëse BQK-ja konstaton se janë plotësuar kushtet e përcaktuara në nenin 8 paragrafi 5, të Ligjit për Banka, nenit 11 të Rregullore për Licencimin e Bankave dhe Degëve të Bankave të Huaja si dhe me vendimin për miratim paraprak, merr vendim për dhënie të licencës dhe banka do të bëhet anëtare e Fondit për Sigurimin e Depozitave të Kosovës.

 

  1. A mund të refuzohet aplikacioni ?

Po, BQK mundet të refuzojë aplikacioni nëse nuk plotësohen kriteret për licencim. Me rastin e refuzimit, BQK do të ju informojmë me kohë dhe do të jap arsyetimin e bazuar për refuzim.

  1. A mund të apeloj nëse kërkesa për licencë refuzohet?

Po pala e pakënaqur mund të ushtroj padi (kundër vendimit të BQK-së për refuzim të kërkesës për licencë) pranë gjykatës kompetente në afatin prej tridhjetë (30) ditësh nga data e pranimit të vendimit, por ushtrimi i padisë nuk e ndalon zbatimin e tij.

  1. A mund të filloj organizmin para marrjes së licencës përfundimtare ?

Aplikuesi mund të fillojë organizmin e bankës para se të licencohet nga ana e BQK-së. Megjithatë, puna e bankës nuk mund të fillojë deri sa të jepet një licencë përfundimtare.

  1. Nëse institucuioni është i autorizuar për të ushtruar veprimatari financiare, a mund të vazhdojë të ushtrojë atë veprimtari?

Po, institucioni mund të mund të vazhdoj të kryej veprimtarinë për të cilin tashmë është autorizuar edhe gjatë procesit të aplikimit për licencë bankare. Sidoqoftë, nuk mund të ushtrohen veprimtaritë për të cilat institucioni po aplikon, derisa të bëhet autorizimi.

 

 

 

Bankat ndërkombëtare

 

  1. Cili është dallimi në mes të një filiali dhe një dege?

Filial nënkupton një subjekt të varur të bankës së huaj, që është nën kontroll të përbashkët me këtë bankë, ndërsa degë e bankës së huaj nënkupton një subjekt ligjërisht të varur të bankës e pa themeluar me vete, nëpërmjet të cilës banka e huaj angazhohet në veprimtari bankare në Republikën e Kosovë. Për më shumë ju lutem referojuni shtojcës IV të Manualit të Licencimit Bankar.

  1. Cila është pikëpamja e BQK-së për degët?

BQK ka përcaktuar qasjen e saj ndaj mbikëqyrjes së bankave ndërkombëtare në Manualin e mbikëqyrjes së bazuar në rrezik për banka.

Artikulli paraprakEdukimi financiar: A udhëhiqni ju me paratë tuaja apo paratë udhëheqin me ju?
Artikulli tjetërATK: Mundësohet edhe kompensimi për të vetpunësuarit, pagat dhe qiratë e paguara nga Pakoja Emergjente Fiskale