Kush është ai që thotë se nuk i do gratë? Askush. Tek secili prej nesh gjendet një grua, ndoshta më shumë, e cila jo vetëm që pasqyron dashurinë e kulluar, por është boshti i vetë jetës. Të mjafton që gruaja është nënë. Sa herë që frikësohemi dhe na mbërthen paniku nga diçka e frikshme, edhe pse burra të rritur tashmë, thërrasim me zë e me zemër “Oj nënë!”
Sigurisht, gruaja nuk është e fortë për shkak të muskujve. Ajo është më e fortë se burri për shkak të forcës së durimit. Ajo është trajtuar si një pakicë e ligsht, jo se burri është më i mirë, por sepse vetëpëlqimi i tij është më i madh.
Fuqia e grave e fshehtë, qëndron në atë se posedojnë një mendje të hollë, të cilën nuk e pikasin dot burrat.
Xhorxh Sand, është një shkrimtare franceze, e cila huazoi një emër burri me qëllim që shkrimet e saj të publikoheshin dhe të lexoheshin nga shoqëria franceze, e cila asokohe i refuzonte veprat e grave. Një ditë, dikush i tha që:”Gruaja është krijuar idiote!”
Ajo iu përgjigj shumë shpejt nëpërmjet mendjes së saj të hollë me fjalët:”E vërtetë, dhe kjo, që të përkojë me mendjen e burrave.”
Historia na flet edhe për gra monstra dhe të pamëshirshme, por kjo është një devijim nga baza dhe origjina. Të çudit fakti që disa gra ua kanë kaluar edhe burrave në gjakderdhje, dhunë dhe krime. Mbretëresha angleze Maria, pati bërë masakra kundër protestantëve, me dëshirën që ta shohë Britaninë katolike. Prandaj dhe njihet me nofkën Bloody Mary (Maria gjakderdhëse). Izabela, gruaja e Ferdinandit të dytë, hyri në histori për gjykatat e inkuizicionit ndaj myslimanëve dhe hebrenjve.
Kriminelja më e madhe në histori, ajo që njihej si amerikania ujk, dy metra e gjatë dhe 100 kg, as Holaku i mongolëve nuk i afrohet për nga aktet kriminale. Ajo vrau të gjithë miqtë e saj, këdo që fejohej apo martohej me të, madje vrau dhe dy vajzat e saj. Thuhet se të paktën ka vrarë me duart e saj njëqind persona, për shkakun e thjeshtë: Donte të përvetësojë shumat e sigurimit të jetës së tyre dhe të shtjerë në dorë pronat që kishin.
Emri më i frikshëm në Tunizi, nuk ishte emri i presidentit diktator Ben Ali, por emri i të shoqes Lejla. Në ambientet politike, emri i autoritetit të saj të pakrahasueshëm dhe pushtetit, përmendej si emri i një fantazme që shkakton vetëm panik. Ndoshta, Bin Ali do i kishte thirrur logjikës, por ishte e shoqja ajo që doli kundër njerëzve, sigurisë dhe besimeve të tyre, duke përvetësuar dhe zhvatur gjithçka. Thuhet se ajo ia mbathi në mënyrë dinake me një avion privat drejt Dubait, pasi kishte marrë me vete dyzet milionë pllaka ari. Banka qendrore e Tunizisë e hedh poshtë këtë lajm, edhe pse e ka akuzuar zonjën Lejla se ka zhvatur një ton e gjysmë ar. Ajo radhitet tek ato pak gra jonormale, të cilat kanë hyrë në histori nëpërmjet derës së saj më të errët.
Klubi i besimit, është një libër që ka autor tre femra. Ideja e librit, erdhi si përgjigje e një vajze me origjinë palestineze, drejtuar nënës së saj, Rania Delibij. Pas 11 shtatorit, vajza e vogël pyeti nënën:”Përse përplasen fetë?”
E ëma u gjet ngushtë dhe menjëherë mori në telefon dy gra eksperte në fetë e tyre, njëra e krishterë dhe tjetra hebraike. Ato filluan të takohen sistematikisht në shtëpitë e tyre dhe diskutonin rreth thelbit dhe mesazhit real të feve. Si përfundim, këto diskutime u grumbulluan në një libër të përbashkët, me autor Rania Delibij, Suzan Oliver dhe Priscila warner. Në fund të librit, ata nuk kanë harruar të rrëfejnë si u themelua klubi i besimit. Mos ka ardhur radha e grave që ti tregojnë kufirin përplasjeve fetare? Kush e di?
Në fund, po sjell një poezi të shkurtër për gruan:
Kur linda, ishte një grua që më solli në jetë, nëna ime.
Gjatë fëmijërisë time, ishte një grua me të cilën luaja, qeshja dhe kënaqesha, motra ime.
Kur erdhi koha të shkoj në shkollë, sërish një grua më mori për dore dhe më mësoi gjërat e para të jetës, mësuesja ime.
Kur më nevojitej dashuri u gjet një grua tjetër për të ma plotësuar këtë nevojë, ime shoqe.
Kur fillova të ngurtësohem dhe ti humbas ndjenjat e bukura për shkak të përvojave të ashpra në jetë, ishte një grua ajo që ma zbuste natyrën time të egër, një grua tepër e brishtë dhe lozonjare, ime bijë.
Kur të vdes dhe të ndahem përjetësisht nga kjo botë, do të jem në përqafimin e ngrohtë të një gruaje, tokës mëmë.
Dr Nexhib Zamil