Dispozita e dhënies së zekatit për motrën dhe babain
Pyetje: A lejohet që t’i jap motrës sime zekatin, nga pasuria ime, duke ditur se ajo nuk ka të ardhura të tjera përveç pensionit të babait që ka vdekur?
Përgjigje: Nëse motra jeton e pavarur dhe e vetme në shtëpinë e saj dhe pranë saj nuk gjendet dikush që të kujdeset për të, atëherë lejohet që t’ia japësh asaj zekatin. Por, nëse ajo banon në të njëjtën shtëpi me ty dhe ti shpenzon për të, atëherë mos ia jep zekatin, sepse ajo është e lidhur me shpenzimin që t’i bën për të. Nëse ti shpenzon për të nga pasuria jote dhe ia jep zekatin dikujt tjetër, kjo është më e mirë dhe më e sigurt, nëse ke mundësi që ta bësh diçka të tillë.
Pyetje: A lejohet që t’i jap vëllait një pjesë të zekatit, prej zekatit të pasurisë, duke ditur se ai është nëpunës, por të ardhurat nuk i mjaftojnë për të mbajtur familjen? Allahu jua shpërbleftë.
Përgjigje: Nuk ka asnjë ndalesë nëse vëllait, xhaxhait apo dajës, nëse janë të varfër dhe rrogën e kanë të vogël aq sa nuk u mjafton për të përmbushur nevojat e veta, tu japësh nga zekati yt. Ndërsa për sa i përket babait, nënës dhe fëmijëve nuk u jepet nga zekati, por u jepet nga pasuria që nuk është zekat. Nëse vëllai është dobët ekonomikisht dhe i varfër, po ashtu edhe daja, xhaxhai apo djali i xhaxhait apo të afërm të tjerë të ngjashëm me ta, dhënia nga zekati për ta është sadeka dhe njëkohësisht forcim i lidhjeve farefisnore. Atyre u jepet nga zekati dhe për këtë ka dy shpërblime: një për zekatin dhe një tjetër për ruajtjen e marrëdhënieve farefisnore.
Pyetje: A lejohet zekati për të afërmit siç është vajza dhe motra, xhaxhai dhe halla? Babai i jep çdo vit zekat vajzave, vëllezërve dhe motrave të veta, por kam dëgjuar dikë të thotë se zekati nuk u jepet vajzave, sepse ato do të trashëgojnë babain e tyre pas vdekjes, duke ditur se motra e mia janë të martuara dhe disa prej tyre e kanë të shoqin në gjendje jo të mirë financiare?
Përgjigje: Të afërmit janë disa kategori. Nëse i afërmi është nga degët, siç janë fëmijët dhe fëmijët e djemve dhe të vajzave, si dhe vetë vajzat, nuk u jepet nga zekati. Ky është qëndrimi i dijetarëve, por shpenzimet e tyre i merr përsipër babai i tyre, nëse janë të varfër ai shpenzon për ta nga pasuria e tij. E njëjta gjë vlen edhe për baballarët, gjyshërit, nënat etj. Të gjithë këtyre nuk u jepet nga zekati. Ndërsa pjesa tjetër e të afërmve siç janë vëllezërit, xhaxhallarët, fëmijët e xhaxhallarëve, fëmijët e dajës dhe fëmijët e tezës etj. u jepet nga zekati nëse janë të varfër ose borxhlinj që nuk i shlyejnë dot borxhet e tyre, duke u nisur nga thënia e Allahut të Lartësuar: “Lëmosha e zeqatit është vetëm për të varfrit, për nevojtarët, për ata që janë ngarkuar me mbledhjen dhe administrimin e tij, për lirimin e skllevërve, për të rënduarit nga borxhet, për (luftëtarët në) rrugën e Allahut dhe për udhëtarët e mbetur rrugëve.”
Në këtë rast zekati konsiderohet edhe sadeka, dhe forcim i lidhjes farefisnore, siç thotë Profeti a.s.: “Sadekaja për të afërmit është sadeka dhe lidhje.”
Për sa i përket baballarëve, gjyshërve, nënave dhe pasardhësve, ata nuk janë prej kategorisë që përfiton nga zekati dhe nuk u jepet, sepse ata janë e njëjta gjë: fëmijët janë pjesë e tij, ai është pjesë e babait dhe nënës së vet, prandaj është detyrë që ai të shpenzojë për ta nga pasuria e vet dhe nga zekati nëse janë të varfër.
Burimi: http://www.alifta.net/Fatawa/fatawaChapters.aspx?languagename=ar&View=Page&PageID=4385&PageNo=1&BookID=5&TopFatawa=true