Shtohet interesimi edhe për kulturat e reja bujqësore

Viteve të fundit, edhe në vendin tonë ka filluar të kultivohet një numër i madh i kulturave të reja bujqësore. E interesimi i fermerëve për kultivimin e tyre, nga dita në ditë po vjen duke u shtuar e bashkë me të edhe përkrahja e institucioneve vendore e ndërkombëtare, të cilat viteve të fundit po e mbështesin zhvillimin e sektorit të bujqësisë. Një ndër kulturat që ka zgjuar interesim tek fermerët, është ajo e boronicës, e cila sipas kultivuesve të saj është mjaft premtuese për të ardhmen.

Ekspertë nga programi i USAID-it “Mundësi të Reja për Bujqësi”, të cilët e kanë përkrahur kultivimin boronicës në Kosovë, thonë se përkrahja për fermerët në Kosovë do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Maxhun Shehaj, ekspert i pemëtarisë në këtë program, ka thënë për portalin “Ferma Ime”, se deri më tash kanë përkrahur fermerët për ngritjen e 10 hektarëve me boronicë.

“Deri më tash janë ngritur 10 hektarë me boronicë , prej tyre 9.5 hektarë për prodhim komercial dhe 50 ari për shtim të materialit mbjellës”, ka treguar Shehaj. Sipas tij, përfitues të kësaj përkrahje kanë qenë nëntë fermerë, ku tetë prej tyre kanë qenë prodhues frutash dhe një fidanrritës. “Vitin e ardhshëm pritet vlerësimi i tregut meqë atëherë pritet prodhimi në shkallë komerciale”, ka treguar, Maxhun Shehaj nga NOA. Ndryshe sipas tij, plantacionet shtrihen kryesisht në zonat e Gjilanit, Shtërpcës, Gjakovës, Junikut dhe Deçanit.

Ndërsa, kultivuesit e kësaj kulture, tregojnë se përkrahja që e kanë marrë nga NOA, ka lehtësuar shumë punën e tyre në zhvillimin e kësaj veprimtarie.

Xhavit Mulaj, nga Lluka e Epërme e Komunës së Deçanit, i cili merret tash e tre vite me kultivimin e boronicës, tregon për portalin “Ferma Ime”, se me këtë kulturë ka të mbjellë një sipërfaqe prej 50 ari. Ai thotë se për të punuar këtë hapësirë të tokës si dhe kulturat të tjera që i ka të mbjella, janë të angazhuar pesë punëtorë. “Për të filluar edhe me kultivimin e boronicës na ka ndihmuar programi i USAID-it “Mundësi të Reja për Bujqësi”, të cilët na kanë përkrahur me material fidanor dhe me këshilla teknike në vazhdimësi, gjë që na ka lehtësuar shumë punën tonë”, thotë Mulaj.

Ai vlerëson se kultura e boronicës është premtuese, përderisa pret që me kapacitete të plota të kësaj prodhimtarie të dal në treg në vitin 2014. “Për momentin këto janë vitet e para të kultivimit, dhe kultura e boronicës në këtë fillim nuk jep prodhim të madh prandaj për këtë arsye nuk kemi pasur mundësi të dalim në treg, por ne kemi planifikuar që në treg me boronicë të dalim vitin e ardhshëm”, tha fermeri Mulaj.

Sipas kalkulimeve që kanë bërë, ai thotë se boronica është njëra ndër kulturat më të levërdishme. Ky fermer nga Lluka e Epërme e Deçanit, thotë se përveç kultivimit të boronicës merret edhe me kultivimin dredhëzës, nga shitja e së cilës është ndarë mjaft i kënaqur. “Ne jemi të licencuar edhe si fidanishte, si për dredhëzën e po ashtu edhe për boronicën, por me fidanë të boronicës nuk kemi dal ende pasi që është kulturë e re e cila kultivohet në Kosovë, ndërsa sa i përket fidanëve të dredhëzës është viti i tetë që jemi në treg me fidanet e saj”, ka treguar fermeri Xhavit Mulaj.

Ndryshe, sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, në vendin tonë kultivohen këto varietete të boronicës: bluecrop, elliot, legacy, toro, sierra, nelson, arlen dhe chanticler./ora/kohaislame.com

Artikulli paraprakBanka e Zhvillimit Islamik, hapi dje në Ankara filialin e saj të ri
Artikulli tjetërFMN: Ekonomia Globale nën kërcënimin e falimentit bankar