Kartelat bankare – paraja elektronike

Sistemet bankare bashkëkohore vazhdojnë të fusin ndryshime të tërësishme në lidhje me paranë dhe zhvillimin e bizneseve. Ndër këto ndryshime është edhe mënjanimi i përdorimit të parave të gatshme (cash) gjatë tregtive të ndryshme duke e zëvendësuar me paratë elektronike, të cilat i vihen në dispozicion klientit 24 orë në ditë dhe kudo që ka nevojë.

Për të krijuar një ide më të qartë mbi këto shërbime, që tani pothuajse janë bërë domosdoshmëri për secilin, do të sqarojmë më shumë duke treguar llojet e tyre, mënyrat e përdorimit, përparësitë, gjithashtu edhe qëndrimin e jurisprudencës islame rreth këtyre llojeve.

1- Çfarë janë kartelat bankare

Kartelat bankare në gjuhën arabe quhen: “Bitakat el I`itiman” dhe janë kartela metalike apo plastike që i nxjerrin në përdorim bankat komerciale ose institucionet financiare dhe shërbejnë si pajisje me të cilën mund të tërheqim para ose të bëjmë pagesa të ndryshme. Me fjalë të tjera, poseduesi ka mundësi që me këtë kartelë të blejë ose të sigurojë para të gatshme nga institucioni i cili ia lëshon atë kartelë. Në të shënohet emri i mbajtësit, data e lëshimit, data e skadimit të afatit dhe numri i kartelës. Ajo përmban edhe fjalëkalimin me anë të cilit klienti futet në llogarinë e vet bankare dhe ky nuk shënohet në kartelë dhe këtë nuk e di askush përveç pronarit të saj.1

Asambleja Ndërkombëtare e Fikhut Islam i përkufizon kartelat bankare si vijon: “Dokument që e jep autoriteti kompetent (banka) për një person fizik apo juridik2, bazuar mbi një marrëveshje mes tyre.  Kjo (marrëveshje) i jep mundësi poseduesit të shesë dhe të blejë si dhe të kryejë shërbime të tjera me atë që e merr në konsideratë këtë dokument (tregtari), pa e paguar çmimin në çast, për shkak se burimi (banka) e merr përsipër pagesën.”3.

2- Autoriteti kompetent për lëshimin e këtyre kartelave

Kartelat bankare lëshohen nga bankat të cilat kanë licencë prej institucioneve financiare ndërkombëtare të njohura dhe ato janë pronarët legjitimë të këtyre kartelave. Organizatat më të njohura janë:
– AMERICAN EXPRESS
– VISA
– MASTER CARD
– EURO CARD

– DINERS CLUB, etj.

3- Llojet e kartelave bankare

Në kohën bashkëkohore kemi disa lloje kartelash bankare dhe vazhdimisht kemi risi në lidhje me to, varësisht prej formave dhe kreativitetit që ofron konkurrenca nga bankat. Nëse fillojmë shtjellimin e të gjitha këtyre llojeve një nga një, atëherë do të nevojitet një zgjerim ndoshta edhe i bezdisshëm për lexuesin, prandaj do të bëjmë një ndarje të përgjithshme të këtyre llojeve duke i klasifikuar vetëm në dy lloje, pastaj do ta shtjellojmë secilin lloj në vete.

Këto dy lloje janë:
A. Kartela me mbulesë – kartelat e debitiit
B. 
Kartela pa mbulesë – kartelat e kreditit

A.   Kartelat me mbulesë – kartelat e debitit

Kartelat e debitit në gjuhën arabe quhen “bitaketu mugat-ta”, “kartela me mbulesë”, pasi mbulohet me llogarinë që klienti ka në bankë. Ndërsa në rajonin tonë këto kartela quhen edhe “kartela këmbimi”.

Kartela e debitit është kartelë klasike të cilën banka ia lëshon klientit që ka llogari bankare tek ajo. Kjo kartelë është e lidhur drejtpërdrejtë me llogarinë rrjedhëse të klientit dhe përmes saj mund të shfrytëzojë të gjitha të hollat që ka në atë llogari. Poseduesi i kësaj kartele bën tërheqjen kesh të këtyre të hollave përmes rrjetit të bankomatëve ATM4, në shtetin e tij dhe kudo në botë. Ai gjithashtu me këto kartela mund të blejë nëpër dyqane të ndryshme, që do të thotë se këto kartela zëvendësojnë paratë e gatshme duke evituar kështu rrezikun e humbjes apo vjedhjes. Kjo kartelë jep mundësinë e përdorimit të parave 24 orë në ditë, 7 ditë në javë, në çfarëdo kohe, në çfarëdo vendi.

Maestro dhe VISA Electron janë dy firmat më të njohura botërore të kartelave të debitit, që nënkupton se këto mund t’i përdorim në të gjitha bankomatët ku shohim shenjën e tyre.

Banka i regjistron transaksionet e klientëve të cilat bëhen përmes kësaj kartele kështu, që poseduesi mund të rishikojë shpenzimet e tij kur të dëshirojë dhe kjo i ofron klientit kontroll të plotë mbi paratë.

1) Dispozita sheriatike e kartelave të debitit

Nuk ka ndonjë pengesë që të konsiderohet i ndaluar ky lloj kartelash, prandaj dispozita e saj është se lejohet të përdoren për faktin se poseduesi i kësaj kartele vetëm bën tërheqjen nga llogaria e tij dhe nuk ka ndonjë kushtëzim që do të shpinte në kamatë apo diçka tjetër të ndaluar. Prandaj, pasi nuk ka ndonjë paqartësi në mënyrën e funksionimit të këtij lloji kartelash dhe nuk ka komplikime, asambletë shkencore bashkëkohore të fikhut nuk janë marrë me hulumtimin e këtij lloj kartelash.

2) Disa çështje që kanë të bëjnë me kartelat e debitit

Edhe pse theksuam se institucionet shkencore sheriatike nuk i kanë shtjelluar kartelat e debitit për shkak se klienti me këtë shërbim vetëm sa ka akses te paratë e depozituara në bankë dhe nuk ka komplikime në përdorimin e kartelave të debitit, megjithëkëtë ekzistojnë disa sqarime që janë bërë nga disa fukaha bashkëkohorë, të cilët kanë folur për këtë lloj kartelash. Në vazhdim do t`i përcjellim shtjellimet e këtyre çështjeve.

Çështja e parë: Pagesa e tarifës për shërbime administrative

Zakonisht ky lloj kartelash lëshohet gratis, por në disa banka bëhet pagesa mujore e shërbimeve administrative, qoftë edhe me një shumë formale sikurse 0.50 euro në muaj. Sido që të jetë, që klienti të paguajë një taksë si shpenzim administrativ në llogari të bankës, duke mos e bazuar atë shpenzim me përqindje, por në shpenzimet reale që ka bërë banka për ta lëshuar atë produkt, konsiderohet si procedurë e lejuar në Islam.5

Çështja e dytë: A lejohet blerja e arit e argjendit me kartelë debiti

Arsyeja se pse ngrihet kjo si problematikë është se ari dhe argjendi janë nga mallrat te të cilat ndodh kamata nëse shiten ose blihen me para duke mos dorëzuar dy mallrat në të njëjtën kohë. Me fjalë të tjera, nëse blihet ari apo argjendi me para, atëherë patjetër duhet që të shkëmbehen ato (ari dhe paratë) në të njëjtin tubim (dorë më dorë). Për këtë nuk lejohet që të shkojmë te argjendari e të blejmë ar me borxh dhe nëse blejmë kështu, atëherë kemi rënë në kamatë. Muhamedi, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, thotë: “Nëse ndryshojnë këto lloje (mallrat kamatare), atëherë shisni si të doni me kusht që të jetë (shitblerja) dorë më dorë.”6

Por nëse shkojmë në argjendari dhe blejmë ar dhe në vend që të paguajmë me para të gatshme t`ia dorëzojmë kartelën bankare dhe ta bëjmë pagesën e shumës së nevojshme me kartelë direkt nga llogaria jonë, a është e lejuar kjo apo jo dhe pagesa në këtë mënyrë a nënkupton dorëzim të parave shitësit apo jo?

Përgjigja është se pagesa me kartelë është si të jetë pagesë me para të gatshme, pasi me këtë proces blerësi ia transferon paratë e nevojshme nga llogaria e tij në llogarinë e shitësit. Prandaj blerja e arit dhe e argjendit me këtë lloj kartele është e lejuar dhe nuk ka kurrfarë pengese7.

Çështja e tretë: Tërheqja e parave nga bankomatët që u takojnë bankave të tjera

Edhe kjo çështje është e rëndësishme që të sqarohet, pasi ngrihen pikëpyetje në lidhje me të dhe pagesat shtesë, që bëhen gjatë tërheqjes së parave nga bankomatët e bankave të tjera.

Shembulli i kësaj është se nëse posedojmë kartelë nga një bankë e caktuar dhe e përdorim atë në bankomatin e një banke tjetër, pra të tërheqim para nga bankomati i bankës tjetër në të cilin nuk kemi xhirollogari, a lejohet kjo apo jo?

Dijetarët bashkëkohorë në këtë kanë dy mendime: mendimi i parë është që nuk lejohet dhe mendimi i dytë që lejohet. Ata të cilët e kanë ndaluar këtë, thonë se gjatë tërheqjes së parave nga bankomati i bankës tjetër, bëhet një pagesë prej afërsisht dy eurosh e gjysmë. Pastaj,  gjatë këtij transaksioni ne marrim hua nga kjo bankë, e cila më vonë  e rikthen atë hua nga xhirollogaria jonë në bankën në të cilën i kemi të depozituara paratë tona. P.sh., nëse ne tërheqim 200 euro nga bankomati i ndonjë banke tjetër, atëherë në fakt kemi marrë borxh nga ajo bankë. Më vonë ajo bankë e rimerr borxhin, që na kishte dhënë neve, nga banka tek e cila ne kemi llogarinë tonë, vetëm se në këtë rast ajo nuk rimerr vetëm 200 euro, por i merr 202.5 euro. Prandaj ky transaksion ka përzierje me kamatë dhe është i ndaluar.

Me gjithë këto shtjellime, e sakta është se lejohet të tërheqim para nga bankomatët e bankave të tjera për shkak se në fakt ne gjatë kësaj tërheqjeje futemi në llogarinë tonë esenciale drejtpërdrejt dhe nga ajo tërheqim paratë. Pra, nuk është e saktë se tërheqim para nga llogaria e bankës tjetër (marrim hua nga banka tjetër, të cilën më vonë ajo e rimerr nga banka jonë). Kurse puna e bankës nga bankomati i së cilës bëjmë tërheqje është se ajo vetëm na e ofron shërbimin e qasjes dhe asgjë tjetër. Prandaj,  pagesa e 2.5 eurove, të cilën e fiton banka gjatë këtij transaksioni (nëse tërheqim para nga bankomati i ndonjë banke tjetër), është pagesë e shërbimit dhe e shfrytëzimit të bankomatit. Pa dyshim se aparatet (ATM) kanë shpenzime të ndryshme, sikurse pagesa e qirasë së vendit ku vendosen ato, pagesa e rrymës, servisimi i aparatit dhe mirëmbajtja, sigurimi i linjës telefonike ose linjës së internetit, etj. Për të gjitha këto bëhen shpenzime dhe banka ka të drejtë t`i kërkojë ato.

Prandaj, nga kjo që u shtrua më lart, kuptuam se nuk ka ndonjë turbullirë apo pengesë në lejimin e tërheqjes së parave nga bankomatët e bankave të tjera dhe lejohet marrja e shumës si tarifë e shpenzimeve administrative8.

Çështja e katërt: Mbitërheqja

Nëse i aprovohet klientit që të tërheqë shumë më të madhe sesa posedon në llogari, është e lejuar për të që të tërheqë, por të mos ketë kushtëzime për llogaritje të kamatës gjatë kësaj, qoftë edhe nëse nuk arrijmë të bëjmë pagesën në afatin e paraparë9. Për këtë do të flasim më gjerësisht kur të shtjellojmë llojin e dytë të kartelave.

Vazhdon
Alaudin Abazi
14.6.2009

1 â€˜El Muamelat el Malije el Muasire”, dr.Vehbe Zuhejli, f.537; “Fikhul Muamelatel Malijel Muasire”, dr. Saad el Hathlan, f. 150. http://ëëë.klubikulturor.com/ppoint/kartelat.pps
2 Person juridik konsiderohen ndërmarrjet, firmat tregtare, institucionet shoqërore, etj.
3 Vendimi i Asamblesë Ndërkombëtare të Fikhut Islam, nr. 7/1/ 65.
4 Automatic Teller Machine.
5 “Fikhul Beji Vel Istithak Vet-tatbikil Muasir”, dr.Ali Salus, f.826.
6 Shënon Muslimi.
7 “Fikhul Muamelatel Malijel Muasire”, dr. Saad el Hathlan, f. 151. “El Muamelat el Malije”, dr. Jusuf  Shibejli, f.109.
8 “Fikhul Muamelatel Malijel Muasire”, dr. Saad el Hathlan, f. 152-155.
9“El Muamelatel Malijel Muasire”, dr. Vehbe Zuhejli, f.540

  1. Kartela pa mbulesë- kartelë krediti

Këtë lloj e ka shqyrtuar Asambleja Ndërkombëtare e Fikhut Islam, e cila buron nga Organizata e Kongresit Islamik në mbledhjen e saj të dymbëdhjetë në Riad të Arabisë Saudite, më 25 Xhumada El-Ahire 1421 H, që përputhet me 23 shtator 2000. Ndërsa, ashtu si theksuam më herët, llojit të parë (kartelave të debitit) nuk i është qasur asambleja, pasi dispozita rreth saj është e qartë.

Kartela pa mbulesë është dokument që e jep autoriteti kompetent(banka) për një person fizik apo juridik, bazuar mbi një marrëveshje mes tyre.  Kjo (marrëveshje) i jep mundësi poseduesit të shesë dhe të blejë si dhe të kryejë shërbime të tjera me atë që e merr në konsideratë këtë dokument (tregtari), pa e paguar çmimin në çast, për shkak se burimi (banka) e merr përsipër pagesën. Fillimisht pagesa bëhet nga llogaria e burimit, pastaj shuma kompensohet më vonë nga mbajtësi i kartelës brenda disa afateve të vazhdueshme. Një pjesë e autoriteteve kompetente (bankave)ngarkojnë kamatë mbi shumën e llogarisë së papaguar pas një kohe të caktuar nga koha e kërkesës dhe disa të tjera jo.1

Kartelat e kreditit te ne quhen edhe kartela “blej tani dhe paguaj më vonë!” dhe më të njohurat janë Maestro dhe Visa Classic.

Poseduesit të kësaj kartele i ofrohet shumë e parave borxh nga banka dhe nuk kushtëzohet që klienti të ketë xhirollogari apo para të depozituara në bankë. Me këtë kartelë klienti mund të blejë nëpër dyqane me të cilat ka marrëveshje banka dhe pagesën e bën banka në vend të klientit. Ai gjithashtu me këtë lloj kartele mund të tërheqë para (kesh) nga bankomatet edhe pse nuk ka depozituar asnjë shumë në bankë. Klienti është i obliguar që borxhin e marrë me këtë kartelë ta kthej ë brenda afateve të parapara me këste ose përnjëherë. Shumica e bankave e kufizojnë afatin deri në 45 ditë pa interes, por disa edhe më shumë se kaq. Përveç blerjeve nëpër dyqane, tërheqjes së parave kudo në botë, këto kartela mund të shfrytëzohen edhe për blerje në internet, rezervime të hoteleve si dhe marrje me qira të makinave.

Palët pjesëmarrëse në këtë kartelë

Në kartelat pa mbulesë mund të marrin pjesë këto palë:

Pala e parë: Institucioni financiar ndërkombëtar që e zotëron licencën e kartelës, si: “VISA”, “AMERICAN EXPRESS”, “MASTER CARD”,etj. Ky institucion njëherazi është edhe monitorues i kartelave që lëshohen në bazë të marrëveshjeve që realizon me bankat nëpër të gjitha vendet e botës.

Pala e dytë: Banka e cila e lëshon në qarkullim kartelën.

Pala e tretë: Mbajtësi i saj, pra klienti.

Pala e katërt: Tregtari ose pronari i dyqanit ku blen klienti.

Pala e pestë: Ã‹shtë e mundur të hyjë si palë edhe ndonjë bankë tjetërnë të cilin është klient tregtari (shitësi), por ka mundësi që edhe të mos ketë palë të pestë, por të dy edhe blerësi edhe tregtari të jenë klientë të së njëjtës bankë.

Qëndrimi sheriatik në lidhje me kartelat pa mbulesë

Para se të flasim për dispozitën e kësaj kartele duhet të përmendim që kartelat e kreditit (pa mbulesë) në përgjithësi përmbajnë kushtëzime me kamatë. Kartelat e këtilla i japin mundësinë poseduesit që të tërheqë shuma edhe nëse nuk ka fare para në llogarinë e tij. Për shumat e tërhequra pa mbulesë disa banka i japin klientit afat kohor për t’i kthyer; nëse pagesa ndodh brenda këtij afati, atëherë atij nuk i llogaritet kamata. Ky afat është nga 40 deri në 55 ditë, varësisht prej bankës. Nëse tejkalohet afati i paraparë, atëherë fillohet të llogaritet kamata për çdo ditë që vonohet pagesa.

Pra, nëse arrijmë ta lajmë borxhin brenda afatit të paraparë, atëherë nuk llogaritet kamata. Nëse vonohemi, atëherë llogaritet kamata.

Ky kushtëzim, që të fillohet llogaritja e kamatës pas afatit të paraparë, është kushtëzim me kamatë dhe është i njëjtë sikurse “kamata e injorancës”2, të cilën e aplikonin arabët në kohën e Muhamedit salallahu alejhi ue selem.

Prandaj, duke e pasur parasysh këtë shkelje, nuk është e lejuar që të aplikojmë për të poseduar kartelat pa mbulesë dhe nuk lejohet t’i përdorim ato, edhe nëse jemi të bindur dhe të vendosur se gjithmonë do ta bëjmë pagesën para afatit në të cilin fillon të llogaritet kamata.

Shkaku se pse nuk lejohet është se personi i cili e nxjerr këtë kartelë mund të bjerë në kamatë, pasi nuk është e sigurt se gjithmonë mund ta bëjë pagesën me kohë. Pastaj edhe vetë nënshkrimi i kësaj kontrate është pranimi i marrëveshjes me kamatë, megjithëse ai synon të mos bjerë në të. Për këtë arsye nuk lejohet një kontratë e tillë që përmban kamatë. Xhabiri, Allahu qoftë i kënaqur me të, thotë: “I Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshi mbi të, ka mallkuar atë që e ha kamatën, atë që ushqen kamatën (e jep atë), atë që e evidencon atë si dhe ata që janë në cilësinë e dëshmitarëve në kontratën ku ekziston kamata3.” Ky hadith, siç shihet, i përfshin të gjitha palët në mallkim, edhe atë që e jep po edhe atë që e merr, edhe atë që e shkruan edhe atë që dëshmon për këtë kontratë.

Sqarim i nevojshëm në lidhje me dispozitën e kartelave pa mbulesë

Dispozita që përmendëm më lart ishte shumë e qartë dhe në këtë nuk ka ndonjë lëkundje, prandaj muslimani duhet t`i largohet nxjerrjes së këtij lloji të kartelave VISA, posaçërisht nëpër ato vende në të cilat ekzistojnë banka islame, pasi atje ka alternativa. Bankat islame lëshojnë këtë lloj kartelash (Visa dhe Maestro) dhe nuk kushtëzojnë kamatë edhe në qoftë se vonohet pagesa, prandaj ata që dëshirojnë të përdorin këtë lloj kartelash duhet ose të aplikojnë në këto banka që nuk aplikojnë kamatë në rast të vonimit të pagesave, ose të mos aplikojnë fare.

Në deklaratën e Asamblesë së Fikut Islam thuhet: “Çështja e dytë: Lejohet nxjerrja e kartelave të kreditit pa mbulesë, nëse kjo nuk kushtëzohet me kamatë mbi borxhin e tërhequr me anë të kartelave të kreditit.”4

Nëse gjendemi në ndonjë vend në të cilin nuk kemi banka islame, siç është realiteti i vendit tonë dhe i shumicës së vendeve të botës, atëherë si të veprojmë nëse nuk gjejmë këtë lloj kartelash që nuk kushtëzojnë kamatë edhe nëse vonohet pagesa?

Fatkeqësisht, në shumë shtete të botës shumë tregti mbështeten me bërjen e pagesës me këtë lloj kartelash; në disa shtete vetëm me këtë kartelë realizohen tregti të caktuara dhe biznese dhe nuk ka mundësi që të bësh pagesë vetëm se me këtë lloj kartelash; nuk mund të huazosh makinë, të marrësh me qira ndonjë dyqan, të blesh në internet, etj.

Nëse muslimanët e këtyre vendeve i ndalojmë nga përdorimi i këtij lloji kartelash, atëherë ua vështirësojmë gjendjen. Prandaj, në një situatë të këtillë, disa fukaha bashkëkohorë e kanë lejuar këtë lloj kartelash, mirëpo ata vënë dy kushte5:

-Kushti i parë: Në nxjerrjen e këtij lloji kartelash të ketë domosdoshmëri. Me fjalë të tjera, personi i cili aplikon duhet ta bëjë këtë vetëm nëse nuk gjen ndonjë rrugëdalje tjetër për të zhvilluar biznesin e tij pa e përdorur këtë lloj kartelash.

-Kushti i dytë: Që të jetë i sigurt se nuk do ta tejkalojë afatin e paraparë, pas të cilit fillon të llogaritet kamata6.

Në të kundërtën, muslimanët që kanë mundësi të gjejnë alternativë tjetër, si për shembull ata që jetojnë në vendet në të cilat veprojnë bankat islame, të cilat lëshojnë kartela Visa e Master pa kushtëzime me kamatë ose mund ta zhvillojnë biznesin e tyre pa u varur nga ky lloj kartelash të kreditit, atëherë nuk lejohet të aplikojmë për nxjerrjen e këtyre kartelave.

Çështje që ndërlidhen me kartelat e kreditit pa mbulesë

Pas dhënies së qëndrimit të saktë në lidhje me kartelat pa mbulesë dhe pas parashtrimit të përjashtimeve që kanë përmendur ulematë bashkëkohorë, është e nevojshme të sqarohen edhe disa çështje që kanë të bëjnë me këtë lloj kartelash.

Zakonisht ky lloj kartelash lëshohet gratis, por në disa banka bëhet pagesa mujore e shërbimeve administrative, qoftë edhe me një shumë formale si 0.50 euro në muaj. Sido që të jetë, që klienti të paguajë një taksë si shpenzim administrativ në llogari të bankës, duke mos e bazuar atë shpenzim me përqindje, por në shpenzimet reale që ka bërë banka për ta lëshuar atë produkt, konsiderohet si procedurë e lejuar në Islam.7

Çështja e parë: Ngarkimi i klientit me tarifa të shërbimeve

Gjatë nxjerrjes së kartelave Visa pa mbulesë banka e ngarkon klientin të paguajë një shumë parash. A është e lejuar kjo?

Banka ka të drejtë të marrë një shumë të përcaktuar si tarifë shërbimesh gjatë nxjerrjes së kësaj kartele ose gjatë ripërtëritjes së saj. Kjo taksë është e lejuar për faktin se mbulon shpenzimet e përgatitjes së kartelës dhe shpenzimet e tjera bankare8.

Çështja e dytë: A lejohet që banka të marrë përqindje nga shitësi në blerjet e klientit

Për ta kuptuar se çfarë kemi për qëllim këtu, duhet ta sqarojmë pak më shumë duke sjellë edhe shembuj. Fillimisht themi se nëse njeriu blen mallra me kartelë krediti pa mbulesë, atëherë ai në fakt merr borxh nga banka dhe ia paguan shitësit të mallit (tregtarit). Shembulli i kësaj është që klienti të shkojë në një dyqan dhe të blejë mallra dhe të paguajë me kartelë krediti pa mbulesë. Në këtë rast, pra, blerësi merr borxh prej bankës dhe ia paguan shitësit.

Pasi e kuptuam këtë, tani meseleja është se a i lejohet bankës që të marrë përqindje nga ato gjëra të cilat i ka blerë klienti i saj. P.sh., nëse klienti blen mall me vlerë 100 euro dhe këtë shumë e paguan me kartelë pa mbulesë (pra banka bën pagesën apo e merr përsipër atë në vend të blerësit), mirëpo në këtë pagesë banka nuk i jep 100 euro shitësit, por vetëm 95 euro dhe kështu banka përfiton nga kjo shitblerje e realizuar, a lejohet kjo?

Bankës i lejohet të marrë nga shitësi përqindje për blerjet e klientit dhe kjo llogaritet si komision9, për shkak se banka në këtë rast konsiderohet ndërmjetësues mes tregtarit dhe blerësit, mirëpo kushtëzohet në këtë rast që shitësi mos ta ngrejë çmimin e mallrave të cilat i blen klienti për shkak se ato mallra shiten me kartelë krediti pa mbulesë. Pra, për të pasur të drejtë fitimi banka, kushtëzohet që çmimi i mallit të jetë i njëjtë siç shitet me para të gatshme (kesh).

Nëse ndodh që shitësi ia shet klientit mallin më shtrenjtë pasi blen me kartelë krediti pa mbulesë, atëherë në këtë rast komisionin e paguan klienti e jo shitësi dhe kjo nuk lejohet. Dihet se raporti mes klientit dhe bankës në rastin e blerjes me kartelë krediti pa mbulesë është huadhënie (banka është huadhënësi dhe klienti huamarrësi) dhe nëse e jep komisionin klienti, atëherë kjo hua e dhënë nga banka është prej llojit (القرض الذي جر نفعًا), “borxh i cili sjell përfitim”. Është parim sheriatik që çdo borxh i cili sjell përfitim konkret është i ndaluar dhe konsiderohet borxh me kamatë.

Por nëse komisionin e paguan shitësi, atëherë raporti mes bankës dhe tregtarit (shitësit) është si raporti mes shitësit të mallit dhe agjentit tregtar. Me fjalë të tjera, banka kryen rolin e agjentit pasi merret vesh me tregtarin paraprakisht që t`ia dërgojë blerësit për të blerë tek ai dhe si shpërblim për këtë merr përqindje për shkak të ndërmjetësimit.

Është e nevojshme të ceket se në këtë çështje ka mendim nga disa fukaha bashkëkohorë se nuk lejohet, pra nuk lejohet marrja e komisionit edhe nga shitësi ashtu si nuk lejohet nga blerësi10. Por mendimi i shumicës11 dhe i Asamblesë së Fikhut është se nëse përqindja merret nga shitësi, lejohet.12

Në vendimin e Asamblesë së Fikhut Islam thuhet: “Lejohet që banka të marrë prej tregtarit pagesë për blerjet e klientit të saj, me kusht që blerja nga tregtari nëpërmjet kartelës së kreditit (pa mbulesë) të jetë me të njëjtin çmim si pagesa në dorë.”13


Çështja e tretë: A lejohet të tërheqim para me kartelë krediti Visa pa mbulesë?

Fillimisht duhet kuptuar se me këtë kartelë jo vetëm se mund të bëjmë paguajmë gjatë blerjes, edhe pse nuk kemi depozituar para të mjaftueshme në bankë ose nuk kemi fare, por me të kemi mundësi edhe të tërheqim para nga banka, pra na i huazon banka. P.sh., nëse kemi në bankë 1000 euro ose nuk kemi fare dhe ne kemi nevojë për 5000 euro, nëse posedojmë kartelë krediti pa mbulesë Visa, atëherë kemi mundësi që t`i tërheqim ato para nga banka. Por nëse bëjmë tërheqje me kartelë krediti Visa qoftë direkt nga banka qoftë me anë të bankomateve, atëherë paguhet një shumë e caktuar e veçantë për këtë tërheqje. Kjo shumë është e limituar (mund të jetë 15 euro ose më shumë varësisht prej bankave) dhe paguhet pa marrë parasysh se sa para tërheqim.

A është e lejuar për bankën marrja e kësaj shume apo jo në mes të dijetarëve bashkëkohorë ka mendime.

Pa u zgjeruar në dhënien e mendimeve, duhet të sqarojmë gjithashtu se shuma që merr banka është e njëjtë pa marrë parasysh a i tërheq ato në sportele të bankave apo në  bankomate.

Prandaj, nëse bëjmë tërheqje direkt në sportelet e bankës, atëherë kjo nuk është e lejuar te të gjithë. P.sh., të shkojmë në sportelet e bankës, t`ia tregojmë kartelën nëpunësit të bankës dhe të kërkojmë shumën e nevojitur 5000 euro. Nëpunësi automatikisht do të na i japë paratë e kërkuara (5000 euro), por ne i mbetemi borxh bankës 5000 euro, plus shuma tjetër, që kemi thënë se mund të arrijë 15 euro (pra 5000+15=5015euro). Kjo formë e tërheqjes së parave konsiderohet kamatë e qartë dhe në këtë nuk ka asnjë mëdyshje pasi shuma 15 euro nuk mund të llogaritet si tarifë për shpenzimet e shërbimeve administrative se këtu nuk ka shërbime shtesë që shpenzohen. Prandaj në të gjitha bankat islame të cilat u përmbahen dispozitave islame nuk lejojnë që klientët e tyre të tërheqin paratë direkt nga sportelet e bankave.

Por çështja është më ndryshe nëse tërhiqen paratë nga bankomatet. Nuk ka dyshim se shërbimet që bëhen me bankomate (ATM) janë shpenzuese, si blerja e bankomatit, marrja me qira e vendit ku vendoset bankomati, rryma, linja e telefonit ose e internetit, etj.  prandaj fukahatë bashkëkohor në këtë kanë qëndrime14.

Sido që të jetë, ne nuk do të sjellim mendimet në lidhje me këtë çështje, por do të përmendim vetëm mendimin e përzgjedhur nga Asambleja dhe ky është se lejohet marrja e tarifës fikse nga banka gjatë tërheqjes së parave me kartelë krediti pa mbulesë, por me kusht që të mos jetë shuma më e madhe se shpenzimet reale që ndodhin gjatë përdorimit të bankomateve.

Në vendimin e Akademisë thuhet: “Tërheqja e pareve nga banka nëpërmjet kartelës së kreditit pa mbulesë konsiderohet borxh (klienti merr borxh nga banka). Në këtë nuk ka asnjë pengesë fetare, nëse për këtë nuk kërkohet shtesë me kamatë. Kurse tarifat fikse që merren për shërbim dhe që nuk kanë lidhje me shumën e borxhit apo me kohën e tij nuk janë pjesë e borxhit. Çdo tarifë që është më e madhe se shërbimet reale është haram (pra n.q.s tarifa që merr banka është më e madhe se kostoja e shërbimit), sepse bën pjesë në kamatën e ndaluar me sheriat.”


4. A lejohet blerja e arit dhe e argjendit me kartelë krediti pa mbulesë?

Në vendimin e Akademisë gjithashtu është përmendur se nuk lejohet blerja e arit dhe e argjendit me këtë lloj kartelash për faktin se kartelat e kreditit pa mbulesë, sikurse Visa, etj., kanë azhurnim (shtyrje) të pagesës. Me fjalë të tjera, kur dikush blen arin dhe argjendin me këtë kartelë, atëherë shitësi nuk i pranon paratë menjëherë, por për këtë nevojitet kohë dhe me këtë rast nuk realizohet shitblerja dorë më dorë ashtu si kërkohet gjatë shitblerjes së arit dhe argjendit, ndërsa me kartelë debiti të thjeshtë shitësi e merr shumën me të cilin e shet arin dhe argjendin menjëherë dhe aty për aty kryhet transferimi i parave nga llogaria e blerësit në llogarinë e shitësit.

Disa dijetarë bashkëkohorë e kanë lejuar edhe shitblerjen e arit dhe të argjendit me kartelë krediti pa mbulesë pasi ata thonë se edhe kjo formë e transaksionit arrin fuqinë si të jetë dorë më dorë, aty për aty. Por kjo nuk është e drejtë, pasi pritja është reale dhe përderisa ndodh një prolongim derisa t’i marrë paratë shitësi, qoftë edhe për një orë. kjo nuk llogaritet shitblerje aty për aty.

Alaudin Abazi
21.6.2009
1 El Muamelatel Malijel Muasire”, dr. Vehbe Zuhejli, f.537.
2 Kamata e injorancës (riba el-xhailije) është kamata që fillon të llogaritet kur mbaron afati i paraparë për pagesën e borxhit. Kur përfundon ky afat i paraparë, huadhënësi i ofron personit që i ka dhënë hua që ta zgjasë afatin e pagesës së borxhit, nëse e shton shumën e borxhit. Pra ia shton shumën për shkak të shtyrjes së ditës së pagesës së borxhit. Për këtë lloj kamate ka zbritur ajeti:“O ju të cilët besuat, mos hani kamatën që po e shumëfishoni dhe kini frikë (dënimin e) Allahut ashtu që të gjeni shpëtim.” (Ale Imran, 130) .
3 Shënon Buhariu dhe Muslimi.
4 Vendimi nr. 7/1/ 65.
5 Ndër dijetarët bashkëkohorë që kanë dhënë fetva për lejimin e përdorimit të kartelave të kreditit pa mbulesë në vendet në të cilat nuk ka alternativ tjetër është edhe shejh Muhamed Salih Uthejmin, Allahu e mëshiroftë. Shih: “Fikhul Muamelatel Malijel Muasire”, dr. Saad el Hathlan, f. 160.
6  www.islamqa.com.
7 “Fikhul Beji Vel Istithak vet-tatbikil Muasir”, dr.Ali Salus, f. 826.
8 “Fikhul Muamelatel Malijel Muasire”, dr. Saad el Hathlan, f. 161.
9 Komisioni quhet përqindja qtë merr agjenti tregtar si ndërmjetësues në një shitblerje.
10 Shejh Bekër Ebu Zejd, dr. Ali Salusi dhe disa të tjerë mbajnë këtë mendim.
11 Ndër ta dr. Sad el Hathlan, dr. Vehbe Zuhejli, dr. Alaudin Zateri dhe shumë të tjerë.
12 Për më gjerësisht: “El Muamelat el Malije”, dr. Jusuf  Shibejli, f.110-111; El Muamelatel Malijel Muasire”, dr. Vehbe Zuhejli, f.548; “Fikhul Muamelatel Malijel Mukarin”,  Alaudin ez Zateri, f. 255; “Fikhul Muamelatel Malijel Muasire”, dr. Saad el Hathlan, f. 162.
13 Vendimi nr. 7/1/ 65.
14 Më gjerësisht: “Fikhul Muamelatel Malijel Mukarin”,  Alaudin ez Zateri, f. 255; “Fikhul Muamelatel Malijel Muasire”, dr. Saad el Hathlan, f. 162.

Artikulli paraprakKlasifikimi i kamatës në Islam
Artikulli tjetërVendimi i asamblesë Islamike ndërkombëtare në lidhje me kartelat e kreditit