7 punëtorë kanë humbur jetën këtë vit, prijnë të ndërtimtarisë

Ligji për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë nuk e ka ulur numrin e personave që humbin jetën në vendin e punës.

Ndonëse, parashihet që punëdhënësi të vlerësojë rrezikshmërinë në vendin e punës, diçka e tillë nuk po ndodhë sidomos në sektorin privat, në ndërtimtari.

Sipas kryeinspektorit të Punës në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Basri Ibrahimi, vetëm nga fillimi i vitit 2016 e deri më tani kanë humbur jetën shtatë (7) punëtorë në vende të ndryshme të punës.

Teksa, në vitin 2015, ka treguar Ibrahimi, kanë humbur jetën nëntë (9) punëtorë.

“Në gjashtë mujorin e parë të vitit 2015 nga aksidentet kanë humbur jetën 5 punëtorë, kurse gjatë tërë vitit 9 punëtorë. Në gjashtë mujorin e vitit 2016 kanë humbur jetën 4 punëtorë si pasojë e aksidentit në vendin e punës, kurse nga fillimi i vitit deri më tani, kanë humbur jetën 7 punëtorë. Vdekjet në vendin e punës, me përjashtime të vogla, kryesisht janë në sektorin privat dhe atë në ndërtimtari”, ka sqaruar ai.

Duket se pas shpërthimit që ndodhi në KEK në qershor të vitit 2014, ku humbën jetën dy persona dhe u plagosën disa të tjerë, nuk ka pasur më asnjë humbje jete. Sipas Ibrahimit, në dy vitet e fundit në KEK nuk ka pasur asnjë rast të vdekjes në vendin e punës.

“Në KEK në dy vitet e fundit nuk ka pasur asnjë rast të vdekjes në vendin e punës. KEK-u ka ndërmarrë masa me të cilat e ka përmirësuar dukshëm gjendjen e Sigurisë dhe Shëndetit në Punë”, ka thënë ai.

Sipas Ibrahimit, Inspektorati i Punës nuk është i kënaqur me gjendjen e tanishme për sigurinë në vendin e punës, por që po punohet për përmirësime në këtë drejtim./Indeksonline/

Artikulli paraprakMustafa: Me Ligjin për Trepçën hapet e ardhmja e saj
Artikulli tjetërBE-ja premton 1.3 miliard euro ndihma për Afganistanin