7 personat më të mirë nga tё cilёt mund tё merrni referenca pune

Kur aplikoni për një punë të re, keni nevojë për një CV të menduar deri nё detaje, një letër motivimi të përsosur dhe një listë të referencave të punës, te të cilat ju keni besim se mund të flasin për ju me një punëdhënës potencial.

Disa punëdhënës mund të kërkojnë për referenca gjatë procesit të aplikimit, ndërsa të tjerë mund t’i kërkojnë ato pas intervistës suaj, por të dini se cilët janë njerëzit e duhur për t’i zgjedhur si referenca për punë mund të jetë një faktor vendimtar në mundësitë tuaja për të gjetur punën e ëndrrave.

Si të vendosni nëse dikush është i përshtatshëm për t’i kërkuar një referencë?

Një referencë e mirë mund të jetë shumë e rëndësishme për të bindur një punëdhënës potencial që ia vlen t’ju punësojë ju. Një përshtypje nga këndvështrimi i një personi që ka punuar ngushtë me ju mund t’u japë punëdhënësve disa informacione për aplikimin tuaj, të cilat ata mund të mos i merrnin dot drejtpërdrejt nga ju.

Njerëzit më të përshtatshëm që duhet të zgjidhni si referencë pune duhet:

  • Të njohin etikën tuaj të punës.
  • T’ju respektojnë.
  • Të jenë të artikuluar.
  • Të pranojnë të jenë në listën që ju dërgoni për referencat.

Ju duhet të zgjidhni njerëz që kanë punuar përkrah jush dhe kanë një mendim aq të mirë për ju sa nuk do të kurseheshin me lavdërimet e tyre për ju te një menaxher punësimi. (Por jo, nuk mund të zgjidhni shokun/shoqen tuaj më të mirë ose mamin – të afërmit dhe miqtë e ngushtë personalë, vështirë se do të funksionojnë.)

Nga t’ia filloni? Hidhuni një sy këtyre 7 ideve për të filluar me listën tuaj të referencave të punës.

 

1. Shefi ose supervizori juaj

Në krye të listës suaj të referencave të punës duhet të jetë një shef ose mbikëqyrës i mëparshëm ose që së shpejti do të jetë “i mëparshëm” – nëse mund ta merrni referencën nga shefat që keni pasur kohët e fundit, aq më mirë. Ky person është dikush që mund të flasë drejtpërdrejt për aftësitë tuaja dhe se si është të menaxhosh një person si ju.

Edhe nëse nuk keni pasur një marrëdhënie të shkëlqyer me shefin tuaj të mëparshëm, mendimi i tyre mund të ketë ende vlerë për një punëdhënës të ri. Për më tepër, lënia e tyre jashtë listës mund të duket e çuditshme (përveç rasteve kur ata nuk e dinë që do të largoheni nga puna, gjë që duhet ta shpjegoni në intervistën tuaj), kështu që është më mirë që të paktën të bisedoni me ta paraprakisht dhe të përpiqeni t’i zgjidhni gjërat nëse mundeni.

 

2. Një koleg i besuar

Bashkëpunëtorët mund të japin referenca tepër të shkëlqyera – janë ata që ju shohin nga afër se si punoni, çdo ditë. Megjithatë, ata duhet të jenë një person që ka njohuri për punën tuaj aktuale, jo thjesht një person miqësor me të cilën ju bisedoni teksa takoheni rastësisht në korridor. Zgjidhni dikë që ose ka punuar drejtpërdrejt me ju, në departamentin tuaj, ose puna e të cilit është ndikuar nga puna juaj.

 

3. Ish-profesori juaj

Veҫanërisht për të sapodiplomuarit, një profesor ose instruktor mund të jetë zgjedhja kryesore për referencë. Kjo është e rëndësishme, sidomos në rastet kur ata na kanë mësuar një lëndë në të njëjtën fushë me të cilën ju jeni të interesuar për të filluar punë. Por, duhet të siguroheni që të zgjidhni një profesor që ju ka njohur personalisht dhe jo një profesor për të klase me 100 studentë, me të cilën nuk keni kontaktuar kurrë me përjashtim të disa disa email-eve.

 

4. Dikush për të cilin keni bërë punë vullnetare

Puna vullnetare duket e mrekullueshme në një CV, veçanërisht nëse ka të bëjë ose është disi e lidhur me fushën tuaj të punës. Marrëdhënia mes jush dhe një personi për të cilin ju keni bërë punë vullnetare, ka të ngjarë të jetë e ngjashme me atë të një shefi ose profesori tuajit, kështu që mund t’i kërkoni pa hezituar koordinatorit tuaj vullnetar ose drejtuesit të organizatës vullnetare që të jenë një referencë pune për ju.

 

5. Një ish-klient

Në varësi të fushës suaj të punës, mund të keni një ose disa ish-klientë të cilët do të ishin mëse të lumtur të ofronin një referencë për ju nëse do t’u kërkohej. Klientët që kanë shprehur vlerësim për punën tuaj do të ishin ata idealët për një referencë, veçanërisht nëse pritet që të kryeni punë të ngjashme në pozicionin për të cilin po aplikoni.

 

6. Ish-shoku juaj i shkollës

Si student, a keni punuar ngushtë me shokët e tjerë të shkollës në grupe të vogla apo për një projekt semestral? Nëse po, ata mund të jenë në gjendje të ofrojnë një referencë të vyer për ju. Thjesht kini parasysh që t’ia kërkoni atë një shoku klase me të cilin keni pasur marrëdhënie të mira dhe i cili është mirënjohës për punën që keni bërë kur ishit bashkë në projekt.

 

7. Dikush me të cilin keni qenë vullnetar së bashku

Ashtu si një koleg, dikush me të cilin keni qenë vullnetarë së bashku në mënyrë të vazhdueshme gjatë viteve, zakonisht mund të flasë për nivelin e përkushtimit tuaj në punë, etikën tuaj të punës dhe sjelljen e përgjithshme. Kini parasysh se puna vullnetare mund të jetë shumë mbresëlënëse për një punëdhënës të mundshëm, kështu që kjo është një mundësi tjetër e shkëlqyer për t’u konsideruar. / The Ladders   /monitor

Artikulli paraprakKompleksitetet administrative
Artikulli tjetër8 gjërat e jashtëzakonshme që shefat u thonë vazhdimisht punonjësve të tyre