690 mijë euro borxh, sekuestrohet kompleksi Taiwan

Qendra shumëfunksionale e argëtimit Taiwan, e vendosur në Parkun Rinia në Tiranë është nën sekuestro nga kompania përmbarimore, ALBASE.
 Lajmi bëhet i ditur nga Qendra Kombëtare e Biznesit (QKB), ku gjithashtu mësohet se masa është marrë për shkak të një borxhi prej 690 mijë eurosh që shoqëria Taiwan ka ndaj kreditorit, Tajar Shahin Hasa.
Shoqëria përmbarimore ka lajmëruar administratorin e Taiwan, Avin Braçajn që të paguajë detyrimin në mënyrë vullnetare. Përvec detyrimit Taiwan duhet të paguajë edhe shpenzimet e gjyqit dhe të përmbarimit me vlerë 5 milionë lekë .
Kompanisë i është lënë kohë të paguajë detyrimet në formë vullnetare deri brenda 10 ditëve.
Mbas këtij  afati, shoqëria përmbarimore ALBSAE sqaron në  urdhrin përkatës se, do të fillojë ekzekutimi i detyrueshëm i vendimit për urdhrin e ekzekutimit. Nëse debitori refuzon të zbatojë urdhrin e gjykatës do të gjobitet 50 mijë lekë deri në ekzekutimin e detyrimit si dhe do të bëhet kallzim penal për pengim të ekzekutimit të në bazë të nenit 320 të kodit penal.
Por shoqëria Taiwan sipas të dhënave të në bilancin e dorëzuar në QKB rezulton se ka rritur ndjeshëm aktivitetin më 2015. Gjatë vitit të kaluar shoqëria ka dyfishuar të ardhurat duke i çuar ato në 312 milionë lekë nga rreth 162 milionë lekë që i kishte në vitin 2014.
Taiwan është një nga komplekset argëtuese më në zë të Tiranës. Me një sipërfaqe shërbimesh prej 10,000 metra katrorë dhe i vendosur në qendër të qytetit, ai përfshinë restorante luksoze, bare, bowling, zonë me video game, club e kazino. Qendra e argëtimit është e vendosur në një nga zonat më të frekuentuara të kryeqytetit, duke qenë pjesë e qendrës së tij./Monitor
Artikulli paraprakPublikohet raporti i përmbushjes së obligimeve për zbatimin e MSA-së
Artikulli tjetërVolkswagen ka shënuar rritje të shitjes