5 gjërat që duhet t’i negocioni gjithnjë në një ofertë pune

Kur flitet për negocimin e një oferte pune, shumica e njerëzve mendojnë menjëherë për pagën dhe mundësinë për të marrë sa më shumë para. Fatkeqësisht, paratë kanë limitin e tyre dhe korporatat janë të kufizuara në shumën që mund t’ju paguajnë.

Për këtë arsye, është thelbësore të kuptohen disa prej përfitimeve më pak të kërkuara, por jashtëzakonisht të vlefshme, që mund të përfshihen në një ofertë pune, në mënyrë që të mund të përfitoni sa më shumë nga kontrata juaj e ardhshme.

 

Rëndësia e negocimit të një oferte pune

Fatkeqësisht, shumica e njerëzve e pranojnë një punë pa u përpjekur fare për të negociuar një ofertë më të mirë.

Sipas një artikulli nga The Washington Post, vetëm 38% e personave të moshës 24 – 40 vjeҫ negociuan gjatë ofertave të tyre të para të punës, 48% e personave të moshës 57 – 75 vjeҫ negociuan ofertat e tyre të punës dhe 46% e personave të moshës 41 – 56 vjeҫ negociuan ofertat e tyre të punës që kanë aktualisht.

Megjithatë, shumica dërrmuese e punëdhënësve kanë si pritshmëri që punonjësit e tyre potencial të paktën të përpiqen të negociojnë një ofertë më të mirë pune. Me kaq pak njerëz që janë të gatshëm për të negociuar, NPR vlerëson se dështimi për të arritur një kontratë të mirë mund t’ju kushtojë nga 1 milion deri në 1.5 milion dollarë përgjatë jetës tuaj!

 

5 gjërat që duhet t’i negocioni gjithmonë gjatë një oferte pune

Tani që e shikoni se sa shumë para dhe përfitime mund të keni lënë pa diskutuar, është e rëndësishme të përpiqeni të negocioni disa prej këtyre aspekteve thelbësore në kontratën tuaj të ardhshme.

  1. Pagë më e lartë

Kjo pa dyshim që duhet të jetë në listë, por nuk duhet të jetë fokusi juaj i vetëm. Kur negocioni një pagë, synoni gjithmonë më shumë sesa mendoni se ju takon dhe jini të gatshëm ta mbështesni kërkesën tuaj me informacione suportuese.

Informacioni i paraqitur duhet të përfshijë normat e industrisë, së bashku me përvojën tuaj dhe vlerën që ju do t’i sillni kompanisë.

  1. Bonus fillestar

Për shkak se rrogat janë zakonisht të lidhura me strukturën e pagave të një kompanie, menaxherët e rekrutimit shpesh kanë më shumë fleksibilitet për dhënien e një bonusi fillestar sesa për një rritje të përhershme të pagës.

Duke qenë se njerëzit e tjerë në kompani mund të ndikohen negativisht nëse ju keni një pagë fillestare më të lartë, menaxherët e rekrutimit do të ishin më të gatshëm t’ju ofronin një bonus fillestar menjëherë me ardhjen tuaj në kompani, duke e bërë kështu më tërheqëse edhe ofertën e punës.

  1. Rimbursimi i kostove të arsimimit

Me kostot gjithnjë në rritje të arsimit të lartë, shumë punëdhënës mund të japin oferta pune që lidhen me rimbursimin e shpenzimeve të punonjësve për arsimimin e tyre. Disa punëdhënës mund të ofrojnë ndihmë për të shlyer kreditë tuaja studentore, ndërsa të tjerë do të pranojnë të paguajnë për arsimimin dhe çertifikimet tuaja shtesë.

Mos i nënvlerësoni përfitimet që vijnë nga rimbursimi i kostove të arsimimit, sepse investimi më i rëndësishëm që mund të bëni është te vetja juaj. Nëse punëdhënësi është i gatshëm të subvencionojë ose të paguajë për arsimimin tuaj, kjo është një fitore për të dyja palët!

  1. Periudha e pushimeve shtesë

Edhe pse shumica e amerikanëve hezitojnë të marrin periudhën e pushimeve, disa nga punonjësit më të mirë dhe më të suksesshëm kanë një ekuilibër të jashtëzakonshëm punë-jetë.

Është thelbësore të gjeni kohë për veten tuaj jashtë punës për të rimarrë forcat dhe për t’u çlodhur në mënyrë që të mund të ktheheni te punëdhënësi juaj i freskët dhe plot energji.

Për shkak se negocimi i periudhës së pushimeve shtesë është shpesh më i lehtë se sa negocimi i pagës, të kërkosh për një ose dy javë pushime më shumë është sigurisht diçka që mund të arrini ta fitoni me sukses.

  1. Kompensimi i automjetit ose orari fleksibël

Në varësi të largësisë së vendbanimit tuaj, punëdhënësi mund të jetë i gatshëm t’ju subvencionojë nëpërmjet një kompensimi për automjetin tuaj ose nëpërmjet një makine të kompanisë. Me rritjen e mundësive të telekomunikacionit, orari fleksibël mund të ishte një opsion më i mirë për rrethanat tuaja.

Në vend që të vini në zyrë të pesta ditët e javës, mund të negocioni për të punuar nga shtëpia tre nga pesë ditët e javës, gjë që mund t’ju kursejë kosto të konsiderueshme të transportit.

Mos e shisni veten lirë

Shumica prej nesh nuk e kuptojmë sasinë e vlerës dhe të përfitimeve që mund t’i sjellim një kompanie. Gjatë një negocimi, punëdhënësi është gjithmonë duke u përpjekur t’ju joshë të punoni për të, ndërkohë që ju ofron minimumin e mundshëm.

Mos kini frikë t’i tregoni vlerën tuaj kompanisë, duke e mbështetur atë me statistika dhe me përvojën tuaj, në mënyrë që të mund të merrni ofertën më të mirë të punës që meritoni. / The Ladders /

Artikulli paraprakNdërtesa e dytë më e lartë në botë ngrihet në Malajzi
Artikulli tjetërApple përballet me kërkesë të dobët për iPhone 13