Platforma më e madhe online e librit shqip, Bukinist.al përzgjedh librat më të mirë për marketingun, menaxhimin, shitjet, lidershipin, motivimin dhe aspekte të tjera të drejtimit të një sipërmarrje.
Kur përvoja e punës ecën krah për krah me marrjen e njohurive përmes librit apo formave të tjera të edukimit, rezultatet në një sipërmarrje janë shpërthyese. Libri mbetet një nga mjetet më efikase për ndërtimin e një sistemi edukimi në vazhdim tek çdo biznes. Mjafton që të keni një bibliotekë të vogël brenda zyrave tuaja dhe punonjësit zgjedhin librin që iu duhet për të bërë më mirë punën. Këtij qëllimi i shërben edhe lista e rekomandimeve “Biblioteka e sipërmarrjes”, përmes së cilës Bukinist përzgjedh dhe rekomandon librat më të mirë që i vlejnë një biznesi. Krahas kësaj, ne kemi menduar që të rekomandojmë çdo vit libra të cilat përshtaten me sfidat dhe nevojat e kohës për botën e sipërmarrjes.
Fillimi i pandemisë dhe ecuria e saj ka ndryshuar mënyrën sesi bëhet biznesi, – duke i dhënë prioritet komunikimit digjital dhe përmirësimit të platformave të e-commerce. Por, mbi të gjitha ka shtruar nevojën për ndryshimin e mendësisë së punonjësve, menaxherëve dhe liderave të biznesit.
Bazuar mbi përvojën pozitive që patëm ne si Bukinist.al me listën që rekomanduam vitin e kaluar, ne kemi përzgjedhur këtë vit 11 libra të cilat kanë në fokus përmirësimin e kulturës së punës, njohjen sa më të mirë të sjelljes njerëzore, përshtatjen me shprehi të reja, përmirësimi i aftësive drejtuese në të gjitha nivelet e biznesit, përballjen me mendësitë e reja për shkak të zhvillimit të teknologjisë, shumëfishimi i rezultateve brenda një kohe të caktuar, orientimi drejt një filozofie rritëse dhe fituese në treg përballë konkurrentëve dhe shumë elemente të tjera. Këto dhe shumë elemente të tjera do t’i mësoni përmes përmes leximit të listës së librave që ne po propozojmë për ju, me besimin se kemi bërë zgjedhjet që do t’ju vlejnë për të përmirësuar punën tuaj dhe arritur rezultatet që kërkoni.
Përzgjedhja është bërë duke u fokusuar tek autorë të huaj dhe shqiptarë, botime të ardhura së fundit, bestseller-a botërorë, por bazuar edhe nga kërkesat e lexuesve sipërmarrës, listat e rekomandimeve të platformave profesionale, etj.
Pa humbur kohë, le të ndajmë me ju 11 librat që kemi propozuar:
“Dilema e novatorit” nga Clayton M. Christensen
Libri revolucionar që do të ndryshojë mënyrën se si bëni biznes: Në këtë bestseller eksperti i novacionit, Clayton M. Christensen, thotë se kompanitë e shkëlqyera mund të bëjnë gjithçka siç duhet dhe sërish ta humbin lidershipin në treg, ose më e keqja, të zhduken krejtësisht. Ai jo vetëm e vërteton atë çfarë thotë, por udhëzon të tjerët se si ta shmangin një situatë të ngjashme.
“Rruga jone, rruga e suksesit ne biznes” nga Vasil Naçi dhe Alma Bici
Presidenti i Agna Group, trajnuesi dhe filantropi Vasil Naçi dhe Dr. Alma Bici sjellin për lexuesit librin e ri “Rruga jonë, rruga e suksesit në biznes”, i cili në vetvete përmbledh një përvojë të gjatë në zhvillimin e kompanisë Agna Group dhe që ofrohet si model edhe për sipërmarrësit shqiptarë.
Ky libër është ripunim i thelluar i librit “Është rruga jonë”, duke u bazuar mbi ndryshimet radikale, sidomos pas pandemisë dhe revolucionin digjital që ka ndodhur gjatë dy viteve të fundit. Ai është produkt i një përvoje 30-vjeçare të lidershipit të Agnës, por edhe i edukimit, trajnimeve dhe sfidave që biznesmeni dhe filantropi Vasil Naçi, bashkë me stafin e tij, kanë pasur gjatë organizimit të eventeve të mëdha “Rruga drejt suksesit” dhe “Mjeshtro biznesin”.
Libri trajton mënyrën e ndërtimit të kulturës në kompani, vlerat bazë; frymën e lidershipit në çdo nivel, përmirësimin dhe inovacionin e vazhdueshëm; komunikimin e hapur dhe me respekt; mençurinë në vendimmarrje dhe shpejtësi në zbatim; përballjen me realitetin dhe objektivat sfiduese; vetëdisiplinimin dhe argëtimin.
Ky libër vlen për të gjithë ata që e shohin jetën dhe biznesin si procese dinamike në ndryshme të vazhdueshme dhe menaxherët apo drejtuesit duhet të përballen me ndryshme të vazhdueshme.
Ky libër u ofron lexuesve një mënyrë të re të të menduarit për motivimin duke hedhur poshtë paradigmat ekzistuese. Shumica e njerëzve besojnë se mënyra më e mirë për të motivuar është shpërblimi me para – qasja e llojit “shpërblim dhe ndëshkim”. Ky është një gabim, thotë Daniel H. Pink (autor i librit “Të shesësh është njerëzore: E vërteta befasuese për motivimin e të tjerëve”). Në këtë libër provokues dhe bindës, ai pohon se sekreti i performancës së lartë dhe kënaqësisë në punë, në shkollë dhe në shtëpi – është nevoja thellësisht njerëzore për të drejtuar jetën tonë, për të mësuar dhe për të krijuar gjëra të reja, për t’u bërë më të mirë dhe për ta bërë botën më të mirë. Mbështetur në katër dekada kërkimesh shkencore për motivimin njerëzor, Pink-u zbulon mospërputhjen midis asaj që di shkenca dhe asaj që bën biznesi – dhe mënyrës se si kjo ndikon në çdo aspekt të jetës. Ai analizon tre elementë të motivimit të vërtetë – autonominë, perfeksionimin dhe qëllimin – dhe ofron zgjidhje inteligjente dhe befasuese për t’i vënë ato në praktikë në një libër unik që do të ndryshojë mënyrën se si mendojmë dhe jetojmë.
“10 X: Rregulli i vetem qe ben dallimin ndermjet suksesit dhe deshtimit” nga Grant Cardone
Suksesi ekstrem, sipas përkufizimit, shtrihet përtej veprimit normal. Nëse dëshironi të arrini sukses ekstrem, nuk mund të operoni njësoj si të tjerët e të pranoni mediokritetin. Ju duhet ta eliminoni fatin dhe shansin nga ekuacioni i biznesit, e të siguroni arritjen e suksesit masiv. Rregulli 10X ju tregon si! Suksesi është detyra, obligimi dhe përgjegjësia juaj, ndaj ky libër ju udhëzon hap pas hapi se si të arrini sukses fenomenal!
Tek “Rregulli 10X” ju do të mësoni të përcaktoni sasinë e përpjekjes që nevojitet për garantimin e suksesit dhe do të siguroheni që të operoni në këtë nivel përgjatë jetës suaj. Shumica e njerëzve e dëshirojnë suksesin dhe kanë ide të shkëlqyera, por nuk arrijnë të veprojnë aq sa duhet për ta çuar jetën e tyre në ato nivele të jashtëzakonshme që meritojnë.
“15 ligjet e paçmueshme të rritjes” nga John Maxwell
Ky libër i tretë, në serinë e Ligjeve të John Maxwell-it (pas librit “21 ligjet e padiskutueshme të lidershipit”, dhe librit “17 ligjet e padiskutueshme të punës në grup”), do t’ju ndihmojë të bëheni nxënës i përhershëm, potenciali i të cilit rritet vazhdimisht dhe nuk “shterron” kurrë: Zbatoji në jetë dhe shfrytëzo potencialin tënd
“Mendo për gjëra të mëdha dhe bëhu i madh” nga David J. Schwartz
Ky libër nuk ofron premtime boshe por një program të menduar me shumë kujdes për të përfituar sa më shumë nga puna, jeta, martesa dhe komuniteti në të cilin jetoni. Ai ju rrëfen se nuk keni pse të jeni intelektual apo të keni lindur me talent për të pasur sukses në jetë dhe për të arritur kënaqësi, por duhet të mësoni dhe kuptoni shprehitë e të menduarit dhe të sjelljes në mënyrë që të arrini aty ku dëshironi.
Ndryshimet e shpeshta të realitetit në të cilin jetojmë, transformimet digjitale e kanë nxitur babain e marketingut modern, Philip Kotler, të vazhdojë sfidën e tij të parashtruar tek Marketing 3.0 për të vijuar me një botim tjetër pas ndikimeve të jashtëzakoshme që kanë sjellë mediat sociale në jetën tonë.
“Në ditët e sotme, bota e teknologjisë lëviz aq shpejt, saqë çdo ndryshim përshpejton tjetrin. Për një mjedis të tillë, është vendimtare ekzistenca e një baze fillestare dhe një pike referimi që do të ndihmonte specialistët e marketingut të gjenin rrugën e tyre për të ardhmen. “Marketing 4.0” paraqet një studim të ri që do të shërbejë si pikë fillestare dhe si një burim tepër i çmueshëm për të gjithë ata që përpiqen të zbulojnë dhe të kuptojnë të ardhmen digjitale dhe të lëvizshme.”
“Standardi i bitcoin-it” nga Saifedean Ammous
Për cilindo që po kërkon një shpjegim të qartë të kësaj paraje të re digjitale, Standardi i Bitcoin-it është burimi i nevojshëm.
Në Standardin e Bitcoin-it, ekonomisti Saifedean Ammous i shëtit lexuesit përmes historisë së mrekullueshme të teknologjive të parasë dhe zbulon arsyen se si këto teknologji fituan rolin e tyre monetar, si e humben, çfarë na meson kjo gje mbi veçoritë dëshirueshme të parasë dhe se si Bitcoin-i është ndërtuar për të përmirësuar këto teknologji.
Ammous-i sqaron përfitimet ekonomike, shoqërore, kulturore dhe politike të parasë së shëndetshme kundrejt asaj jo të shëndetshme për të mundësuar një diskutim të gjerë mbi rolin potencial që Bitcoin-i mund të luajë në ekonominë digjitale të së ardhmes.
Në vend që ta trajtojë Bitcoin-in si një monedhë për kriminelët ose si një rrjet të lirë pagese, ky libër flet për të si një alternative e decentralizuar tregut të lirë dhe paanshmërinë politike përkundrejt alternativës aktuale të bankave qendrore, të cilat sjellin implikime potencialisht të mëdha ndaj lirisë dhe mirëqënies.
“Ska me justifikime” nga Brian Tracy
Ky libër do të të shërbejë si udhëzues që të bëhesh hap pas hapi njeri madhështor që të mund të bësh arritje madhështore në jetën tënde personale dhe profesionale, përmes tri fushave: qëllimet personale; qëllimet në biznes dhe lumturinë e përgjithshme.
“Iracionaliteti i parashikueshem” nga Dan Ariely
Kur vjen puna te vendimmarrja në jetën tonë, mendojmë se kemi kontroll: Mendojmë se po bëjmë zgjedhje të zgjuara dhe racionale. Por sa e vërtetë është kjo? Ekonomisti i sjelljes në MIT, Dan Ariely, përmes një serie eksperimentesh informuese dhe shpeshherë surprizuese, e hedh poshtë supozimin e zakonshëm se ne sillemi në mënyra krejtësisht racionale. Ariely, i cili ndërthur përvojën e përditshme me kërkimet novatore, na shpjegon se si pritshmëritë, emocionet, normat sociale dhe forca të tjera të padukshme dhe të palogjikshme, devijojnë aftësinë tonë për të arsyetuar. Ne, jo vetëm bëjmë gabime jashtëzakonisht të thjeshta përditë, por përsërisim të njëjtat “lloje” gabimesh, zbulon Ariely.
“The art of leading people” nga Elona Konomi – Garo
Ky nuk është thjeshtë një libër për teoritë e lidershipit në biznes, por është një gruidë praktike për menaxherët, e cila i ndihmon ata për të drejtuar njerëzit dhe kompanitë. Autorja ka analizuar disa nga kompanitë dhe drejtuesit më të suksesshëm, – është konsultuar me ata, dhe në këtë aspekt, ky botim përmban vlera të veçanta në kontekstin që jetojmë. Shqipëria është një vend jo i lehtë për të drejtuar, – por autorja ka hyrë në thelbin e çështjeve që kanë të bëjnë me artin e të drejtuarit. Bashkëpunimi që Elona Konomi – Garo ka pasur me studentët e saj në Universitetin e New York-ut në Tiranë i ka dhënë mundësinë që ka shohë në shumë kënde procesin e udhëheqjes së njerëzve. Ky botim është vetëm në gjuhën angleze. /BM/