Zekati

1) Është transmetuar nga Talha bin Ubejdullah se një person me flokë të shpupuritur, një ndër njerëzit e Nexhdit, erdhi te i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të). Ne dëgjuam murmuritjen e zërit të tij, por nuk mundëm të kuptonim qartë çfarë po thoshte derisa iu afrua të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të). Atëherë u bë e qartë se ai po bënte pyetje mbi Islamin. I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) tha: “Pesë falje gjatë ditës dhe natës.” (Mbi këtë) ai tha: “A kam detyrim të fal ndonjë tjetër përveç këtyre?” Ai (i Dërguari i Allahut, Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) tha: “Jo, përveçse ato që bën vullnetarisht nga dëshira jote e lirë, dhe agjërimi i Ramazanit.” Pyetësi tha: “A kam detyrim të bëj ndonjë gjë tjetër përveç kësaj?” Ai (i Dërguari i Allahut, Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) tha: “Jo, përveçse ato që bën vullnetarisht nga dëshira jote e lirë.” Dhe i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) i foli për zekatin (sadaka obligative). Pyetësi tha: “A kam detyrim të jap ndonjë gjë tjetër përveç kësaj?” Ai (i Dërguari i Allahut, Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) tha: “Jo, përveçse atë që jep vullnetarisht nga dëshira jote e lirë.” Burri u kthye mbrapsht duke thënë: “Unë nuk do të shtoj asgjë më shumë se kaq, as nuk do të heq asgjë prej tij.” I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) tha: “Ai është i shpëtuar nëse është i sinqertë në atë që thotë.”

2) Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta) ka transmetuar se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “(Ndërtesa e) Islamit është ndërtuar mbi pesë (gjëra): Dëshmia se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Allahut, falja e namazit, dhënia e zekatit, (kryerja e) haxhit dhe agjërimi i Ramazanit.”

3) Kajs ka thënë se Xherir bin Abdullahu ka transmetuar: “Unë dhashë besën (në duart e) të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) për kryerjen e namazit, dhënien e zekatit dhe dëshirën e mirë për çdo mysliman.”

4) Ebu Ejub (Allahu qoftë i kënaqur me të) ka transmetuar se një person i tha të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të): “Më trego për një vepër që mund të më fusë në Xhenet.” Ai (Ebu Ejubi) tha: “Çfarë dëshiron ai?” Atëherë i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) tha: “Kjo është një dëshirë e thjeshtë nga ana e tij. Adhuro Allahun dhe mos i shoqëro asgjë Atij, fale namazin, jep zekatin dhe mbaj lidhjet me të afërmit e tu.”

5) Transmetohet nga Enes bin Maliku se ai ka thënë: “Neve na ishte ndaluar të pyesnim ndonjë gjë (pa nevojë të vërtetë) te i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të). Prandaj na pëlqente që ndonjë person i mençur nga banorët e shkretëtirës të vinte dhe ta pyeste atë, në mënyrë që ne ta dëgjonim. Një burrë nga banorët e shkretëtirës erdhi (te i Dërguari i Allahut) dhe tha: ‘Muhamed, i dërguari yt erdhi tek ne dhe na tregoi pohimin tënd se Allahu të ka dërguar ty (si profet).’ Ai (i Dërguari i Allahut, Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) tha: ‘Ai ka thënë të vërtetën.’ Ai (beduini) tha: ‘Kush e krijoi qiellin?’ Ai (i Dërguari i Allahut) u përgjigj: ‘Allahu.’ Ai (beduini përsëri) tha: ‘Kush e krijoi tokën?’ Ai (i Dërguari i Allahut) u përgjigj: ‘Allahu.’ Ai (beduini përsëri) tha: ‘Kush i ngriti këto male dhe krijoi çfarë ka në to?’ Ai (i Dërguari i Allahut) u përgjigj: ‘Allahu.’ Atëherë ai (beduini) tha: ‘Për Atë që krijoi qiellin, tokën dhe ngriti malet mbi to, a është Allahu që të ka dërguar ty?’ Ai (i Dërguari i Allahut) tha: ‘Po.’ Ai (beduini) tha: ‘I dërguari yt na tha se pesë namaze janë bërë obligim për ne gjatë ditës dhe natës.’ Ai (i Dërguari i Allahut) tha: ‘Ai ka thënë të vërtetën.’ Ai (beduini) tha: ‘Për Atë që të dërgoi, a është Allahu që të ka urdhëruar për këtë (d.m.th. namazin)?’ Ai (i Dërguari i Allahut) tha: ‘Po.’ (Beduini) tha: ‘I dërguari yt na tha se zekati është bërë obligim për pasuritë tona.’ Ai (i Dërguari i Allahut) tha: ‘Ai ka thënë të vërtetën.’ Ai (beduini) tha: ‘Për Atë që të dërgoi (si Profet), a është Allahu që të ka urdhëruar për këtë (zekatin)?’ Ai (i Dërguari i Allahut) tha: ‘Po.’ Ai (beduini) tha: ‘I dërguari yt na tha se është bërë obligim për ne të agjërojmë çdo vit gjatë muajit të Ramazanit.’ Ai (i Dërguari i Allahut) tha: ‘Ai ka thënë të vërtetën.’ Ai (beduini) tha: ‘Për Atë që të dërgoi (si Profet), a është Allahu që të ka urdhëruar për këtë (agjërimin e Ramazanit)?’ Ai (i Dërguari i Allahut) tha: ‘Po.’ Ai (beduini) tha: ‘I dërguari yt na tha se haxhi është bërë obligim për atë që ka mundësi ta përballojë udhëtimin drejt tij (Qabesë).’ Ai (i Dërguari i Allahut) tha: ‘Ai ka thënë të vërtetën.’ Transmetuesi tha se ai (beduini) u nis (pas përfundimit të kësaj përgjigjeje, por gjatë largimit të tij) tha: ‘Për Atë që të dërgoi me të Vërtetën, unë nuk do të shtoj asgjë tjetër mbi këto, as nuk do të pakësoj asgjë prej tyre.’ Mbi këtë i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) tha: ‘Nëse ai është i sinqertë (në atë që tha), ai do të hyjë në Xhenet.’”

6) Transmetohet nga Ebu Ejub Ensariu se njëherë gjatë një udhëtimi të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) një beduin iu afrua dhe kapi kapistrën e devës së tij, pastaj tha: “O i Dërguar i Allahut (ose Muhamed), më trego për atë që më afron pranë Xhenetit dhe më largon nga Zjarri (i Xhehenemit).” Transmetuesi tha: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) ndaloi për një çast dhe hodhi një vështrim mbi shokët e tij dhe më pas tha: ‘Atij i është dhënë një mundësi e mirë (ose është udhëzuar mirë).’ Ai (i Dërguari i Allahut) duke iu drejtuar beduinit tha: ‘(Përsërit) çfarë the.’ Ai (beduini) e përsëriti atë. Pas kësaj i Dërguari (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) tha: ‘(Vepra që mund të të afrojë pranë Xhenetit dhe të të largojë nga Zjarri është kjo:) adhuro Allahun dhe mos i shoqëro asgjë Atij, fale namazin, jep zekatin dhe bëj mirësi ndaj të afërmve.’ (Pasi tha këto fjalë, i Dërguari i Allahut i tha beduinit:) Liroje kapistrën e devës sime.”

Artikulli paraprakBujaria
Artikulli tjetërMospagesa dhe shmangia e obligimeve