Viti më i vështirë i smartphone-ve. Apple kryeson në tremujorin IV

Shitjet e iPhone 12, 5G, e ndihmuan Apple të regjistrojë një rritje dyshifrore në tremujorin e katërt 2020. Hera e fundit kur Apple ishte shitësi kryesor i smartphone-ve ishte në tremujorin e katërt 2016.

Sipas raportit të shoqërisë së analizave Gartner, kompania me seli në Cupertino ka shitur rreth 79.9 milionë telefona në tre muajt e fundit të vitit, +15% krahasuar me vitin 2019, duke lënë pas Samsung, në një treg global që në tremujorin e katërt 2020 është reduktuar me 5.4% dhe 12.5% gjatë vitit.

Apple ka fituar 20.8% të tregut; ndërsa Samsung regjistroi një rënie të shitjeve me 11.8% në 62.1 milionë njësi në këtë periudhë, duke zënë 16.2% të tregut global. Tregu global – shpjegon shoqëria e analizave – është goditur nga kujdesi i konsumatorëve globalë, me rënien e kufizuar të prezantimit të telefonave të rinj 5G.

“Shitjet e më shumë smartphone-ve 5G dhe të fashës së mesme – të ulët reduktuan në minimum rënien e tregut në tremujorin e katërt 2020 – shpjegon Anshul Gupta, drejtues kërkimesh në Gartner. Edhe pse konsumatorët janë treguar të kujdesshëm në shpenzime dhe frenuan disa blerje, smartphone-t 5G dhe funksionet pro-kamera nxitën disa përdorues të blejnë smartphone të rinj apo të përditësojnë ata aktualë”.

Pas Apple dhe Samsung, Xiaomi e Oppo, me seli në Kinë, renditen në vend të tretë dhe të katërt në tregun botëror të smartphone-ve në tremujorin e fundit 2020, përkatësisht me 11,3 dhe 8,9%. Kompania kineze Huawei është goditur nga sanksionet e administratës së SHBA duke zbritur në vendin e pestë me 8.9%.

Viti 2020

Sa i përket gjithë vitit, tregu ka pësuar një rënie të fortë me 12.5%, pasi shitjet zbritën në 1.3 miliardë njësi.
Samsung u përball me një rënie prej 14.6% në 2020, por kjo nuk e pengoi të ruante vendin e parë si furnizuesi global i smartphone-ve në rezultatet e gjithë vitit.

Ai u përball me konkurrencën e fortë të furnizuesve rajonalë të smartphone-ve si Xiaomi, OPPO dhe Vivo, pasi këto marka janë bërë gjithnjë e më shumë agresive në tregun global. Në vitin 2020, Apple dhe Xiaomi janë dy furnizuesit e vetëm të smartphone-ve në Top 5 që regjistruan rritje, Samsung zë 18.8% të tregut, përpara Apple, me 14.8%.

Burimi: Gartner

Artikulli paraprakKosova do të ketë një revistë për Smart Home&IoT
Artikulli tjetërBitcoin arrin vlerën 1 trilion dollarë