Nga Hoxhë Justinian Topulli
Tregohet një herë se diku në një vend të caktuar jetonte një mbret, të cilit i lindi një djalë me cen në trup. Ai lindi pa veshë, pa pjesën e jashtme e cila rrethon organin e shqisës së dëgjimit. Mbreti u ndje shumë keq, sidomos për faktin se i biri do të tallej dhe përçmohej nga njerëzit, dhe pasi ai të bëhej mbret atë do ta etiketonin si mbreti veshprerë. Në këtë situatë ai u konsultua me një njeri të mençur se çfarë duhet të bënte? Dhe ai i tha se veshi i djalit nuk mund të ndreqej, por për të shmangur etiketimin dhe llagapin e keq për të birin, defektin e tij mbreti mund ta kthente në zakon dhe traditë për mbretërinë e tij, duke nxjerrë një ligj që çdo njeri që lind këtej e mbrapa do t’i pritet veshi që në vegjëli, duke e kthyer kështu këtë anormalitet të të birit në një normalitet të shoqërisë ku jetonte. Kështu edhe i biri i tij nuk do të ndihej aspak keq me shoqërinë dhe as kur të bëhej mbret. Në fund të fundit do të ishte mbreti veshprerë i një populli veshprerë. Dhe kështu u bë. Kaluan vite e vite dhe të gjithë banorët e atij vendi e kthyen në traditë të tyre prerjen e veshit, aq sa nuk ngeli më njeri që të lindte dhe të mos i pritej veshi. Aq shumë u rrënjos kjo traditë në këtë popull, saqë u bë normë dhe kur njerëz të huaj vinin nga vende të tjera në vendin e tyre, banorët habiteshin dhe talleshin me ta, kur i shihnin ata që nuk i kishin veshët e prerë! I përqeshnin dhe i ofendonin duke u thënë: njerëz me veshë!
Pavarësisht vërtetësisë së kësaj historie ose jo, ajo na tregon sesi traditat, zakonet dhe kulturat e një populli mund të zhbëhen duke pësuar edhe metamorfoza të tilla absurde, ku normalja dhe e natyrshmja shihet si e huaj, e shëmtuar dhe e panatyrshme. Sistemet laiciste, dhe në veçanti mes tyre ato të majta dhe marksiste, duke u nisur nga premisa se kultura është produkt i ideologjisë sunduese, i kanë përshkruar gati të gjitha normat dhe traditat që atyre nuk u pëlqejnë, si të ndikuara e të imponuara nga “lavazhi” që institucionet e shoqërisë, duke nisur që nga familja, i kanë bërë mendjes së njeriut që në vegjëli. Është pikërisht ky botëkuptim me të cilin ata e shohin edhe besimin fetar dhe praktikat e tij.
Të vendosësh shaminë, të lëshosh mjekër, të kufizohesh nga disa gjëra apo të kryesh rregullisht ritet fetare dhe të modelosh jetën sipas kërkesave të besimit tënd, e gjitha kjo etiketohet dhe shihet si lavazh ideologjik i mendjes njerëzore!
Por ndërkohë, pyetja që u drejtohet vetvetiu këtyre njerëzve është se, cila është normativa bazë, që duhet t’i referohemi për të mos e konsideruar një praktikë fetare, apo traditë e kulturë si normale dhe jo nën efektin e “lavazhit të trurit”?! Ajo që bëjnë shumica e njerëzve në një shoqëri të caktuar në kohë të caktuar -siç mund të përgjigjen shumica e tyre-?! Po a nuk është kjo shumicë e indoktrinuar nga zakonet dhe normat e ideologjisë sunduese?! Po përse afetaria, apo të qenin laik qenka normativa dhe e natyrshmja dhe jo e kundërta?! Po përse zhveshja, mos mbulimi i grave, e zakone të tjera moderne, qenkan të paideologjizuara dhe nuk qenkan lavazh i trurit?!
Si është e mundur që norma, rregulla, praktika, zakone e tradita të trashëguara ndër shekuj në shoqërinë tonë dhe të tjera, qenkan lavazh i trurit, nëse ato rikthehen, ndërkohë që zakonet dhe normat që imponoi sistemi laicist dhe ai komunist, nuk qenkan lavazh truri, por gjëra të natyrshme dhe norma bazë të shoqërisë?! Nëse shoqëritë tradicionale për mijëra vjet kishin në themel të formësimit të kulturës së tyre ndër të tjera edhe fenë, ashtu edhe sistemi i sotëm modern ka në themel të tij fenë laiciste, me gjithë sektet e saj, e cila nuk është gjë tjetër vetëm se ideologji që u bën lavazh mendjes së njerëzve, duke vendosur ajo arbitrarisht se çfarë është e mirë dhe çfarë është keqe, çfarë është normë në shoqëri dhe çfarë është tjetërsim e përjashtim.
Veshprerët laicistë, duan të na mbushin mendjen se ata janë të vetmit njerëz normal dhe kush nuk mendon dhe jeton si ta, ai është delja e zezë që i duhet prerë veshi!