Vakëfet monetare në Egjipt

Burime të ndryshme kanë zbuluar se në shekullin e 18-të në Egjipt shuma të mëdha parash dhuroheshin si vakëf për institucione të ndryshme fetare, siç ishte i famshmi el-Ezhar, si dhe për teqe dhe tyrbe më të vogla. Shuma të tilla gjithashtu caktoheshin për festimet periodike të mevludeve të Profetit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të). Gjithashtu kemi të dhëna të mirëdokumentuara për njëfarë Abidin Bej, i cili ishte amir el-haxh në vitet 1620 dhe që zhvilloi një lagje të tërë të Kajros, e cila edhe sot mban emrin e tij. Ky zhvillim u arrit përmes sistemit të vakëfit, i cili përfshinte prona të gjera të paluajtshme si dhe fonde në para. Paratë ishin dhuruar si vakëf për të varfërit e qyteteve të shenjta.

Sa i përket kohëve moderne, ndryshe nga Turqia, vakëfet monetare në Egjipt duket se e ruajtën personalitetin e tyre juridik. Anderson na informon se neni 8 i të ashtuquajturit Ligj mbi Rregullat që Lidhen me Vakëfin, i vitit 1946, lejonte themelimin e vakëfeve monetare në formën e aksioneve dhe kuotave në kompani. Anderson gjithashtu thekson se në Egjipt ka pasur një zhvendosje nga ligji më i vështirë hanefi drejt ligjit malikij në çështjet e vakëfit.

“… ligji hanefi, i cili ishte i zbatueshëm më parë, e lejon vakëfin e sendeve të luajtshme vetëm si pjesë shoqëruese e pronave të paluajtshme ose nëse ai është i sanksionuar nga zakoni i lashtë, por doktrina malikije, e cila nuk parashikon një kufizim të tillë, dukej qartë më e përshtatshme për jetën moderne. Pikëpamja e Ebu Jusufit, e cila më parë dominonte, lejonte vakëfin e një pjese të pandarë të një pasurie të pandashme pothuajse pa kufizime, por pikëpamja malikije, shumë më e rreptë në këtë aspekt, u konsiderua më e preferueshme për shkak të mosmarrëveshjeve dhe ndërlikimeve që sjell e kundërta. Parashtrimi i këtij parimi kërkonte një referencë të qartë për vlefshmërinë e një vakëfi të aksioneve dhe kuotave të kompanive, me kusht që ato të mos shkelin ndalimin islam të kamatës. Dispozita të ngjashme mund të gjenden në nenet 15 dhe 16 të Ligjit Libanez.”

Nevojitet një sqarim më i hollësishëm mbi vështirësinë që lidhet me ligjin hanefi, i cili lejon vakëfin e sendeve të luajtshme vetëm nëse ai mbështetet në një zakon të lashtë. Kështu, pavarësisht raportit të Imam Serahsisë se Imam Muhammedi e kishte pranuar vlefshmërinë e vakëfit të sendeve të luajtshme duke u mbështetur në zakonet e kohës së tij si dhe në ato që mund të lindnin në të ardhmen, autoritetet egjiptiane e konsideruan ligjin hanefi si tepër të ngurtë dhe preferuan ligjin malikij. Mund të ketë pasur disa arsye për këtë. Nga njëra anë, ligji malikij mund të jetë preferuar ndaj atij hanefi si pjesë e një procesi për të hequr gjurmët e epokës osmane. Nga ana tjetër, vështirësia teknike e përfshirë në konceptin e zakonit mund të ketë nxitur gjithashtu këtë ndryshim. Meqenëse themelimi i një vakëfi me aksione të kompanive anonime duhet të ketë qenë një praktikë e re, autoritetet mund të kenë preferuar ligjin malikij, i cili nuk ka kufizime në lidhje me zakonet.

Ironikisht, ligji malikij, i cili u preferua për shkak të fleksibilitetit të tij në lidhje me zakonet, u zgjodh gjithashtu për shkak të rreptësisë së tij në lidhje me vakëfin e një pjese të pandarë, të njohur si Mush’a. Vlen të theksohet gjithashtu se kjo rreptësi e ligjit malikij mbi vakëfin e Musha-s çoi në një konfirmim të tërthortë të vakëfeve moderne të parasë. Është gjithashtu interesante që dispozita të ngjashme gjenden edhe në legjislacionin libanez.

Leja e dhënë nga Neni 8 për themelimin e vakëfeve të parasë në formën e aksioneve dhe kuotave të kompanive të kapitalit aksionar pati ndikime të rëndësishme në çështjet e ibdal/istibdal në Egjipt. Kur një pronë vakëfi shitej, shuma e parave për të cilën ajo këmbehej quhej emval el-bedel. Më parë, këto emval el-bedel nuk viheshin menjëherë në përdorim; ato mbeteshin të papërdorura për vite të tëra dhe e humbnin vlerën për shkak të inflacionit. Për shembull, në vitin 1942, shuma e përgjithshme e fondeve të papërdorura kishte arritur në 670,938 lira egjiptiane. Nenit 14 dhe 15 e ndryshuan këtë gjendje. Ato i autorizuan gjykatat që të blinin me këto emval el-bedel çdo pronë të luajtshme ose të paluajtshme, e cila do të siguronte një burim të ri të ardhurash për vakëfin përkatës. Gjykatat gjithashtu mund të jepnin leje për të investuar këto emval el-bedel përkohësisht me qëllim të gjenerimit të të ardhurave afatshkurtra.

Pritej që gjykatat ta bënin këtë si përgjigje ndaj kërkesave të palëve të interesuara, por në rastet kur një kërkesë e tillë nuk paraqitej brenda një viti nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji, një gjykatë e posaçme, Mahkamat el-Tasarrufat në Kajro, me kërkesë të Ministrit të Drejtësisë, kishte të drejtë t’i përdorte këto fonde për blerjen e burimeve të reja të të ardhurave në formën e pronave të luajtshme ose të paluajtshme. Në rastet kur kapitali i disa vakëfeve ishte shitur dhe emval el-bedel i përkiste këtyre vakëfeve në mënyrë të përbashkët, atëherë çdo pronë e ndërtuar ose e blerë me këto fonde mbetej në pronësi të përbashkët të tyre, në përpjesëtim me pjesën që secili kishte në fondin fillestar.

Kështu, Ligji i vitit 1946 në Egjipt solli disa reforma njëkohësisht. Së pari, ai lejoi themelimin e vakëfeve monetare me aksione dhe kuota në kompani të kapitalit aksionar (Neni 8), dhe më pas e përdori këtë dispozitë për të adresuar problemin e fondeve të papërdorura të krijuara nga shitja e pronave të rrënuara të vakëfit. Për këtë arsye, në Egjipt lejohet shitja e këtyre pronave vakëf me kusht që paratë e përfituara të përdoren për themelimin e një vakëfi të ri monetar.

Praktika e shndërrimit të pronave të paluajtshme të vakëfeve në para u përshpejtua pas Revolucionit Nasirian, kur shteti mori juridiksion mbi të gjitha vakëfet përmes Ministrisë së Vakëfeve. Në vitin 1957, Ligji 152 i dha shtetit të drejtën për të zëvendësuar tokën me para, pra për të praktikuar ibdal/istibdal në një shkallë të gjerë. Në fakt, ky ligj hapi rrugën për një reformë të gjerë agrare dhe për nacionalizimin e tokave të vakëfit duke ia kaluar pronësinë e tyre Komitetit të Reformës Agrare. Kujdestarët e vakëfeve u pajisën me obligacione të Reformës Agrare për tokat e konfiskuara. Kur këto obligacione arrinin maturimin, kapitali i tyre i kalohej qeverisë dhe investohej në projekte zhvillimi. Kujdestarët pastaj pritej të merrnin, në emër të vakëfeve të tyre, interesin që rridhte nga këto obligacione dhe më vonë fitimet nga kapitali i investuar. Në këtë mënyrë, vakëfet e pasurive të paluajtshme në Egjipt u shndërruan në vakëfe monetare me aksione në projektet zhvillimore të qeverisë.

Artikulli paraprakVakëfet monetare në Azinë Qendrore
Artikulli tjetërVakëfet monetare në Indi