Turqia po shet dollarë që të luftojë zhvlerësimin e lirës

Banka Qendrore e Turqisë tha se ka ndërhyrë në tregun e shkëmbimit të valutave të huaja të premten për të shitur dollarë në kohën kur lira përsëriu iu afrua vlerave më të ulëta rekord pas shqetësimit të vazhdueshëm rreth politikës së Presidentit Rexhep Erdogan, i cili vazhdon të mbajë të ulëta normat e interesit.

 

Kjo është hera e tretë brenda vetëm dhjetë ditëve që Banka Qendrore njoftoi për ndërhyrje, pavarësisht rezervave të varfëruara, për shkak të “rritjes së pashëndetshme të çmimeve”. Dy ndërhyrjet e kaluara u bënë javën që shkoi dhe e mbajtën lirën nën 14 në këmbim me një dollar, shkruan Reuters.

Rreth mesditës së të premtes, një dollar amerikan u këmbye me 13.88 lira, 0.55 më dobët për lirën se të enjten. Vlera në mesditë ra deri në 13.95 lira për një dollar para ndërhyrjes së Bankës Qendrore, afër rekordit të vlerës më të ulët prej 14.00, që u shënua javën e kaluar.
Valuta turke ka pësuar rënie të vlerës prej 46 për qind në raport me dollarin këtë vit, duke nxitur inflacionin në një ekonomi që varet shumë nga importet.
Presidenti turk vazhdimisht e ka përkrahur uljen e normës së interesit përderisa po promovon një plan të ri ekonomik me prioritet rritjen ekonomike, prodhimin dhe eksportin, pavarësisht kritikave të gjera të ekonomistëve për këtë lloj politike.   /BM/

Artikulli paraprakATK deri në fillim të dhjetorit ka inkasuar 552.7 milionë euro nga tatimet
Artikulli tjetërVolkswagen shënon rënie të shitjes së automjeteve për shkak të problemit me çipat