Përmes një raporti special të titulluar “Largimi i heshtur i myslimanëve nga Franca”, “The New York Times” nënvizon se numri i muslimanëve që janë duke u larguar nga Franca, po shënon rritje dita-ditës dhe ky fenomen është sinjal i qartë i një krize të thellë.
Pasi tërheq vëmendjen se Franca ka humbur profesionistë shumë të kualifikuar, të cilët janë në kërkim të dinamizmit dhe shanseve, artikulli në fjalë thekson se sipas studiuesve, mes tyre ka edhe shumë francezë muslimanë që thonë se shkaku i largimit të tyre është diskriminimi.
“Këta njerëz vënë në dyshim vazhdimisht sigurinë e tyre, ndjenjën e mospërkatësisë dhe ndihen të detyruar të largohen nga vendi për shkak të barrierës së paragjykimeve kundër tyre”, shkruhet mes rreshtave të këtij raporti.
Mes të tjerash, në artikull potencohet se politikanët dhe shtypi në vend e shpërfillin këtë ecuri dhe kjo situatë demonstron haptazi dështimin e Francës për t’u mundësuar ngjitjen e shkallëve të shoqërisë madje edhe anëtarëve më të kualifikuar të pakicave dhe për t’i paraqitur ata si shembuj të integrimit.
“Të gjitha bisedat për fushatën zgjedhore presidenciale në Francë kanë të bëjnë me emigracionin. Por është emigracioni në rritje i muslimanëve francezë ai që tregon për një krizë më të thellë për vendin”, shkruan gazeta amerikane me seli në Nju-Jork.
Në vitin 2020, aktet antimuslimane në Francë u rritën me 52% në krahasim me vitin e mëparshëm, sipas ankesave zyrtare të mbledhura nga Komisioni Kombëtar i të Drejtave të Njeriut, një organ qeveritar. Incidentet janë shtuar gjatë dekadës së fundit duke arritur kulmin në vitin 2015. Një sondazh i rrallë zyrtar i vitit 2017 zbuloi se të rinjtë që konsiderohen arabë ose zezakë, kanë 20 herë më shumë gjasa të identifikohen nga policia.
Sipas një raporti të hartuar nga vetë qeveria franceze dhe të publikuar në nëntor 2021, punëkërkuesit me emra arabë kanë 32% më pak gjasa që të thirren për një intervistë nga punëdhënësit./trt/