Omeri përcjell: “E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) duke thënë: ‘Nëse do t’i besonit Allahut ashtu siç Ai meriton të besohet, Ai do t’ju siguronte furnizimin (rizk) ashtu siç u jep zogjve, të cilët fluturojnë në mëngjes me barkun bosh dhe kthehen në mbrëmje me barkun plot’.”
Habba dhe Saua, bijtë e Halidit, përcjellin: “Ne e vizituam të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) ndërsa ai ishte i angazhuar me një punë. E ndihmuam në këtë punë. Ai (Profeti i Shenjtë) tha: ‘Nuk duhet të shqetësoheni për furnizimin tuaj për aq kohë sa jeni gjallë. Nëna lind një fëmijë të kuq dhe pa asgjë mbi të, pastaj Allahu i Plotfuqishëm e furnizon atë’.”
Amr b. Asi përcjell: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) tha: ‘Njeriu ka shumë ambicie. Nëse e përkushton veten pas tyre, Allahu bëhet indiferent ndaj asaj që e shkatërron atë. Por nëse i mbështetet Allahut, do të shqetësohet më pak për këto ambicie’.”
Ebu Hurejra përcjell se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Kur dikush prej jush sheh dikë që është në një nivel më të lartë në pasuri dhe fizik, le të shikojë edhe dikë që është në një nivel më të ulët në këto gjëra.”
Ebu Hurejra përcjell se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Shikoni ata që janë në një nivel më të ulët se ju, por mos shikoni ata që janë më lart se ju, sepse kjo do t’ju bëjë të mos e vlerësoni siç duhet atë që Allahu ju ka dhuruar.”
Ebu Dherri përcjell se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Devotshmëria në këtë botë nuk qëndron në shpalljen e hallallit si haram apo në shpërdorimin e pasurisë. Përkundrazi, devotshmëria është kur e konsideron atë që është tek Allahu më të mirë dhe më të sigurt sesa atë që ke në duart e tua dhe kur shpreson shpërblimin nga Allahu për sprovat që të vijnë.”
Abdurrahman el-Hubuli përcjell: “Dëgjova që një person e pyeti Abdullah b. Amr b. As: ‘A nuk jemi ne ndër të varfrit e emigrantëve?’ ‘Abdullahu i tha: ‘A ke një bashkëshorte me të cilën jeton?’ Ai tha: ‘Po.’ Ai e pyeti: ‘A ke një shtëpi ku të jetosh?’ Ai tha: ‘Po.’ Pastaj Abdullahu i tha: ‘Atëherë ti je mes të pasurve.’ Ai tha: ‘Kam edhe një shërbëtor.’ Atëherë Abdullahu tha: ‘Atëherë ti je mes mbretërve’.”
Ebu Abddurrahmani përcjell se tre persona erdhën te Abdullah b. Amr b. As ndërsa ai ishte ulur dhe thanë: “Pasha Allahun, ne nuk kemi asgjë, as furnizime, as kafshë për udhëtim, as pasuri.” Ai u tha: “Jam gati të bëj çfarëdo që dëshironi. Nëse doni, ejani tek ne dhe do t’ju japim atë që Allahu na ka dhënë. Ose, nëse doni, mund të flas për ju me sundimtarin. Ose, nëse doni, tregoni durim, sepse e kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) duke thënë: ‘Të varfrit mes emigrantëve do të hyjnë në Xhenet dyzet vjet para të pasurve në Ditën e Ringjalljes’.” Ata thanë: “Ne do të tregojmë durim dhe nuk do të kërkojmë asgjë.”