“Çfarëdo që të jetë suksesi që ka arritur ndokush, fillimi i atij suksesi është në vendin dhe momentin kur ai e ka menduar atë të arriturën, çfarëdo të ketë qenë ai vend.”
Dr. Ibrahim el-Fekij
Në librin “Sfidojini vështirësitë” të Sami el- Buhejrit ka tregime të shumta, të cilët flasin për një gjë të përbashkët, për atë se nëse njeriu dëshiron dhe i aktivizon të gjitha forcat që posedon në vetvete mund të arrijë shumë. Aq shumë mund të arrijë saqë as vetë ai nuk do të mund ta paramendojë e as ata që e njohin. Nga këto tregime është edhe tregimi që dr. El-Buhejri e titulloi “Imponues i La Manshit” dhe në të flitet për luftën e notarit, legjendës Mustafa Ibrahim Halilit. Tregon se si ai kur ka qenë nxënës në klasën e parë ka humbur këmbët, ia ka zënë treni. U bë me të meta dhe mundej që ai këtu të dorëzohej dhe jeta e tij të përfundonte. Por jo, e meta që ai pësoi e shtyu atë t’i aktivizojë të gjitha forcat e veta dhe të fillojë një jetë të re e të mirë.
Kalonin ditët, javët, muajt e vitet e Mustafai ballafaqohej vazhdimisht me sfida të ndryshme. Me sfida materiale, sfida në shkollë etj. Por – falë All-llahut të Lartësuar – por edhe falë dëshirës së tij të flaktë për t’u bërë i njohur apo i rëndësishëm për shoqërinë, Mustafai filloi të notojë çdo ditë për shumë orë. Ushtronte not çdo ditë, kishte paguar për një pishinë për një kohë të caktuar që të ushtronte notin. Një ditë para se të përfundonte ushtrimet e tij në atë pishinë, përderisa Mustafai kthehej në shtëpi, e goditi një veturë në komunikacion. U lëndua rëndë në shpatull dhe e dërguan në spital. Mustafai nuk u dorëzua, edhe pse u shtri për disa muaj në spital. Vazhdoi të ushtrojë notin edhe pasi doli nga spitali, vazhdoi derisa filloi të marrë pjesë edhe në gara të notit. Fillimisht në gara më të ulëta, në gara rajonale derisa arriti të notojë qosh më qosh detin e La Manshit.
Prova e tij e parë ishte në vitin 1986, por askush nuk e sponsorizoi udhëtimin e tij deri atje, të gjithë mendonin se investimi për një njeri me të meta, sikurse ishte Mustafai, është investim i kotë, janë para të humbura nga investimi. Ndërsa, nga ana tjetër, Mustafai nuk kishte mundësi materiale të udhëtonte vetë. Por ai nuk u dëshpërua e as nuk u dorëzua, por vazhdoi të ushtronte. Filloi të kërkojë punë dhe shkoi tek drejtori i revistës “El-Ehram”, i rrëfeu atij tregimin e vet dhe i kërkoi punë. Drejtori i revistes pranoi dhe i premtoi se do ta sponsorizojë edhe udhëtimin e tij per në La Mansh.
Erdhi dita e garave të notit në La Mansh dhe shkoi legjenda, Mustafa Halili, në garë. Pas shumë vështirësive dhe pas një lodhjeje të paparamenduar Mustafa Halili arriti ta kalojë me not detin e La Manshit qosh më qosh. Edhe atë, duke filluar nga brigjet e Britanisë së Madhe deri në brigjet e Francës. E pritën grupe njerëzish me duartrokitje dhe filluan të qajnë kur e panë se ai është me të meta, se është pa këmbë. Mbetën të habitur me legjendën, i cili ishte mbështetur fort në All-llahun të Lartësuar, asnjëherë nuk i ishte dorëzuar fatit të keq, edhe pse pa këmbë ai u bë njeriu i parë me aftësi të kufizuara që e kishte kaluar La Manshin me not qosh më qosh.
Fundi i tregimit në të vërtetë ishte fillimi i hyrjes në fletat e përjetshme të historisë dhe ky tregim shton shpresat të gjithë njerëzve, qofshin të shëndoshë apo edhe me të meta.
Helen Kejler thotë: “Ka njerëz që shikojnë, por nuk shohin, nuk janë pamës. Ka njerëz që kanë veshë, por nuk dëgjojnë, kanë shqisa, por nuk kanë ndjenja. Kam mësuar se i verbri i vërtetë është ai që e ka zemrën të verbër, e jo ai që i ka sytë e verbër.” Këto fjalë janë mesazh për të gjithë ata që e kalojnë kohën duke u ankuar e nuk marrin masa për ndryshimin e gjendjes së tyre të keqe.
Tani më lejo të të pyes:
- A ke vendosur të fillosh një jetë të re, më të mirë?
- A ke vendosur të largohesh nga mbytja e vetvetes dhe të fillosh të ndihesh i gjallë?
- A ke vendosur t’i aktivizosh fuqitë dhe aftësitë e tua të brendshme në mënyrë që t’i arrish qëllimet e tua dhe të bëhesh pozitiv për veten edhe për të tjerët?
- A ke vendosur të mbështetesh në All-llahun e Lartësuar dhe ta bësh lidhjen mes teje dhe Atij (të Lartmadhëruarit) lidhjen më të fortë nga të gjitha lidhjet e tjera?
- Bëje këtë ditë një ditë të re në jetën tënde. Bëje këtë ditë një ditëlindje të re tënden dhe këtë do ta arrish duke e lexuar këtë libër disa herë, derisa strategjitë dhe këshillat e këtij libri të bëhen pjesë e jetës tënde!
- Të jesh i sigurt se në fillim do të kalojë një kohë kur ti do të ndihesh i frikësuar dhe i humbur!
- Nëse përballesh me vështirësi kujtoje Mustafa Halilin, i cili e kaloi me not La Manshin përkrah asaj që ishte pa këmbë. Kujtoje Xhemale El-Bejdanin e cila nuk njohi absurden, tejkaloi të pamundurën dhe u bë udhëheqësja e të gjithë atyre që janë me aftësi të kufizuara. Kujtoje Omer Abdulazizin, atë të verbrin i cili shkëlqeu në përdorimin e elektronikës dhe arriti t’i ndihmojë çdo njeriu të varfër. Kujtoje të dashurin tonë Muhammedin [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], atë i cili u ballafaqua me sfidat, problemet dhe vështirësitë më të mëdha që ekzistojnë në këtë botë, sfida që s’mund t’i përballojë askush tjetër pos tij. Por ai u mbështet seriozisht në All-llahun e Lartësuar, i ndihmoi All-llahu atij, e bëri ngadhënjimtar dhe e bëri rilindjen ose lindjen e re të popullit musliman me dërgimin e tij, [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem].
- Nëse ndonjëherë je në ndonjë gjendje të rëndë apo je përballë ndonjë problematike të komplikuar dhe të rëndë për t’u zgjidhur, pyete veten në atë moment:
- Mendimet negative dhe pesimizmi a me afrojnë drejt Zotit të botëve? Do ta shohësh se përgjigja është “JO”.
- Mendimet negative a e përmirësojnë shëndetin tim? Jo!
- Mendimet negative a më ndihmojnë në realizimin e ëndrrave dhe qëllimeve të mia? Jo!
- Mendimet negative a më ndihmojnë që të përparoj dhe të zhvillohem? Jo!
Pas këtyre pyetjeve merr frymë thellë, mbaje ajrin brenda për një kohë të gjatë, aq sa ke mundësi, pastaj me ngadalë lëshoje frymëmarrjen dhe thuaj tri here: Elhamdulil-lah, Elhamdulil-lah, Elhamdulil-lah – qe ne shqip do të thotë “Falënderimi i takon vetëm All- llahut te Lartësuar. Pastaj përqendrohu në atë që dëshiron dhe assesi mos u përqendro në atë që është e padëshiruar për ty. Përqendrohu në qëllimet e tua, aktivizoji forcat e tua dhe futi në përdorim, mbështetu me plot sinqeritet në All-llahun e Lartësuar dhe kështu do të jesh nga njerëzit më të fortë që ka pasur dhe që ka kjo botë. Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] thotë: “Kush dëshiron të jetë njeri i fortë le të mbështetet në All-llahun e Lartësuar!” (transmeton Hakimi në “El- Mustedrik”)
Ji i sigurt në pozitivizimin (përmirësimin) e personalitetit tënd dhe të kaluarës tënde! Ji i sigurt në atë se All-llahu është Mbikëqyrësi yt dhe se vetëm Ai mund të ndryshojë gjendjen e ndokujt, por Ai nuk ndryshon gjendjen e askujt, përderisa ai nuk kërkon ndryshim dhe nuk vepron për ndryshim, andaj kërkoje ndryshimin e gjërave të tua negative, nga të qenit të tilla në gjëra pozitive dhe të dobishme.
Lus All-llahun e Madhërishëm të të japë paqe, të të japë rehati shpirtërore, mendore dhe trupore. Gjithashtu, lus All-llahun e Madhërishëm që të jesh prej atyre që arrijnë t’i realizojnë dhe t’i jetojnë ëndrrat (qëllimet) e tyre dhe lus All-llahun e Madhërishëm të jesh nga robërit e Tij të sinqertë. Amin!
Strategji të të menduarit | Dr. Ibrahim el-Fekij