Nga Ebu Hurejre (radijAllahu anhu) përcillet të ketë thënë: “Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Vërtet, Allahu i Lartësuar thotë: “O bir i Ademit! Angazhohu me adhurim ndaj Meje, do ta mbush gjoksin me pasuri dhe do ta largojë varfërinë. Në të kundërtën, do t’i mbush të dyja duart me punë dhe nuk do ta largojë varfërinë.” (Përcjellë nga Ahmedi, 2/358, nr. 8681, Tirmidhiu, 4/642, nr. 2466 dhe tha: “Hadith hasen garib. Po ashtu nga Hakimi. 2/481, nr. 3657, i cili tha: “Zinxhiri i tij është sahih. Gjithashtu nga ibën Ebi Shejbe, 7/126, nr. 34699, ibën Maxhe, 2/1376, nr. 4107 dhe ibën Hibbani, 2/119, nr. 393. Shejh Albani e ka vlerësuar si sahih në Sahih Sunen ibën Maxhe, nr. 4107).
Nga Enes bin Maliku (radijAllahu anhu) përcillet të ketë thënë: “I Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Kush e ka preokupim kryesor jetën e pastajme (ahiretin), Allahu do t’ia vendosë pasurinë në zemër, do t’ia bashkojë punët dhe do t’i vijë dynjaja duke qenë e përulur. E, kush e ka preokupim kryesor jetën e kësaj bote, Allahu do t’ia vendosë varfërinë mes dy syve, do t’ia shpërndajë punët gjithandej dhe nuk do t’i vijë nga dynjaja veçse aq sa i është caktuar.” (Përcjellë nga Hennadi 2/355 dhe Tirmidhiu, 4/642, nr. 2465. Shejh Albani e ka vlerësuar si sahih në Es-Silsile Es-Sahiha, 2/670).
Alamet dijetari El-Mubarekfurij në veprën e tij “Tuhfetul-Ahuedhij sherh Xhami’it-Titmidhij”, thotë:
“Kush e ka preokupim kryesor” domethënë: “Kush e ka si qëllim dhe synim kryesor të vetin.”
“Allahu do t’ia vendosë pasurinë në zemër” domethënë: “E bën të kënaqur me atë që e ka, në mënyrë që të mos lodhet duke kërkuar shtesë.”
“do t’ia bashkojë punët” domethënë: “Çështjet e shkapërderdhura, duke e bërë me mendje të përqendruar (bashkuar), dhe duke ia vënë në dispozicion të gjitha shkaqet prej nga nuk e pret fare.”
“dhe do t’i vijë dynjaja” domethënë: “Ajo që i është caktuar dhe ndarë si hise prej saj.”
“duke qenë e përulur” domethënë: “E nënshtruar, e përçmuar dhe që i shkon pas; nuk ka nevojë për ndonjë mund të madh në arritjen e saj, përkundrazi, dynjaja i vije hazër dhe lehtë, edhe pse ajo dhe ithtarët e saj e urrejnë këtë.”
“(E, kush e ka preokupim kryesor jetën e kësaj bote), Allahu do t’ia vendosë varfërinë mes dy syve” domethënë: nevojën për krijesa, sikur të ishte një gjë që i rri gjithmonë para syve.”
“do t’ia shpërndajë punët gjithandej” domethënë: çështjet që i ka të mbledhura (rregulluara).
“dhe nuk do t’i vijë nga dynjaja veçse aq sa i është caktuar” domethënë: “Duke qenë vetë ai i përuluri (i përçmuari). Andaj, nuk i vjen shtesa që e kërkon, përkundër dëshirës së tij dhe dëshirës së atyre që janë si ai.