Si ta nxisni kreativitetin në zyrë

Në kohën e informacioneve, fitimi nuk ka të bëjë me të qenit më të mëdhenj, më të pasur ose të punoni më shumë se konkurrentët. Suksesi i biznesit sot ka të bëjë me ndërmarrësin i cili mund të gjejë zgjidhjet më kreative për problemet. P.sh., Uber ka zgjidhjet më kreative për problemet më të vjetra, si të kalojnë nga pika A në B.

Në punën time si trajner, shumë pak ndërmarës vijnë duke dëshiruar të mësojnë mënyrat e vjetra për të bërë gjërat. Ata dëshirojnë të dijnë se si mund të fitojnë përparësi duke bërë diçka të cilën askush nuk po e bën. Dhe mënyra më e mirë për t’a bërë këtë, sigurisht, është të jepni një ide për të cilën askush nuk ka menduar.

Por përderisa praktikat dhe proceset më të mira për shumë funksione kritike janë të njohura, shumë pak udhëheqës të biznesit kanë atë që iu nevojitet për të rritur kreativitetin. Fatmirësisht, ka disa mënyra përmes të cilave ndërmarrësit mund t’a bëjnë veten dhe kompanitë e tyre më kreative. Këtu janë pesë mënyra se si mund të rrisni kreativitetin.

Bëhuni gjithëpërfshirës

Ka një arsye pse thonë se dy koka janë më mirë se një. Legjenda e gjeniut të vetëm kreativ, është, një mit. Ekipet e shumëllojshme mund të jenë shumë më kreative se individët sepse ata mund të prodhojnë më shumë ide se sa një tru i vetëm. Mirëpo, lloji i gabuar i shumëllojshmërisë mund të jetë i dëmshëm. Për të qenë më së shumti kreative, ekipet duhet të kenë njerëz të aftësive, talenteve dhe prapavijave të ndryshme, por me vlera dhe motive të ngjajshme. Të gjithë duhet të jenë të bashkuar prapa një qëllimi të përbashkët.

Bëni pushim

Studimet kanë treguar se njerëzit mund të japin ide më të mira përderisa ecin se sa kur qëndrojnë të ulur. Dhe mos e harroni meditimin. Meditimi i rregullt ka qenë vazhdimisht i lidhur me kreativitet më të madh.

Zvogëloni presionin e kohës

Edhe pse nevoja mund të jetë nëna e shpikjeve, kjo nuk do të thotë se njerëzit do të jenë kreativë kur kanë probleme serioze. Në fakt, afatet e caktuara është dëshmuar se i bëjnë njerëzit më pak kreativë. Kështu që, përderisa ju nganjëherë mund të detyroheni të jeni kreativë kur një problem shfaqet, ju me siguri do të jeni më kreativë në një ambient më të relaksuar kur nuk jeni nën presion për të dhënë rezultate shpejtë.

Ndryshoni skenën

Me raste ndërmarrësit më pyesin për vlerën e seancave të prodhimit të ideve. Unë ndihem se këto me të vërtetë mund të ndezin kreativitetin, veçanërisht nëse ndryshoni skenën. Thjeshtë ndryshimi i ambientit fizik është dëshmuar se ndihmon kreativitetin në mënyrë domethënëse.

Pranoni dështimin

Njëra prej lidhjeve më të mëdha në mes kreativitetit dhe kulturës së korporatës ka të bëjë me mënyrën se si dështimi trajtohet. E thënë më thjeshtë, njerëzit kreativë duhet të ndihen të sigurt të provojnë qasje të reja. Kjo do të thotë të mos dënoni dështimin por , në fakt t’a shpërbleni atë.

Është humbje kohe dhe energjie të nxitni ekipe kreative nëse Kryeshefi Ekzekutiv është i interesuar vetëm në mënyrën siç e kanë bërë gjithmonë. Pra mos harroni të inkurajoni kreativitetin në veten dhe në ndërmarrjen tuaj. Fatmirësisht, të gjitha këto teknika funksionojnë për individët, duke përfshirë personin vizioni i të cilit krijoi organizatën. /eo/

Artikulli paraprakJini pozitivë dhe mirënjohës, i bën mirë shëndetit dhe karrierës
Artikulli tjetërStrategjia e ndarjes (pjesëzimit)