Si mundet Qeveria e re të krijojë vende pune?

Pandemia COVID-19 ka goditur ekonominë botërore, duke lënë miliona njerëz të papunë. Nga kriza ekonomike, duket se personat me arsim të ulët dhe të mesëm e kanë pësuar më së keqi. Situatë e ngjashme është edhe në Kosovë. Ndonëse nuk kemi shifra të sakta të individëve që kanë humbur vendin e punës, numri i tyre besohet të jetë i konsiderueshëm. Tani, më shumë se kurrë, nevojitet krijimi i vendeve të reja e të mira të punës. Me fjalën “të mira” nënkuptojmë punët që kërkojnë dije specifike dhe kanë paga mbi mesatare.

Vendet e mira të punës, zakonisht, krijohen nga kompanitë produktive të cilat janë inovative në treg. Këto firma, shpeshherë, përballën me vështirësi në rekrutimin e personave kompetent për punë. E thënë ndryshe, vendet e reja të punës kërkojnë të adresohet ana e ofertës dhe e kërkesës, ku në njërën anë stimulohen firmat inovative, dhe në anën tjetër nxitet përgatitja e  punëtorëve me aftësi të ‘buta’ dhe të ‘forta’. Qeveritë ndër vite kanë pasur një qasje tejet neoliberale ndaj tregut. Duke marrë parasysh gjendjen ekonomike, nevojitet një rol aktiv në ekonomi nga qeveria e ardhshme. Gjithsesi, intervenimi i Qeverisë shpeshherë është problemi, e jo zgjidhja.  Sidoqoftë, nëpër vende të ndryshme të botës ekziston një evidencë në rritje në lidhje me suksesin e programeve sektoriale të punësimit. Në vazhdim do të diskutohet për dy mënyra sesi Qeveria mund ta stimulojë krijimin e vendeve të reja të punës.

Përkrahja e punëtorëve përmes trajnimeve dhe certifikimeve

Fillimisht, është mirë të theksohet që trajnimet në Kosovë nuk kanë qenë të pakta. Vetëm se, në të shumtën e rasteve kanë qenë të keqdizajnuara, për të mos thënë të dedikuara për ofruesit e trajnimeve, e jo pjesëmarrësit. Pra, kemi pasur trajnime për marketing digjital për të papunët mbi 40 vjeç, që s’e kanë idenë ç’është as marketingu tradicional. Kemi pasur trajnime për ndërmarrësi, nga ligjërues që s’kanë kurrfarë përvoje në biznes. E kështu me radhë. Në shumicën e rasteve, këto lloj trajnimesh kanë qenë të ofruara përmes OJQ-ve lokale. Certifikatat e tyre – shumicës – janë letra të pavlera. Atëherë, çfarë trajnimesh dhe çfarë certifikimesh mund të krijojnë vende të mira të punës?

Siç argumenton edhe ekonomisti Dani Rodrik, programet sektoriale duhet të shkojnë përtej trajnimeve tradicionale – dhe duhet të jenë së paku gjatëmujore. Kjo duke lidhur ngushtë punëdhënësit me punëtorët e rinj, të cilët ndjekin trajnime specifike të përshtatura sipas nevojave specifike të industrisë apo firmës. Në Kosovë – kryesisht në Prishtinë – ekziston një numër solid i kompanive të teknologjisë informative të cilat ofrojnë shërbime për tregjet e jashtme. Qasja në tregjet e huaja mundëson zhvillimin e shpejt të këtyre kompanive, të cilat shpeshherë kanë problem të gjejnë punëtorë me dije specifike. Një nga pronarët e një kompanie që ofron shërbime të trajnimeve, deklaronte se kur rekrutojnë punëtorë, në gjashtë muajt e parë ata janë shumë pak produktivë. Punëtorët e ri kanë nevojë për dije specifike që mund të merret gjatë punës në kompani. Për këtë arsye, punëtorët e rinj janë të kushtueshëm, pasi nevojitet trajnime të vazhdueshme për së paku gjatë muaj. Mungesa e punëtorëve kompetentë i ndalon kompanitë që të zgjerohen në tregjet e huaja. Këtu duhet të ndërhyjë Qeveria, duke mbuluar pagat në gjashtë muajt e parë. Në anën tjetër, kompanitë duhet të sigurojnë që punëtorët e ri të kenë kontratë së paku dyvjeçare, dhe t’i trajnojnë ata sipas nevojës së punës. Pas dy viteve, edhe nëse këta punëtorë nuk do të vazhdonin të punonin në të njëjtat kompani, do të kenë përvojë dhe dije specifike.

Qeveria duhet që t’i monitorojë programet për së afërti, duke i shmangur kompanitë parazite që gjuajnë për fonde të rimëkëmbjes. Pra, incentiva të jetë në shembullin e karotës dhe shkopit, ku karota simbolizon fondet nga politika sektoriale, ndërkaq shkopi trajnimet dhe kontratat e punës që kompanitë duhet të ofrojnë. Veçanërisht, duhet pasur kujdes që kompanitë mos të fusin në lista punëtorë ekzistues, apo të afërm të tyre, në mënyrë që të jenë përfitues të fondeve.

Përtej financimit të punëtorëve të firmave inovative, Qeveria nëpërmes institucioneve kredibile, mund të ofrojnë trajnime për të rinjtë e papunë. Trajnimet duhet të kurorëzohen me certifikata që kanë vlerë ndërkombëtare në fusha të ndryshme. Përsëri është e rëndësishme që trajnimet të jenë së paku gjashtëmujore, që kanë test certifikues në fund. Shumë nga këto trajnime të njohura ndërkombëtarisht mund të ofrohen nga një numër i institucioneve vendore, të cilat janë të autorizuara të mbajnë trajnime dhe japin certifikata. Po ashtu, Qeveria duhet të shikojë opsionin e trajnimeve online, të cilat i mbajnë kompanitë e njohura botërore. Certifikatat e marra nga to do t’u ndihmonin të rinjve të punësoheshin. Marrja e dijes nga trajnimi ndërkombëtar, e cila vërtetohet me certifikatën përkatëse, do t’i mundësonte një të riu të gjente punë, siç thuhet shpesh, online. Me punëtorë të cilët punojnë për kontraktorë të ndryshëm ndërkombëtar, do të mund të zhvillohej e ashtuquajtura ‘gig economy’ – treg i punës i bazuar në kontrata afatshkurtra.

Përkrahja e bizneseve që operojnë në tregjet e huaja

Tim Bartik nga instituti Upjohn, ofron një diskutim të shkëlqyeshëm për incentivat të cilat mund të jenë të suksesshme në krijimin e vendeve të reja të punës. Së pari, duhet të targetohen disa firma të caktuara, të cilat vlerësohet se janë më shumë efektive. Zakonisht firmat e vogla nuk përdorin teknologji të re, dhe nuk përdorin praktika moderne të menaxhimit. Pra, Qeveria duhet të targetojë firmat e vogla të cilat kanë potencial të rriten, dhe nëpërmes kompanive të dëshmuara të konsulencës, t’u ofrojë shërbime për t’i përmirësuar proceset e punës. Për shembull, certifikimi me ISO standarde i bën firmat më efikase dhe më konkurruese në tregje vendore dhe ndërkombëtare. Certifikimi me këto standarde është i kushtueshëm, dhe në shumë raste firmat nuk e dinë rëndësinë e aplikimit të këtyre standardeve. Standardizimi i shërbimeve bazuar në praktikat më të mira të menaxhimit mund të ketë efekte të mëdha multiplikuese, pasi firmat do të mund të zhvilloheshin, dhe rrjedhimisht të punësonin më shumë punëtorë.

Edhe në këtë rast, firmat që janë të orientuara në ofrimin e shërbimeve për tregjet e huaja duhet të ishin prioritet. Duke pasur parasysh që struktura e moshës e të punësuarve është relativisht e re, atëherë edhe efektet e përhapjes (ang. Spillovers) në industrinë e shërbimeve do të ishin më të mëdha. Zakonisht, punëtorët e ri motivohen në firmë ku punojnë për të hapur biznesin e tyre. Në këtë mënyrë, përkrahja e firmave që ofrojnë shërbime për tregjet e jashtme mund të krijojë vende të reja e të mira të punës.

Aplikimin e politikave sektoriale të punësimit në Kosovë e vështirësojnë dy gjëra: mungesa e statistikave cilësore dhe mungesa e hulumtimeve.

Në kushte normale, statistikat nga Anketa e Fuqisë Punëtore do të duhej të na jepte shifra të përafërta për numrin e atyre që kanë humbur vendin e punës. Por, ashtu si edhe shumë raporte tjera të institucioneve të Kosovës, raportet e Agjencisë së Statistikave janë të padobishme në këtë rast. Për shembull, Anketa e Fuqisë Punëtore për tremujorin e tretë të vitit 2019, thotë që 123,901 persona ishin të papunë, ndërkaq në periudhën e njëjtë të vitit 2020, numri i të papunëve u zvogëlua në 120,348 persona. Logjika e shëndoshë nuk mund ta pranojë argumentin se në vitin e pandemisë, papunësia ka rënë – pavarësisht se respektohen praktikat standarde të mbledhjes së të dhënave.

Në anën tjetër, politikat e bazuara në hulumtime janë të pakta. Në fakt, janë shumë të rralla hulumtimet e lidhjeve shkak-pasojë, të cilat do të mund t’u ofronin politikëbërësve një pasqyrë të suksesit të incentivave. Konsideroj që nëpër institucionet tona ekziston një numër solid i burimeve njerëzore, të cilët mund të angazhohen në hulumtime. Qeveria e re, duhet që krahas politikave që i ndërmerr, të krijojë ekipe hulumtuese brenda administratës, të cilat do të vlerësonin efektin e incentivave dhe do të ofronin rekomandime.

Tekefundit, edhe nëse kjo lloj politike sektoriale nuk do të jepte efektet e pritura, do të kishim evidencë për suksesin apo mossuksesin e saj. Siç thotë edhe ekonomisti Rodrik: nuk është problemi se qeveria bën gabime; sepse nëse nuk bën, i bie që nuk është duke punuar sa duhet. Gjithsesi, ky argument nuk vlen kur Qeveria e përsërit të njëjtin gabim.

Përderisa shpenzohen miliona euro në masa fiskale të pamenduara mirë, Qeveria e re duhet që gjithsesi të provojë politika të reja kreative, të cilat do të siguronin jo vetëm rimëkëmbje, por edhe zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.

Albian Krasniqi  /sbunker/

Artikulli paraprakFondi Monetar Ndërkombëtar: 150 shtete nuk do të arrijnë nivelin e zhvillimit para pandemisë COVID-19
Artikulli tjetërBie numri i pasagjerëve