Një e dhënë e re e shpërndarë nga Instituti i Statistikave ka treguar për një ndryshim esencial në marrëdhëniet ekonomike të Shqipërisë, por edhe gjeopolitikës së saj.
Sipas INSTAT, në vitin 2016 Shqipëria ka shtuar në zërat e tregëtisë me Turqinë edhe atë të energjisë elektrike.
Kjo e dhënë që përbën një zhvillim realisht të rëndësishëm nuk specifikohet me të dhëna shtesë nga ana e INSTAT, por që gjithsesi tregon për një konfigurim të partneritetit tonë me Turqinë, që qeveria e Edi Ramës e ka konsideruar “strategjik” që kur erdhi në pushtet në vitin 2013.
Turqia ka qenë një vend që t bilancin tregtar me Shqipërinë e ka mbuluar në vitet e shkuara kryesisht me mallra ushqimorë, ato të industrisë së lehtë, por edhe shërbime, siç janë ato mjekësore apo turistike.
Ndërkohë prej më shumë se 10 vjetësh, Turqia është kthyer në një partner i rëndësishëm ekonomik për industrinë e ndërtimit, e cila është jo thjesht fitimprurëse por rrit cilësinë e shkëmbimit ekonomik.
Prej më shumë se katër vitesh ka kompani shqiptare që prodhojnë materiale për industrinë e ndërtimit të Turqisë, kryesisht prodhime gjysëm të gatshme, ndërkohë që importet e materialeve të ndërtimit janë rritur ndjeshëm, ku bëhet fjalë për metale, çimento dhe lëndë të tjera.
Por e dhëna e eksportit dhe importit të energjisë elektrike nga Turqia, është tregues shumë i rëndësishëm strategjik pasi krijon premisën e shkëputjes prej varësisë serbe, të cilën Shqipëria e ka pasur prej mbi 40 vitesh.
Edhe në kohën e komunizmit, edhe në 25 vitet e postkomunizmit, Shqipëria është furnizuar vetëm prej rrjetit apo autostradës energjetike që vinte nga Serbia. Si pasojë e kësaj edhe kompanitë e mëdha importuese të energjisë ishin gjigandët serbë si Rudmap apo Gen.
Vitin e shkuar, Shqipëria ka eksportuar dhe importuar dy herë sasi të mëdha energjie elektrike nga Turqia, duke pëdorur rrjetin bullgar të energjisë, i cili pasi kalon nga Maqedonia vjen në Shqipëri.
Siç duket për këtë arsye, qeveria “Rama” me një kredi gjermane ndërtoi me shpejtësi linjën e interkonjeksionit ndërmjet Shqipërisë dhe Maqedonisë, linjë e cila rrit me mbi 10 herë kapacitetet e transmetimit të energjisë.
Kjo linjë e sapovënë në punë duket ka shërbyer për të eksportuar dhe importuar energjinë me Turqinë.
Ankaraja është një potencial i madh i prodhimit të energjisë elektrike, edhe si pasojë e investimeve të shtuara që janë bërë në Turqi si në hidrocentralin e madh të Anadollit, por edhe prej termocentraleve të ndërtuar që shfrytëzojnë gazin që vjen nga Azerbaxhani.
Korporata Shtetërore e Energjisë në Turqi, ka ofruar një ndihmesë të madhe për KESH dhe OSHE-në dhe specialistët turq u instaluan në ministrinë që drejton Damian Gjiknuri, që në vitin 2013.
Por ky zë thuajse nuk është komentuar fare nga mediat shqiptare, kryesisht nga sektorët ekonomikë të saj, që analizojnë peshën e eksporteve, importeve apo bilancit të tregtisë.
Energjia e eksportuar dhe importuar nga Turqia, sipas të gjitha gjasave ndodhet në fillimet e saj, ndaj edhe nuk është specifikuar me shifra nga ana e Institutit të Statistikave.
Në njoftimin e tij, INSTAT thekson se “Gjatë 6-mujorit të vitit 2016, eksportet arritën në 729 milionë lekë. Në Turqi, Shqipëria ka eksportuar kryesisht materiale ndërtimi dhe metale, por edhe minerale, lëndë djegëse, energji elektrike.
Gjatë periudhës janar-qershor të vitit 2017 nga Turqia u importuan 24,449 milionë lekë mallra.
Ndërsa në të njëjtën periudhë të vitit 2016 u importuan 21,630 milionë lekë mallra.
Nga Turqia, Shqipëria ka importuar kryesisht tekstile dhe këpucë, si dhe produkte kimike dhe plastike”. /tesheshi.com/