Roll Over në murabahah

Një rregull tjetër që duhet mbajtur mend dhe zbatuar plotësisht është se një transaksion murabahah nuk mund të riplanifikohet për një periudhë të mëtejshme. Në financimin me interes, nëse një klient i bankës nuk mund të paguajë në datën e caktuar për çfarëdo arsye, ai mund të kërkojë nga banka zgjatjen e afatit për një periudhë tjetër. Nëse banka pranon, atëherë ky financim riplanifikohet sipas kushteve të reja të dakorduara mes palëve, ku norma e interesit e sapo dakorduar zbatohet për periudhën e re. Në thelb, kjo do të thotë se një hua e re me të njëjtën shumë i jepet përsëri huamarrësit.

Disa banka islame ose institucione financiare, të cilat nuk e kanë kuptuar siç duhet konceptin e murabahah dhe e kanë trajtuar atë thjesht si një mënyrë financimi të ngjashme me kreditë me interes, kanë filluar ta zbatojnë konceptin e roll over (shtyrje e afatit me marzh shtesë) edhe në murabahah. Nëse klienti kërkon nga ata zgjatjen e afatit të maturimit të murabahah, ata e riplanifikojnë atë dhe e zgjasin periudhën e pagesës duke aplikuar një marzh shtesë mbi shumën e mbetur. Kjo praktikë, në thelb, do të thotë që një murabahah e re regjistrohet mbi të njëjtën mall. Një praktikë e tillë është plotësisht në kundërshtim me parimet e mirëpërcaktuara të Sheriatit.

Duhet kuptuar qartë se murabaha nuk është hua. Ajo është një shitje e një malli, çmimi i të cilit shtyhet për një datë të caktuar. Pasi malli shitet, pronësia e tij i kalon klientit dhe nuk është më pronë e shitësit. Ajo që shitësi mund të kërkojë në mënyrë legjitime është vetëm çmimi i dakorduar, i cili tashmë është bërë një borxh që klienti duhet ta paguajë. Prandaj, nuk mund të bëhet një shitje tjetër mbi të njëjtin mall midis të njëjtave palë. Roll over në murabaha nuk është asgjë tjetër veçse interes i pastër, pasi përfaqëson një marrëveshje për të tarifuar një shumë shtesë mbi borxhin e krijuar nga shitja murabaha.

Artikulli paraprakZbritja për pagesën e parakohshme