Autoritete kompetente në vend, në forma të ndryshme, vazhdimisht kanë ftuar investitorët e huaj që kapitalin e tyre të shtrijnë në Kosovë, pasi këto mjete janë vlerësuar si mjetet të domosdoshme për zhvillim të përgjithshëm ekonomik.
Por, njohës të çështjeve ekonomike theksojnë se investitorët po hezitojnë të investojnë për shkak të nivelit të lartë të korrupsionit dhe mos luftimit të kësaj dukurie nga autoritet kompetente.
Sipas tyre, investimet e huaja, kanë qenë të ndërlidhura vetëm më procesin e privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore dhe publike, ndërkaq, pas privatizimit të shumicës se këtyre ndërmarrjeve janë zvogëluar investimet.
Rënie të investimeve ka pasur që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008, periudhë kjo kur është pritur rritje të investimeve ndërkombëtare.
Pritjet për investime kanë qenë shpresa dhe ëndrra të kota.
Ekzekutivi i vendit nuk ka krijuar ambient të favorshëm për këtë çështje, ndërsa edhe kur ka pasur projekte për investime potenciale, qeveria ka neglizhuar projektet.
“Vendet fqinje të Kosovës, por edhe të rajonit janë më shumë atraktive se sa Kosova, për këtë arsye investimet po bien. Fakti tjetër është se projektet më të mëdha ku është pritur të derdhet kapitali i huaj, po prolongohen po zvarriten, edhe sot qeveria e Kosovës nuk e ka të qartë se çfarë do të bëjë, siç është fjala për energjetikën”, thotë Rexhepi për Radion Evropa e Lirë.
Sipas raportit të Bankës Qendrore të Kosovës, shuma e investimeve të huaja direkt në nëntë mujorin e vitit 2012 është 178.5 milionë euro, apo siç është thënë, 50 për qind më pak se vitin 2011.
Agron Demi nga Instituti për Studime të Avancuara “GAP”, thekson se edhe gjatë këtij viti Kosova do të ballafaqohet më mungesë të investimeve të huaja.
Ai ndërkaq thotë se në Kosovë ka shumë pak investitorë të huaj që nuk janë të lidhur me procesin e privatizimit.
Demi vlerëson se shkalla e lartë e korrupsionit është një ndër faktorët kryesorë që investitorët e huaj po hezitojnë që kapitalin e tyre të shtrijnë në Kosovë.
“Lajmet e fundit se u është kërkuar ryshfet shumë investitorëve të huaj, nuk është sinjal i mirë, prandaj ne nuk jemi duke ftuar investitorët por duke larguar. Është konsideruar se krijimi i zonave ekonomike, krijimi i parqeve industriale do të jetë një ‘karrocë’ që do të iu ofrohet investitorëve në mënyrë që të investojnë në Kosovë. Por, ne, së fundi kemi parë se këto parqe janë të mbushura më korrupsion dhe punimi i tyre ka zgjatur për shumë vite”, shprehet Demi.
Sidoqoftë, raporti i fundit i Bankës Botërore i publikuar në tetor të vitit të kaluar, në vlerësimin për mbrojtje të investitorëve, e kishte renditur Kosovën shumë mirë.
Por, Agron Demi, konsideron se kjo ka të bëjë vetëm më përmirësimin e legjislacionit, por në praktikë kjo nuk zbatohet.
“Ajo çka duhet të bëjmë është se vërtet duhet të krijojmë një ambient ku investitorët e jashtëm do të kenë arsye të vijnë dhe të investojnë në Kosovë. Për ndryshe ne nuk jemi treg atraktiv për investitorët e jashtëm. Kemi një forcë të lirë punëtore, kemi një forcë punëtore jo të përgatitur për punë të shekullit XXI, për shembull teknologji Informative apo fusha tjera të investimeve”, thekson ai.